Protesta kundër HEC-eve në lumin e Thirrës, policia ndalon aktivistët e VV-së

101
Sigal

Banorët e fshatrave Thirrë e Sang të Mirditës mbajtën një protestë qytetare, kundër zaptimit të Lumit të Thirrës nga hidrocentrale të vogla private, të cilat po shkatërrojnë mjedisin dhe ekosistemet në Shqipëri.

Uji, i cili prej shekujsh ka qenë e mirë publike e natyrore, që është përdorur për tokat e për bagëtitë, e që sigurisht është baza e jetës për florën e faunën vendore, po mbyllet nëpër tuba nga biznesmenë abuzivë me lejen e pushtetit në Tiranë.

“Kjo politikë që po shkatërron Shqipërinë, nga Valbona e deri në Vjosë, duke prekur edhe Lumin e Thirrës, degë e Lumit Fan, e fshatrat Thirrë e Sang, po rezulton në spastrimin e zonave të tëra prej banorëve. Ky gjest anti-shqiptar që po i zbraz krahinat e Shqipërisë, nuk ka qenë e mundur të bëhet nga asnjë pushtues, me lehtësinë që po bëhet nga pushtetarët tanë”, thuhet në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosja, dega Shqipëri.

Në këtë protestë paqësore, me ftesën e banorëve të fshatit kanë marrë pjesë edhe disa aktivistë, bashkë me kandidatin e pavarur për Qarkun e Lezhës, Iliaz Shehun.

Bashkë me banorët, në mënyrë simbolike ata u ulën për disa minuta në vendin ku mbahej protesta, për të tërhequr vëmendjen e publikut për një kauzë kaq të rëndësishme për të gjithë Shqipërinë. Por, pas përfundimit të protestës, pasi janë nisur me automjete drejt Lezhës, policia ka ndaluar disa aktivistë, dhe i ka shoqëruar drejt komisariatit në Lezhë.

Sipas Vetëvendosjes, ky veprim policor është tërësisht në shkelje të së drejtës të protestës, e cila është e drejtë njerëzore, demokratike e kushtetuese.

“Kërkojmë urgjentisht lirimin e aktivistëve Sindi Osmani, Agnesa Kastrati, Miranda Marku, Emanuela Kamshi, Martin Paci, Merita Marku, Luigj Vokrri, Abi Shehu, Ester Celami, Fatime Paja, Pjetër Gjergji e të tjerë që janë shoqëruar e që ende nuk kemi konfirmim për emrat. Abuzimi që pushtetarët dhe pushtuesit e etur për fitim të padrejtë po kryejnë ndaj mjedisit, trashëgimisë kulturore, hapësirave publike, pronës së përbashkët, të drejtave qytetare e punëtore dhe vetë demokracisë e shtetit tonë, krijon vazhdimisht shkas për protesta, e shtypja policore e protestave e bën Shqipërinë të hedhë hapa pas në historinë e saj”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.