Protestat anti-vax janë duke u rritur në Europë, por sa mund të zgjasin?

Protestat kundër vaksinimit të detyrueshëm dhe kufizimeve për të pavaksinuarit po zhvillohen tashmë çdo javë në Bruksel dhe në shumë kryeqytete europiane.

Ndikimi i tyre në politikë ka filluar të rritet.

Sigal

Belgjika e Bashkuar për Lirinë është vetëm një nga organizatat e shumta në Europë që përpiqet ta shndërrojë këtë zemërim në influencë politike.

Kreu i këtij grupimi, Sarkis Simonjan, tha për Euronews se shqetësimet e tij nuk janë pa vend.

“Zemërimi i njerëzve është legjitim. Është normale që njerëzit zemërohen, sepse atyre u ka ardhur në majë të hundës me këtë situatë,” tha Simonjan.

Megjithatë, a mund të venitet ky zemërim pas përfundimit të masave kufizuese?

Në planin afatshkurtër, disa lëvizje anti-vax kanë filluar të ketë ndikim te zgjedhjet, por efekti i tyre mund të jetë i kundërt në zgjedhjet presidenciale në Francë, sipas Jacob Kirkegaard nga Fondi Gjerman Marshall.

Ai thotë se Emmanuel Macron ka luajtur me kartën e fajësimit të personave të pavaksinuar, duke i konsideruar si shkaktarë për vazhdimin e pandemisë.

“Në fakt, mendoj se është një veprim strategjik i mirëmenduar nga Macron, sepse të gjitha sondazhet publike në Francë tregojnë se shumica dërrmuese, më shumë se dy të tretat e popullit francez, e mbështesin atë në këtë linjë të ashpër kundër personave të pavaksinuar të lëvizjes anti-vax,” tha Kirkegaard për Euronews.

Në fushatën e ardhshme për zgjedhjet parlamentare në Hungari, kryeministri Viktor Orbán po ndjek një strategji krejt të ndryshme.

Sipas sondazheve, 30% e popullsisë mbi 18 vjeҫ në këtë vend refuzon çdo vaksinë dhe më shumë se 50% e tyre kundërshtojnë vaksinimin e detyrueshëm. Qeveria e Hungarisë nuk dëshiron ta humbasë këtë grup të madh votuesish, kështu që ka zgjedhur të ndjekë një rrugë me masa relativisht të relaksuara kundër COVID.

“Ai dëshiron të kënaqë këtë elektorat dhe mendoj se, nga këndvështrimi i tij, po përpiqet që të mobilizojë bazën e vet,” tha Kirkegaard.

“Orbán ka nevojë për çdo votues të ekstremit të djathtë, sepse siç tregojnë sondazhet, ai do të humbasë në shumicën e zonave urbane, ku ndodhen dhe njerëzit më të arsimuar.”

Shumica e vendeve europiane janë përgatitur tashmë për demonstrata të rregullta nga lëvizjet anti-vax, por jo për ndikimin e tyre në politikë.