Protestë e bizneseve në bregdet: Qeveria po penalizon turizmin

285
Sigal

Mbrëmjet në bregdet nuk mund të kuptohen pa muzikë. Për kryetarin e shoqatës së turizmit në Durrës, Eduard Xhepa, ky është një sezon i pazakontë dhe për të qeveria e ka rënduar më shumë me vendimet e fundit.

”Sektori i turizmit ka kohë që është i goditur dhe është shumë i dobët për shkak të shumë arsyeve. Patjetër që ky vendim do të ndikojë, po këto nuk ndodhin vetëm në Shqipëri. Numri i turistëve është i vogël dhe janë vendas më shumë, po janë të gjithë të vetëdijshëm që shumë gjëra do t’i kemi mangut këtë vit”.

Pushuesit ndahen në dy kategori: ata që e përshëndesin vendimin e qeverisë për të mbyllur klubet e natës dhe ndërprerë muzikën pas orës 20.00 dhe ata që mendojnë se ky vendim duhet rishikuar.

”Për klubet e natës jam dakord, po për muzikën pas orës 20:00 nuk më duket e drejtë. Ne kjo na mban gjallë. Ajri, deti, muzika dhe këtë e quajmë shërim në këtë periudhë Covid-i. Njerëzit janë të stresuar nga pandemia, po nuk të lë kush me e shiju. Muzikën e duan të rinjtë, po dhe mosha jonë”.

Edhe në Velipojë, nuk është pritur mirë vendimi. Operatoret turistik thonë se kjo masë penalizon turizmin. Sipas tyre, qeveria duhet të bllokojë muzikën vetëm në ambjente të mbyllura. Ky është viti më i vështirë që po kalojnë bizneset në Shëngjin. Ndalimi i muzikës mbas orës 20:00, do të ndikojë edhe me shumë në ekonomi dhe për bizneset do të thotë të jesh gjysmë i mbyllur.