Protesta e 8 Janarit/ 34 të arrestuarit do të dalin sot para Gjykatës

199
Sigal

Ditën e sotme do të dalin para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë 34 personat e arrestuar në protestën e 8 janarit të organizuar nga Partia Demokratike kundër kryetarit të shkarkuar Lulzim Bashës.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar “arrest në shtëpi” për katër nga personat e vënë në pranga pas protestës së 8 janarit në Selinë Blu.

Po ashtu, mësohet se për 30 të tjerë është kërkuar “detyrim paraqitjeje”. Të arrestuarit akuzohen për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth selisë blu që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, për të verifikuar personat që kanë hyrë e dalë nga PD para ndërhyrjes së forcave të policisë.

Prokuroria ka kërkuar ekspertim edhe për pluhurin e bardhë të hedhur nga brenda godinës drejt protestuesve.