Pse nuk ulet çmimi i naftës në Shqipëri? Eksperti: Tregtarët abuzojnë, nuk ka konkurrencë

28
Sigal

Çmimi i naftës është ulur në tregjet ndërkombëtare rreth 20% përgjatë 2 muajve të fundit. Por në Shqipëri, ai mbetet i pandryshuar dhe për këtë arsye, ekspertët ngrenë dyshime, që në vendin tonë, tregtarët operojnë si kartel.

“Që në momentin që hoqi dorë bordi i transparencës u bë një përqendrim apo kompani të tregtimit në shumicë dhe në pakicë të naftës po formohet një formë karteli dhe kjo është më se evidente. Diferenca në çmime nga një kompani në tjetrën janë zhdukur pothuajse fare”, -tha Klodian Muço. Për Muçon, distributorët e naftës në Shqipëri paracaktojnë çmimet, duke dëmtuar kështu konkurrencën e lirë në treg.

“Në qoftë se ne në të kaluarën diferenca nga 1 lekë deri në 10 lekë nga një distributor te tjetri sot këto diferenca nuk ekzistojnë më. Heqja e bordit të transparencës së famshëm që të gjithë e kritikuan, tashmë që nuk ekziston më kompanitë po operojnë në një mënyrë që parapërcaktojnë çmimet të naftës. Abuzojnë tregtarët qoftë ata të shumicës si dhe të pakicës”, -tha Klodian Muço. Autoriteti i konkurrencës në një studim të industrisë në 2022 evidentoj gati asnjë parregullsi në zinxhirin e distribucionit të naftës, ndërkohë që ky sektor sipas ekspertëve zotërohet gati 75% nga tre kompani të mëdha në vend. Ekspertët apelojnë për një monitorim të shtuar.

“Autoriteti i konkurrencës duhet ta monitoroj këtë fenomen. Si ka mundësi që çmimet në tregjet ndërkombëtare po bien, dollari është zhvlerësuar  në raport me monedhën tonë vendase dhe çmimet në treg mbeten pothuajse të njëjta. Kur kemi tendencë rënëse çmimet në tregun shqiptar reagojnë shumë me vonesë, ndërsa kur ato rriten çmimet në vend reagojnë pothuajse menjëherë”, Klodian Muço.