Protesta/ Banorët e “Bulevardit të Ri” u bashkohen aktorëve te Teatri: T’i rrëzojmë njëherë e mirë

486
Sigal

Banorët e “Bilevardit të Ri” bashkë me ata të Astirit i janë bashkuar protestës së aktorëve në oborrin e Teatrit Kombëtar të cilët protestojnë prej një viti për të mos lejuar shembjen e godinës së vjetër dhe ndërtimit të një godine të re.

Banorët shprehen se ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet, megjithëse projekti ka nisur që në vitin 2012 dhe fondi për shpronësimet është miratuar nga qeveria Berisha që në vitin 2013.

Ata janë shprehur se fundi i qeverisë së Edi Ramës vjen nga protesta e 16 shkurtit e cila është thirrur nga opozita.

Nëna e 13-vjeçarit të shoqëruar në polici  gjatë protestës së banorëve të Astirit përpara Parlamentit, u shpreh se ai u arrestua vetëm sepse doli në mbrojtje të banesës së tij.

“Djali im vetëm 13 vjec u arrestua se doli në mbrojtje të banesës së tij. Edi Rama dhe Erion Veliaj janë të pa shpirtë, janë kriminelë. Shtëpia për njeriun është jeta. Është vendi ku kalon jetën. Fëmijët tanë kanë përfunduar edhe nëpër spitale për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike. Ti rrëzojmë njëherë e përgjithmonë këta hajdutë dhe kriminelë”, – u shpreh ajo.

Ndërkohë banorët e “Bulevardit të Ri” kërkojnë të ndiqet e njëjta skemë siç ka ndodhur në Lotin e parë dhe të dytë, ku pronarët janë shpronësuar me vlerën e tregut.

Sot ata janë përplasur me policinë para Bashkisë së Tiranës e cila ka tentuar që t’i ndalojë për të mos bllokuar rrugën, pasi sipas policisë nuk kanë marrë leje për të protestuar. Banorët më tej kanë arritur me këmbëngulje të bllokojnë rrugën duke shkaktuar trafik të rënduar.