“Prova e gazetës”, këshilla e Buffet që sot shumë drejtues mund të mos e kalonin

233
Sigal

Sipas Buffett, nëse lidershipit tuaj i mungon ky element, atëherë ju me siguri që do të keni probleme

Në vitin 2005, Warren Buffett dhe Bill Gates ishin të ftuar në universitetin Nebraska-Lincoln, ku iu përgjigjën pyetjeve të shumta të studentëve të pranishëm në auditor. Një student e pyeti Buffett se si mund ta kuptonte ai që ekipi drejtues po merrte vendime etike që do të vinin në diskutim vendimet e tij?

Buffett dha këshilla në formën e një “prove” që shumë drejtues sot ndoshta nuk t’i kalonin dot.

“Prova e gazetës”

“U kërkoj drejtuesve të gjykojnë çdo veprim që ata ndërmarrin – jo vetëm nga standardet ligjore, megjithëse padyshim, kjo është prova e parë – por edhe ajo që unë e cilësoj “prova e gazetës”, – shpjegoi Buffett.

Në thelb, nëse një artikull “i shkruar nga një reporter i zgjuar, por armiqësor” shfaqet në një gazetë vendase në lidhje me një vendim ose veprim që ju keni marrë dhe familja, miqtë dhe fqinjët tuaj do ta lexonin atë, si do t’ju bënte të ndiheshit?
“Është shumë e thjeshtë”, thotë Buffett. “Nëse vendimi ose veprimi juaj e kalon atë provë, gjithçka është në rregull, por nëse diçka është shumë afër kufijve të lejueshëm, gjithçka mund të marrë fund”.

Nëse e kaloni “Provën e gazetës së Buffett”, ju mund të përparoni shumë sepse nëse reputacioni juaj shkatërrohet në biznes, “loja ka mbaruar”.
“Ne kemi të gjitha paratë që na duhen, – tha miliarderi. – Ne do të dëshironim të kishim më shumë. Ne mund ta përballojmë edhe faktin nëse humbasim para, por nuk mund kurrsesi të humbasim reputacionin.”

Ky është një mësim jete që ai e ka nxjerrë gjatë kohës që ishte president dhe CEO i Berkshire Hathaëay. “Duhen 20 vjet për të krijuar një reputacion të mirë dhe vetëm pesë minuta për ta shkatërruar atë. Nëse mendoni në këtë drejtim, ju do të filloni t’i bëni gjërat ndryshe”.

Mos rrezikoni reputacionin

Një ndër këshillat e Buffett është që ju të qëndroni besnikë ndaj vlerave, edhe përballë situatave të vështira dhe stresuese. Në biznes merren shumë vendime të vështira, prandaj është me të vërtetë e rëndësishme të ruani qetësinë.
Ai e kupton plotësisht se të gjitha vendimet në biznes dhe të lidershipit kanë në bazë integritetin. Sepse pa integritet, le ta pranojmë, është gati e pamundur të fitosh reputacion të mirë. / INC