Pronat, furtunë në hipoteka, ikin të gjithë drejtorët

634
Kryeministri Rama u kërkon dorëheqjen e menjëhershme regjistruesve në çdo bashki. Gati ngritja e Agjencisë Kombëtare të Titujve të Pronësisë
I ka thirrur në një mbledhje në selinë e kryeministrisë dhe u ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme në një transmetim direkt televiziv. Të gjithë krerët vendorë të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Patundshme apo hipotekave nuk do të jenë më sot në kolltukët e tyre. Me kërkesën e kryeministrit Rama, ata do të dorëzojnë dorëheqjet nga detyra. “Dorëheqja e të gjithë regjistruesve pa dallim përkatësish partiake dhe shpallja e kërkesës publike për kandidatë, për pozicionin e regjistruesit në çdo bashki, është vetëm hapi fillestar në rrugën e një reforme rrënjësore për të bërë shtet në hipotekë”, u shpreh Rama në nisje të takimit. Sipas tij, hapi tjetër, me krijimin e qeverisë së re, do të jetë ngritja e Agjencisë Kombëtare të Titujve të Pronësisë dhe synimi është që më herët se sa vonë, brenda këtij mandati, certifikata e pronës të mundësohet automatikisht nga regjistri kombëtar digjital i pronës – jo më për javë, muaj e vite, po në pak minuta.

Kryeministri Rama e cilësoi situatën e hipotekave si shumë shqetësuese. Sipas tij, aspekti më i prekshëm dhe më konkret, për të parë sesi funksionojnë hipotekat, është mënyra sesi procedohet me lejet e legalizimit. “Ka një hendek të madh midis realitetit dhe asaj që është raportuar nga shumica dërrmuese prej jush. Ju keni bërë një raportim që në masën 99%, po themi, është fiktiv dhe në fund të raportimit tuaj, sipas jush, del që deri tani kemi vetëm 5126 leje ende të patrajtuara. Ndërkohë që shifra reale është pesëfish”, iu drejtua Rama krerëve vendorë të hipotekave. Shefi i qeverisë vlerësoi se edhe rënia e vazhdueshme e përgjigjeve për statusin e pronësisë është një tjetër shenjë shumë shqetësuese. “Vështirësitë që janë objektive janë njëra anë dhe vështirësitë subjektive, që i krijohen zyrat e hipotekave njerëzve, janë ana tjetër. Të dyja bashkë janë një mal që njerëzit e zakonshëm e kanë shumë të vështirë ta kapërcejnë pa kaluar nëpër tunele, nëpër vrima, nëpër labirinte e nëpër histori, që ju i dini më mirë se unë”, ju tha Rama regjistruesve. 

Ankesat e qytetarëve
Në tej, kryeministri përmendi edhe ankesat e qytetarëve. “Pjesa dërrmuese e rasteve janë shkelje flagrante e të drejtës së qytetarëve nga ana e zyrave tuaja. Kërkohen absurditete që nuk kanë bazë ligjore asgjëkund. Pastaj, kur vjen ankesa, e mbështetur nga zyra këtu, iu jepet hipoteka. Çfarë do të thotë kjo? Në qoftë se nuk bëhet, nuk bëhet. Zyra këtu bën të gjitha verifikimet dhe në ato raste kur thuhet që nuk bëhet, nuk bëhet. Ama pjesa më e madhe bëhet. Atëherë, kush mban përgjegjësi për këto tortura që iu bëhen njerëzve? Sa njerëz janë përtej atyre që arrijnë të çojnë një mesazh, apo të bëjnë një ankesë këtu, që torturohen përditë nga zyrat tuaja në mënyrën më kriminale?”, tha Rama. Ai u shpreh se duke parë edhe raportin e kërkesave me përgjigje, në lidhje me kërkesat e dërguara, nga i pari tek i fundit, drejtuesit e hipotekave duhet të shkruajnë dorëheqjen dhe të largohen nga detyra, që të gjithë, pa asnjë përjashtim! “Firmosni dorëheqjen sot, që të paktën të ikni me dinjitet fundor nga kjo punë. Se që të kesh 238 kërkesa pa përgjigje nga 246 që ka zyra, domethënë, t’iu jesh përgjigjur në afatin ligjor vetëm 3% të kërkesave, unë nuk e di se çfarë duhet më. E nuk po flasim këtu pozitive apo negative. Flasim për përgjigje. Kush e ka të drejtën t’u shkelë qytetarëve të drejtën e tyre ligjore, që të marrin përgjigje brenda një afati! Çfarë janë afatet e ligjit, rekomandime që, në rast se ju keni disponibilitetin, mund edhe t’i zbatoni, apo janë detyruese?! Një qytetar kur vjen të marrë një shërbim, do një përgjigje: “po” ose “jo”, tha Rama. Sipas tij, këtu është një katastrofë, nga fillimi deri në fund. “Një pamje më e shëmtuar dhe më kuptimplotë për katandinë e marrëdhënieve të shtetit me njerëzit, sesa pamja e marrëdhënies së hipotekës me njerëzit në Shqipëri nuk gjendet asgjëkund tjetër. Është spektakolare. Me të gjitha përpjekjet, me gjitha telefonatat, deri edhe të miat, që kam marrë një pjesë tuajën në telefon, kur përpara disa muajsh doli problemi i raportit komplet të zhdrejtë midis lejeve që jep ALUIZNI dhe përgjigjeve të marra nga ju, me të gjitha vendimet e qeverisë për blloqet kadastrale, me të gjitha përpjekjet e bëra nga vetë Zëvendëskryeministri në një periudhë kohe asnjë ndryshim i vërtetë. Ndryshime komplet të pakuptimta, jo thelbësore. Një çorganizim i organizuar, që gjeneron vetëm pisllëk dhe turp për shtetin”, u shpreh shefi i qeverisë. “Kështu që, të gjithë komplet ju ftoj të jepni dorëheqjen brenda 24 orësh. Drejtorja e Përgjithshme do të ngrejë një komision për të parë kapacitetin dhe gatishmërinë e të gjithë atyre që punojnë në hipotekë, për të vazhduar të punojnë në hipotekë”, u shpreh kryeministri.
Sigal