Promovohet në Kosovë libri i Kujtim Boriçit e Nuri Çunit, “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”

274
Sigal

/Gazeta TELEGRAF


nga Lorik BAKIJA
Gazetar në RTV-21, Kosovë

U përkujtua 30 vjetori i ringritjes së bektashizmit, 231-vjetori i themelimit të teqes historike të Gjakovës; 6 mujori i ndarjes nga kjo jetë i baba Mumin Lamajt; u prezantua dhe albumi fotografik për Dede Reshat Bardhin

Ditën e martë,  në Gjakovës, me pjesëmarrjen e klerikëve, personaliteteve fetarë e shtetërorë, deputetë, historianë, studiues, shkrimtarë e gazetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia Veriore etj, u promovua libri, “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit” i autorëve Nuri Çuni e Kujtim Boriçi. Ky promovim, ishte pjesë e eventeve të tjera të së njëjtës ditë e në të njëjtin vend: Promovimi i albumit për Dede Reshat Bardhin; përkujtimi i 30 vjetorit  të ringritjes së bektashizmit; 231 vjetori i themelimit të teqesë historike të Gjakovës; 6 mujori i ndarjes nga kjo jetë i baba Mumin Lamajt dhe, përurimin e ekspozitës për historikun e bektashizmit në Kosovë.

“Së shpejti, promovimi i librit “Dede Edmond Brahimajt, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, i autorëve Nuri Çuni e Kujtim Boriçi dhe albumit, fotografik për ish-Kryegjyshin Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhin, do të bëhet dhe në Tetovë të Maqedonisë Veriore.”

DEDE EDMOND BRAHIMAJ

Pas hapjes së aktivitetitm, ndjekjes së himnit kombëtar dhe shfaqjes të një dokumentari të shkurtër, fjala iu dha për të përshëndetur, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili ndër të tjera theksoi: “… Nuk është rastësi që ne sot zhvillojmë një sërë aktivitetesh në teqenë e lashtë të Gjakovës, e cila mbart në vetvete vlera të veçanta fetare të historisë së bektashizmit, vlera kulturore, historike e atdhetare.  Në ditë të tilla gëzimi dhe krenarie të ligjshme, të qenit pranë njëri-tjetrit, më tepër se një traditë e tarikatit tonë, është një thirrje e brendshme për të bashkëndarë çdo emocion, çdo kujtim, çdo histori sakrificash, që na kanë lidhur në udhëtimin tonë të përbashkët në udhën e Hakut. Në këtë kontekst, 10- vjetorin e zgjedhjes sime në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, e konsideroj një event për të gjithë ne, klerikë e besimtarë bektashianë, i cili duke rritur dimensionet e një gëzimi të natyrshëm, na fton në të njëjtën kohë të ndajmë së bashku edhe përgjegjësinë historike që mbajmë mbi supe. Askush nga ne nuk e ka harruar faktin që Qendra Botërore Bektashiane, u vendos në Shqipëri 9 dekada më parë dhe përgjegjësia më e madhe, e imja personalisht, por edhe e krejt vëllezërve të mi klerikë bektashianë, ishte të ecnim në gjurmët e paraardhësve tanë, duke iu përgjigjur kohërave dhe fatit historik. ….

Sot dhe në vitet që do vijnë, vepra e Dede Reshat Bardhit, do të shndritë si një gur i rëndë në godinën madhështore të tarikatit bektashian. Prania e tij shpirtërore, e kudondodhur në teqetë tona, lidhet jo thjesht me fjalët dhe porositë e tij, por me forcën dhe durimin që ai përballoi në 70 vitet e tij dhe sidomos, me frymën shpirtërore me të cilën na bekoi. Eventi i sotëm, në asnjë rrethanë nuk mund të jetë vetëm i imi personalisht. Çdo arritje e jona në këtë dhjetëvjeçar, në çdo aspekt, shpirtëror, ndërtimor, organizativ, etj, është një gëzim i përbashkët, me krejt ata besimtarë brenda dhe jashtë Shqipërie, të cilët kanë qenë dhe mbeten nxënësit dhe mësuesit tanë. Një falënderim i veçantë shkon sot, për vëllezërit e mijë, klerikë bektashianë, këtu në Gjakovë, në gjithë Kosovën, Maqedoninë Veriore, Shqipëri e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me të cilët, së bashku jemi përballur me lloj-lloj sakrificash, por ja kemi dalë. AND-ja e tarikatit tonë është dashuria e Zotit dhe e vëllait që ke në krah, qoftë ky i barkut apo i Hakut, ndaj kemi qenë dhe mbetemi të bashkuar në çdo sprovë, të vetëdijshëm për këtë mision deri në amshim. …Selia e Shenjtë Bektashiane ka një mision të lavdishëm ndonëse tepër të vështirë, por kjo nuk na tremb. Përkundrazi shërben si një lloj thirrje për frymëzime të reja dhe për të përmbushur sa më mirë misionin që na caktoi Zoti dhe koha fizike. Ne do të mbetemi jetë e mot, simbol i urtësisë dhe paqes, në të mirë të besimit që i përkasim dhe vlerave më të vyera të shoqërisë njerëzore..!”

Në vazhdim, myhibi më i vjetër i teqesë së Gjakovës, Brahim Rama, foli për historikun 231 vjeçar të teqesë së Gjakovës, ndërsa pas tij, profesorr Agim Jaha solli kujtimet e tij për personalitetin dhe kontributin e dhënë nga baba Mumin Lama, i ndarë nga jeta gjashtë muaj më parë.

VLERËSIM PËR DY BOTIMET

Profesor Bernard Zotaj, ‘Mjeshtër i Madh’, në fjalën e tij u ndal shkurtimisht, kryesisht në vlerat e dy promovimeve të kësaj dite, albumit fotografik kushtuar dede Reshat Bardhit dhe librit “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”. Ndër të tjera, Profesor Zotaj, theksoi: “… Nuk dua të zgjatem shumë në fjalën time, por dua të përmend shkurt disa nga vlerat që sjellin dy promovimet në këtë aktivitet: Albumi fotografik “Dede Reshat Bardhi” dhe libri “Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, me autorë miqtë e mijë, Kujtim Boriçi e Nuri Çuni. Albumi, për mendimin tim, nuk është thjesht një renditje kronologjike ngjarjesh në foto, për një periudhë 30 vjeçare, që nis pas vitit 1990, kur me ndryshimin e sistemit, u fitua e drejta e besimit fetar, por një dokument historik për një periudhë të rëndësishme në rrugën 800 vjeçare të bektashizmit, ku roli i ish-Kryegjyshit Dede Reshat Bardhi, është parësor. Ndërsa përzgjedhja e fotove dhe profesionalizmi në strukturë e paraqitje, ia shtojnë më shumë vlerat. Ndërsa libri voluminoz “Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, për mua, është vazhdimësi e po asaj rruge, ku Kryegjyshi Botëror aktual, ka drejtuar e vazhdon ta drejtojë Selinë e Shenjtë me përkushtimin e klerikut, intelektualit dhe atdhetarit.  Mendoj se analiza e këtij libri kërkon një studim më të detajuar, por dua të evidentoj faktin se shfrytëzimi profesional i materialit të bollshëm arkivor, struktura e vetë librit dhe materiali në tërësi, shërbejnë dhe si dokument për sot dhe brezat që vijnë, si një bazë informimi për kontributin e bektashizmit e klerikëve të këtij besimi, në Shqipëri e mbarë botën, të cilët në çdo etapë të historisë, ka qenë e mbetet në kahjen e duhur. Së fundi, nisur nga ky aktivitet e të tjerë në vijimësi, dua të prek rolin e padiskutueshëm si fetar e intelektual të Dede Edmond Brahimajt, në drejtimin e Selisë së Shenjtë Bektashiane.  Urime autorëve për këto paraqitje me vlerë! Urime dhe organizatorëve të tij! Faleminderit!”.

LIBRI PËR KRYEGJYSHIN BOTËROR

Studjuesi Ferit Fixha, nga Tirana, ndër të tjera, theksoi: “ Në këtë kohë që kam në dispozicion, më lejoni që të shpreh shkurt disa mendime në këtë event të rëndësishëm, në promovimin e kësaj monografie interesante të autorëve të spikatur në publicistikën shqiptare Kujtim Boriçi e Nuri Çuni, kushtuar Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si pasardhës i denjë i Haxhi Dede Reshat Bardhit, i cili ringriti bektashizmin pas vitit 1990 dhe bërë ringjalljen shpirtërore të bektashianëve në Shqipëri dhe nëpër botë. Si i 39-i udhëheqës i bektashizmit në periudhën 800- vjeçare dhe, i 9-ti Kryegjysh shqiptar, Dede Edmond Brahimaj, që i përket elitës së kësaj udhëheqësie, vjen në këtë botin ku reflektohen njohuritë, përkushtimi, veprat, studimet, fjalimet, mesazhet e tij fetare e atdhetare, të gdhendura në shpirtin dhe memorjen e besimtarëve të këtij besimi të paqtë dhe mbarë njerëzimit. Ai sot njihet si urë lidhëse shpirtërore ndërfetare jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Mjafton të përmendim marshimin e harmonisë të përfaqësuesve të besimeve fetare shqiptare në Paris, si një rast i rrallë, unikal e rrezatues për harmoninë dhe paqen e njerëzimit. Ndaj në bulevardin e Parisit ushtruan thirrjet dashamirëse, emocionuese: “Baba Mondi, Baba Mondi!” Haxhi Dede Edmond Brahimaj mishëron vlerat më të larta të besimit bektashian të 800 milionë besimtarëve në Botë, si posedues i dashurisë së madhe për këtë besim, si vizionar për kohën, si vëllazërues në diversitetin harmonik të besimeve të ndryshme fetare. Manifeston vizion Perëndimor jo vetëm  brenda shoqërisë shqiptare, por edhe në atë ndërkombëtare, ndaj është bërë shpesh pjesëtar i podiumeve e takimeve ndërkombëtare, i konferencave ndërfetare dhe është vlerësuar me çmime prestigjoze. …Sipas Naim Frashërit, rilindasit të shquar shqiptar dhe poetit të madh kombëtar, që shkroi “Fletorja e bektashinjve” dhe “Qerbelaja”, që ndërtoi simbiozën kulturore, fetare dhe atdhetare, duke i dhënë fizionominë atdhetarizmit shqiptar: “… Në ke shpirtmirësinë/ Ta dish që ke Perëndinë”. … Robert Elsie, shkruan: “Pa bektashinjtë, Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot”.

Në hartimin e kësaj monografie plot vlera, autorët kanë shfrytëzuar dokumente arkivore, dëshmi mediatike, pamje filmike, albume origjinale fotografish. I kanë pasqyruar në libër, bukur estetikisht, strukturuar me profesionalizëm, shprehur me ndjenjë e nivel artistik. Në ‘të, vijnë natyrshëm të gërshetuar e të pandarë, roli i pazëvendësueshëm dhe kontributi i çmuar i Dede Reshat Bardhit në ringritjen e bektashizmit, hedhjen e hapave dhe punën që bën Dede Edmond Brahimaj për konsolidimin e çuarjen përpara të kësaj tradite të vyer. Në faqet e këtij libri evidentohet e vërteta historike e aktivitete me vlera të bektashizmit në ditët e sotme, që padyshim, do të shërbejnë në edukimin e formimin e brezave të sotëm e të ardhshëm. Nuk është monografi e një protagonisti, por një monografi e hapur për mistikën, humanizmin e spiritualizmin e këtij besimi fetar, bashkëkohor e demokratik, frymëzuar nga udhëheqësit e tij fetarë të 800 vjetëve, me devizën, thënien lapidare të profetit Muhamed (aleqym selam): “Pa atdhe nuk ka fe”. Mendoj se nuk jam emocional kur shprehem se ky libër është një ndër perlat e kolonës së botuar në shqip deri më sot në këtë fushë, i cili qëndron dinjitoz krahë librave “Bektashinjtë shqiptarë” të Robert Elsie, “Mistiçizma Islame dheBektashizma” të Baba Rexhepit e ndonjë tjetri. Urime Kryegjyshit Botëror në misionin e tij fisnik! Urime dhe dy autorëve, Nuri Çuni e Kujtim Boriçi për këtë libër me vlera të veçanta!”

“Libri i Boriçit e Çunit, nuk është monografi e një protagonisti, por një monografi e hapur për mistikën, humanizmin e spiritualizmin e këtij besimi fetar, bashkëkohor e demokratik, frymëzuar nga udhëheqësit e tij fetarë të 800 vjetëve, me devizën, thënien lapidare të profetit Muhamed “Pa atdhe nuk ka fe”. Mendoj se nuk jam emocional kur shprehem se ky libër është një ndër perlat e kolanës së botuar në shqip deri më sot në këtë fushë, i cili qëndron dinjitoz krahë librave “Bektashinjtë shqiptarë” të Robert Elsie, “Mistiçizma Islame dheBektashizma” të Baba Rexhepit e ndonjë tjetri”

DISKUTANTË TË TJERË

Folën në vijimësi klerikët bektashinj nga Maqedonia e Veriut e nga Kosova, profesor  Zaho Golemi nga Shqipëria; Dr. Arben Sulejmani nga Maqedonia e Veriut; Ruzhdi Sefa, Kryetar i Shoqatës “Jakova” në Gjakovë; Saranda Hyseni, drejtoreshë për kulturën në Komunën e Gjakovës; studiuesi Parim Kosova, Drejtor i Muzeut të “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; kineasti i njohur Kreshnik Harshova nga Shqipëria etj… Vlerësime për aktivitetin bënë dhe deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Jahja Koka dhe Teuta Haxhi. Me mjaft interes u ndoq nga të pranishmit, një ekspozitë profesionale me 30 stenda të vendosura në hapësirat e teqesë, lidhur historikun e bektashizmit në Kosovë, përgatitur nga Nuri Çuni. Pjesë e këtij aktiviteti, ishte dhe dhënia e disa certifikatave mirënjohje, nga Dede Edmond Brahimaj, për disa klerikë dhe intelektualë që kontribuan në ideimin e  përgatitiej e eventit dhe mbështetjen që ata i japin në vijimësi bektashizmit. E veçanta e këtij aktiviteti ishte jo vetëm pjesmarrja, por dhe hapësirat e konsiderueshme të pasqyrimit të tij në medien e shkruara, radiot e televizionet, në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. Njëkohësisht, klerikë, autorët e librit dhe profesorë të pranishëm në këtë event, u intervistuan nga radio e televizione të shumtë që përcollën aktivitetin.

Së shpejti, promovimi i librit kushtuar Dede Edmond Brahimajt dhe albumit fotografik për Dede Reshat Bardhin, do të bëhet dhe në Tetovë të Maqedonisë Veriore.