Propaganda e Bashkisë së Cërrikut me nxënësit, rikthen “Pionierët e Enverit”

296
Sigal

Rikthehen pionerët e Enverit. Imazhet tregojnë se çfarë ndodh në Cërrik në vitin 2022, plot 32 vjet nga shembja e diktaturës komuniste. Në fakt propaganda vijon, dhe 9 vitet e qeverisjes së Shqipërisë nga socialistët, pasardhës të Partisë së Punës së Shqipërisë, kanë treguar se fotot e diktatorit Enver Hoxha dhe çdo simbol komunist në ceremoni të ndryshme është një fenomen krejt normal. Në një aktivitet të organizuar në Cërrik, shfaqen jo vetëm nxënës, por edhe shumë të tjerë me shallin e kuq në qafë, i cili në kohën e diktaturës ishte një nga simbolet që i vihej me detyrim çdo nxënësi nga klasa e 5-të duke u quajtur “pionerët e Enverit”. Dhe si të mos mjaftonte shalli i kuq, një grup nxënësish janë detyruar që në prani të Kryebashkiakut dhe deputetit të bëjnv roje nderi në një lapidar, njëlloj si dikur kur bëhej roje nderi në varrin e diktatorit Enver Hoxha. Skandali është më i gjerë, pasi këto shfaqje komuniste janë bërë edhe në sy të kryebashkiakut të Cërrikut dhe atij të Elbasanit, i cili ka qenë i ftuar. Dhe e gjithë ceremonia që duket se ka mbledhur nostalgjikët e regjimit kishte lidhje me 79-vjetorin e krijimit të Batalionit Partizan të Dumresë. E gjithë kjo zhvillohet në një kohë kur nga segmente brenda opozitës, kërkojnë nga socialistët që Presidenti i ri të mos jetë komunist.