Promovohet libri “Xhamitë e Shqipërisë” nga Aleksandër Meksi në gjuhën turke

301
Sigal

Mesditën e djeshme është promovuar libri “Xhamitë e Shqipërisë” i përkthyer në turqisht i ish-kryeministrit dhe profesor i shkencave, Aleksandër Meksi.Ceremonia u zhvillua në ambientet e Pallatit të Kongreseve në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili po mbahet pas një periudhe të vështirë prej pandemisë.

Në ceremoni ishin të pranishëm personalitete të jetës akademike dhe politike të Tiranës dhe Ankarasë, të cilët morën fjalën për të përshëndetur punën e rëndësishme të profesor Meksit dhe rëndësinë që përkthimi në turqisht ka për kulturën dhe historinë e të dy vendeve mikeve, Turqisë dhe Shqipërisë.Fjalën hapëse e pati drejtuesja e Panairit dhe njëkohësisht, CEO e Klik Ekspo Group, Elona Agolli, e cila vlerësoi kontributin e profesor Meksit me veprën e tij historike e kulturore.“Ju falenderoj përzemërsisht që më bëtë pjesë të këtij eventi. Është gjithmonë kënaqësi të flasësh për libra dhe për botimet e reja, sidomos për përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhën e një kombi tjetër”, u shpreh Agolli.

“Është vlerësim, sepse shkëmbimet kulturore kanë rrënjë më të thella në personalitetin njerëzor sesa shkëmbimet tregtare apo të biznesit”, shtoi ajo.

“Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është prej dekadash pritës i ngjarjeve kulturore, siç është promovimi i këtij libri me autor profesor Aleksandër Meksi, i përkthyer së fundmi në gjuhën turke. Urojmë që faktet historike dhe kulturore mbi xhamitë e Shqipërisë të dokumentuara në libër si të dhëna arkitekturore, me vlera historike e kulturore si një simbol i një bashkëjetese të hershme mes kombesh dhe besimit islam në Shqipëri të ngjallin interes përmes librit për lexuesin elitar”, tha Agolli.

Profesor Aleksandër Meksi mbajti një ligjërim të shkurtër mbi librin që do të jetë një vlerë e shtuar në shkëmbimet kulturore të dy kombeve.

“Botimi i një libri në një gjuhë tjetër, është jo vetëm një sukses për autorin, por edhe për vendin, i cili bën botimin. Të jep mundësinë të njohësh e të lidhesh mirë me kulturën që ka lidhje të jashtëzakonshme me kulturën e një vendi tjetër, siç është Republika e Turqisë”, u shpreh Meksi.

“Unë e kam nisur këtë angazhim para 60 vitesh, pra më ka dhënë mundësinë të shoh monumente, të cilat u prishën pas vitit të mbrapshtë të 1967 për fatin e keq të kulturës shqiptare. Patëm fatin që një pjesë të mirë të tyre t’i përfshinim në libër dhe t’i dokumentonim si dëshmi të arkitekturës. Sepse ndër to ka pasur monumente të shekullit XV si në Përmet, të cilat u shembën apo si Xhamia e Karafilit, në Tiranë, e cila u prish për t’u ndërtuar Bashkia e Vjetër. Pra, ne jemi munduar t’i përfshijmë të gjitha në libër që të gjithë studiuesit, dhe lexuesit të jenë të informuar mbi këtë trashëgimi”, – tregoi ish-kryeministri shqiptar.Meksi theksoi se “”Xhamitë e Shqipërisë” është një dritare e hapur edhe për lexuesin turk për t’u njohur më shumë me kulturën e historinë osmane/turke në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por ai shtoi se Zyra e Vakteve, në varësi të Kryeministrisë ka të gjitha lejet e ndërtimit të xhamive, çka mund të vlejë për studiuesit e tjerë për t’u thelluar”.

Përkthimin e kësaj vepre e përshëndeti edhe zv.presidenti i Dhomës së Tregtisë së Stambollit, Israfil Kurulay dhe ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük.“Jam me të vërtetë i lumtur që ndodhem mes jush në këtë ceremoni, – u shpreh Kurulay. – Ndonëse marrëdhëniet ekonomike i bëjnë bashkë dy vende, kultura i dallon ato. Edhe sot, ne po përjetojmë gëzim dhe emocionet që i marrim fale urave tona kulturore. Ka shumë mënyra për të forcuar marrëdhëniet kulturore dhe historike mes dy vendeve… një prej tyre është edhe restaurimi i objekteve historike e arkitekturore. Libri ‘Xhamitë e Shqipërisë’ është shumë i rëndësishëm dhe shumë i vlefshëm për historinë e dy vendeve. Si Dhomë Ekonomike e Stambollit jemi shumë të lumtur për botimin e këtij libri, që do të forcojë më shumë marrëdhënien e dy vendeve.”

Yurulay u shpreh se, në momentin e vizitës në Ambasadën turke në vendin tonë, kur është vënë në kontakt me librin e profesor Meksit ka shprehur dëshirën e menjëhershme për ta përkthyer këtë libër në turqisht, por zhvillimet politike, ekonomike e sociale e shtynë deri në muajt që jemi aktualisht.

Në fjalën e tij, Murat Ahmet Yoruk u shpreh se libri “Xhamitë e Shqipërisë” nga Meksi nuk do të jetë i vetmi apo investimi i fundit turk në lidhjet kulturore mes dy vendeve.

“Kjo nuk do të jetë ‘ura’ e vetme që do të forcohet mes dy vendeve. Ne jemi aktualisht në proces financimi për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, të cilën e shpëtuam nga përmbytjet. Dhe mezi presim që ky proces të përfundojë e jemi shumë entuziastë për këtë”, – u shpreh Yoruk.

Përfaqësuesit turq në këtë ceremoni vlerësuan investimin kulturor që ky Panair Ndërkombëtar po bën për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe jo vetëm mes Shqipërisë dhe Turqisë.