Pronat, Artan Lame “Së shpejti projekti i ri për bashkimin e tre institucioneve kryesore”

581
Kthimi, kompensimi dhe regjistrimi i pronës, ka qenë prioritet i të gjitha qeverive. Është një plagë, e cila vazhdon të dhembë për shumicën e shqiptarëve
Një betejë e re pritet të nisë me reformën në disa institucione të drejtësisë. Janë tre nga institucionet më të përfolura për mënyrën se si kanë drejtuar punët, se si nuk kanë dhënë më të mirën për qytetarët dhe institucionet që në të shumtën e rasteve janë përfolur për mbivendosjen e titujve të pronësisë. Mijëra prona të pa legalizuara, qytetarë në dyert e institucionet të ZRPP-ve duke pritur me ditë e muaj me radhë për të marrë një vërtetim, të tjerë që i drejtohen Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por deri më sot, kjo situatë ka shkaktuar vetëm plagë tek shoqëria. Janë tre institucione që nuk kanë gjetur asnjëherë gjuhën e përbashkët mes tyre. Nga njëra anë ALUIZNI është akuzuar se nuk bashkëpunon me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive dhe nga ana tjetër kemi Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit, e cila prej më se katër vitesh është në përpjekje për të dixhitalizuar të gjitha hartat e pronësisë. Por tashmë duket se qeveria do të ndërmarrë një lëvizje tjetër. Është duke u punuar për një projekt të radhës, i cili pritet të bashkoi tre institucionet në një të vetme. Ky fakt u pohua për gazetën “Telegraf” nga Drejtori aktual i ALUIZNI-t, Artan Lame. I pyetur nëse është i vërtetë hartimi i një projekti të tillë, Lame deklaroi se “ Po është e vërtetë. Prej ditësh qeveria është duke punuar për të mundësuar bashkimin e tre institucioneve, atë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, ALUIZNI-n dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”. Sipas Lames, ky nuk është një projekt i ri. Ai deklaroi për “Telegraf” se ka qenë një projekt i vitit 2013, por që deri në këto momente nuk ishte gjetur mundësia për ta realizuar. Lame shtoi se tani është e domosdoshme përfundimi i këtij projekti. Por ndërsa pohoi se ishte në sirtarët e qeverisë si projekt, kreu i ALUIZNI-t, shtoi se ende nuk është konkretizuar nga ana teknike. “Ende nuk ka nisur të punohet teknikisht. Nuk ka asgjë konkrete se si do të mund të jetë i strukturuar institucioni i ri. Por ajo që dihet është fakti se qeveria e ka pasur si projekt në sirtar dhe tashmë do të nis puna”, tha Lame. 

Pritet pastrimi i administratës
Ai foli edhe për situatën aktuale që mbizotëron në institucionin që drejton. U rikthye në detyrë pas një ndërprerje për shkak të marrëveshjes së 18 majit. “U riktheva në detyrë dhe të them të drejtën nuk është se ka ndonjë gjë të re. Puna në këto momente nuk është me ritmet e mëparshme. Ka një ngadalësim. Kjo për faktin se një pjesë e punonjësve janë larguar me pushime dhe një pjesë tjetër pritet të largohen në shtator, pasi u përfundon kontrata e firmosur në vitin 2013”, deklaroi Lame. Duket se kur flet për përfundim të kontratës, kreu i ALUIZNI-t i referohet pjesës së punonjësve të cilët janë emëruar në detyrë si militantë partie. Nuk dihet se si një punonjës mund të jetë në detyrë më një kontratë katër vjeçare. Por Lame e tha qartë se një pjesë e punonjësve do të largohen nga detyra në shtator, për shkak se u ka përfunduar kontrata e firmosur në vitin 2013 me qeverinë Rama. Aktualisht ky institucion është duke bërë listat e personave që do të lenë detyrën. Ndërkohë që me bashkimin e tre institucioneve, do të duhet të rimerren në detyrë punonjës të tjerë. Kriteret e rimarrjes ende nuk dihen, pavarësisht faktit se kryeministri në portalin e tij është shprehur se do të procedohet sipas parimit të meritës dhe kualifikimit të mëparshëm. ALUIZNI në kryeqytet ka një numër prej 320 punonjësish. Dhe nga këta pritet të largohen një pjesë e mirë. Gjithsesi, Lame është i bindur se puna në këtë institucion me reformimin, do të jetë edhe më efikas. Pritet që tre drejtoritë të bashkohen në një të vetëm, por nuk dihet se si do të mund të organizohen. 
Sigal