Provimet e maturës, ministrja e Arsimit: Do të rikthehen pyetjet me zhvillim

235
Sigal

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi këtë të enjte ka zhvilluar një bashkëbisedim me maturantë lidhur me rregullat e dhënies së provimit në një vit pandemie.

Kushi në takimin e saj me maturantët ka treguar rregullat e reja të dhënies së provimit, siç ishte rikthimi i pyetjeve me zhvillim në teste.

Sipas ministres, testi do të jetë i ndarë në tre nivele vështirësie, ku pjesën “më të ngarkuar” e zë vetëm 20% e tij. Për të marrë një notë kaluese duhet të kesh siguruar më shumë se 25% të 60 pikëve të testit, pra më shumë se pyetjet me alternativa, që kanë 20% të notës.

“Nisur nga kërkesat e shumta të maturantëve, kemi vendosur që këtë vit një pjesë e pyetje të jenë me alternativa dhe zhvillim. Testi ka 60 pikë, 20 pikë i kanë ato me alternativa. Do të ketë 3 nivele vështirësie, 40% e testit.

Niveli më i lartë i vështirësisë do të ketë vetëm 20%. Tre do të jenë provime të detyrueshme. Vetëm një provim do të jetë më zgjedhje. Do i keni të gjitha në programet orientuese.

Do aplikojmë dy mënyra; atë elektronike me skanim, ndërsa pyetjet me zhvillim do të vlerësohen nga mësuesit. Ajo me alternativa është pilotuar për një pjesë të nxënësve, dhe aplikohet në vendet europiane, sepse garanton saktësi të lartë dhe shmang problematikat.

Nuk duam t’jua shtojmë stresin por duam të garantojmë një proces të barabartë dhe të drejtë për të gjithë. Meritokracia të jetë baza e procesit.

Për këtë vit kemi vendosur ta ndryshojmë rregulloren.

Nëse një nxënës konstatohet me celular, përjashtohet por mund ta japë në vjeshtë”, ka thënë Kushi.