Sigal

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore.

Në e-mailin e Aku-së rreth orës 20:00 ka mbërritur një denoncim nga një qytetar  për therjen e tregtimin e mishit në qytetin e Prrenjasit në shkelje flagrante të stadardeve të sigurisë ushqimore.

Trupat inspektuese e DRAKU, Elbasan kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe u konstatua , evidentua, dënua dhe ndërpre veprimtaria e kundërligjshme.

Konkretisht, gjatë inspektimit të papritur, subjekti “Bani Zhobro”  u kap në flagrancë duke  ushtruar  barbarisht aktivitetin  e therjes së kafshëve  në një ambient të pa miratuar dhe në kundërshtim të plotë me kërkesat ligjore dhe kafsha natyrshëm e pa kontrolluar nga veterineri – i cili sipas protokolleve veterinare kryen edhe certifikimin ose jo të mishit pas kontrollit të detyrueshëm para dhe pas therjes.

Ky subjekt “Bani Zhobro”  është i regjistruar në QKB me aktivitet ‘Tregtim mishi” por në momentin e inspektimit subjekti  ushtronte aktivitetin e therjes së kafshëve  në ambientin ngjitur me atë të tregtimit të mishit ,në katin e parë të një pallati. Në ambientet e therjes u gjendën dhe më pas  u konfiskuan 45 kg mish vici dhe një set me vegla pune (2 cengela,1 thikë,1 hanxhar).

.Për shkeljet e mësipërme u morën masat : ndalim i aktivitetit për therjen e kafshëve, konfiskim i mishit, mjeteve të punës (2 cengela,1 thikë,1 hanxhar) si dhe masë administrative, gjobë në vlerën 250 000 lekë. Inspektimi zgjati deri në orët e vona të datës 3.8.2018, ku u konfiskua produkti me destinacion asgjësimin e tij.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje sërish konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produkteve shtazore duke kërkuar informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me certifikatë veterinare, kuponin tatimor, si mjet për sigurinë e gjurmueshmërisë së produktit.

Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve, apo çdo shkelje të dyshuar të stadardeve të Sigurisë Ushqimore, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.