Punëtori ra nga pallati dhe humbi jetën, Policia: Arrestuam dy inxhinierët e firmës, shkelën rregullat e sigurisë në punë

325
Sigal

Policia e Shtetit ka arrestuar dy inxhinierë ndërtimi për vdekjen e punëtorit 63-vjeçar ditën e djeshme në Tiranë.

63-vjeçari, Mëhill Përpepaj ishte duke punuar në një pallat në zonën e “Fushës së Aviacionit”, ku ra nga lartësia duke humbur jetën në vend.

Sot, Policia ka arrestuar inxhinierin e firmës së ndërtimit, B. Ç., 42 vjeç dhe ndihmësin e tij, K. K., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë. Të dy të arrestuarit akuzohen se nuk kishte zbatuar protokollin e rregullave të sigurimit teknik.

NJOFTIMI I PLOTË:

Vihen në pranga për shkelje të rregullave në punë, inxhinieri i firmës ndërtuese dhe inxhinieri për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik të një pallati në ndërtim, ku ditën e djeshme humbi jetën një 63-vjeçar, gjatë kohës që po punonte në këtë objekt.

Shërbimet e Komisariatit Nr. 2 dhe grupi hetimor, menjëherë pas njoftimit të marrë se një shtetas kishte rënë aksidentalisht nga lartësia e një pallati dhe për pasojë humbi jetën, menjëherë kanë kryer gjithë veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë dhe në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit arrestuan në flagrancë shtetasit: B. Ç., 42 vjeç, banues në Tiranë, inxhinieri i firmës dhe K. K., 26 vjeç, banues në Tiranë, ndihmësinxhinier për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi më datë 07.05.2020, rreth orës 12:30, ka rënë nga lartësia e pallatit në ndërtim dhe si pasojë ka humbur jetën punëtori i këtij objekti, shtetasi M. P., 63 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.