Prokuroria vërteton denoncimin e “Telegraf”, për krimin 2.2 milionë euro të “Omega Pharma” me recetat false

579
Prokuroria e Tiranës konfirmoi dje zyrtarisht, faktin që ka denoncuar publikisht gazeta “Telegraf” qysh në datën 28 korrik 2015, ose më saktë qysh 3 muaj përpara se bosi i firmës “Omega Pharma” N. Causholli dhe grupi i tij me vartës e bashkëpunëtorë në veprimtari përfitimi të paligjshëm, të arrestoheshin si “kupola e krimit financiar me recetat fiktive të rimbursimit të Insulinës dhe një liste të gjatë ilaçesh të shtrenjta”. Kujtojmë, se në datën 3 nëntor 2015 gazeta “Telegraf” ka denoncuar faktin, që Ministria e Shëndetësisë vazhdonte të lejonte pjesëmarrjen e firmës “Omega Pharma” në tenderë ilaçesh e insuline, ndërkohë që pronari dhe shefat e kësaj firme ishin prangosur e mbaheshin në paraburgim (ende mbahen) pikërisht për receta ilaçesh false, me abuzim në vlerën 2.2 milionë euro vjedhje, të konfirmuar dje edhe nga vendimi zyrtar i Prokurorisë së Tiranës, depozituar për gjykim në Gjykatën e Tiranës, duke shpallur të akuzuar jo vetëm “bosin” Causholli të “Omega Farma” dhe ekipin e tij të përfshirë në krimin për të cilin janë prangosur, akuzuar e çuar për gjykim, por edhe subjektin (firmën) “Omega Farma” si “laborator” të këtij krimi! Të njëjtin denoncim, gazeta “Telegraf” e ka bërë edhe në datën 5 nëntor 2015, lidhur me faktin që Ministria e Shëndetësisë vazhdonte të shpallte firmën “Omega Farma” fituese në tenderë ilaçesh e Insuline! Këtë denoncim, gazeta “Telegraf” e ka bërë edhe në datën 15 mars 2016, duke publikuar skandalin shtetëror me këtë titull: “Omega Farma” që ka bosin në burg dhe fiton nga 10 tenderë ilaçesh në muaj, dekorohet nga “Rilindja” dhe kapet me 400 milionë lekë ilaçe kontrabandë”! Këto denoncime të bëra prej “Telegraf”, qysh 3 muaj përpara 31 dhjetorit 2015 kur bosi i firmës “Omega Pharma” dhe “çeta” e tij u prangosën në flagrancë për skemën kriminale financiare të rimbursimit fiktiv që bënin me recetat e ilaçeve e kryesisht të Insulinës, që nga importi dhe shpërndarja e tyre në tregun e brendshëm farmaceutik. Gazeta “Telegraf”, po rihap sot dhe do të vazhdoj trajtimin e “dosjes” së krimit të zbuluar 2.2 milionë euro (deri tani) që firma “Omega Pharma” ka bërë me vetëm dy prej ilaçeve si “Insulinë” dhe “Ketosteril”, pasi në hetim është edhe përfshirja në rimbursim në mënyrë të paligjshme dhe e afro 140 llojeve të tjera barnash. Do të publikojmë, skandalet e pazareve të bërë me bosët e Ministrisë së Shëndetësisë me çmimet dhe referencat e barnave, të vazhdimit të dhënies së tenderëve edhe pas prangosjes së bosit të saj, të kontrabandës së ilaçeve 400 milionë lekë të kapur në doganë, si dhe do të publikojmë investigimin e plotë që kemi kryer, lidhur me krimin shtetëror që ka bërë Ministria e Shëndetësisë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), Spitali i Traumës (Ushtarak), Qendra Spitalore “Nënë Tereza”, spitalet rajonale psikiatrike, Drejtoritë Rajnale të Shëndetësisë dhe spitalet rajonale, duke e trajtuar këtë firmë si “lavatriçe” dhe kliente të preferuar të afro 70% të tenderëve e blerjeve direkt, deri edhe barna ilegale e të skaduar të shitur me etiketa false e çmime të korrigjuara, si dhe do të publikohet gjithë “rrjeta” dhe rrjeti me të cilën ka funksionuar kjo firmë me importet dhe depot farmaceutike brenda vendit, para dhe pasi 31 tetorit 2015 kur u kap me “presh në duar” për 2.2 milionë euro rimbursim fiktiv ilaçesh me receta fallco. 
Deklarata zyrtare e prokurorisë/ Bosi dhe stafi i “Omega Pharma”, 2.2 milionë euro vjedhje me receta fiktive
“Në bazë të veprimeve procedurale, Prokuroria e Tiranës ka krijuar bindjen e bazuar në prova se Nadir Çausholli, në cilësinë e administratorit të kompanisë farmaceutike si edhe punonjëset e kësaj shoqërie Arjola Piperaj, Laureta Kushova dhe Blerina Qatja, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrimit”. Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimeve, ka urdhëruar edhe ekspertizën e specializuar, nga e cila është arritur në përfundimin se, nga kjo skemë mashtruese, vlera e dëmit ekonomik ndaj shtetit për periudhën Janar 2013-Tetor 2015, arrin në rreth 2.2 milionë euro. Kjo shifër është për skemën e dyshuar mashtruese vetëm për dy lloje ilaçesh (Insulinë dhe Ketosteril), pasi në hetim është edhe përfshirja në rimbursim në mënyrë të paligjshme e disa llojeve të tjera barnash. Sipas hetimit të Prokurorisë Tiranë, rezulton se “Omega Pharma” ka shpërndarë receta të falsifikuara tek farmaci të ndryshme dhe këto të fundit i kanë paraqitur recetat për rimbursim tek Fondi Rajonal i Kujdesit Shëndetësor Tiranë, duke tërhequr në total shumën e sipërcituar për dy llojet e ilaçeve. Skema mashtruese me rimbursimin e ilaçeve, e njohur ndryshe edhe si “Omega”, është pjesa e dytë e një hetimit të gjerë, të nisur nga Prokuroria e Tiranës lidhur me faturat fiktive të barnave…”. 
Sigal