Prostitucion në qendrën e masazhit në Tiranë, arrestohen tre vajza, pronari në kërkim

219
Sigal

Zbulohet dhe goditet një tjetër qendër masazhesh që dyshohet se përdorej dhe për ushtrim prostitucioni në zonën e Unazës së re, në rrugën Teodor Keko, Tiranë.

Efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 6., në operacionin e koduar “Location” vunë pranga 3 shtetase, proceduan penalisht 4 shtetas të tjerë si dhe shpallën në kërkim pronarin e qendrës së masazheve.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit në një qendër masazhesh, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Location”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetaseve:

– M. H., 27 vjeç dhe B. K., 23 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, menaxhere në një qendër masazhesh, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

– S. S., 22 vjeçe, banuese në Tiranë, punonjëse në qendrën e masazheve, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, shtetasit:

– Z. A., 30 vjeçe, Xh. Sh., 21 vjeçe dhe A. K., 26 vjeçe, të trija banuese në Tiranë, punonjëse në qendrën e masazheve;

– R. M., 37 vjeç, banues në Maqedoni, klient në qendrën e masazheve.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi M. M., 47 vjeç, pronari i qendrës së masazheve, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, bëri me dije policia.

Si funksiononte

Sipas policisë, shtetaset M. H. dhe B. K. menaxhonin qendrën e masazheve në pronësi të shtetasit M. M., në rrugën “Teodor Keko”, në të cilën ishin të punësuara shtetaset S. S., Z. A., Xh. Sh. dhe A. K.

Përveç aktivitetit të regjistruar si qendër masazhesh, në këtë ambient, nga 2 menaxheret dhe 4 punonjëset (masazhatore), dyshohet se ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit, i organizuar nga pronari i kësaj qendre.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.