Prokuroria e Tiranës zbulon skemën mashtruese me vlerë rreth 1 milionë dollarë, burg për 3 biznesmenët e kromit

450
Sigal

Një hetim i Prokurorisë
së Tiranës dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor ka zbuluar një skemë mashtruese
financiare në fushën e kromit, me një vlerë rreth 1 milion dollarë, për të
cilën është vendosur nga gjykata masa e arrestit në burg për shtetasit Sokol Nasufi,
Mehmet dhe Rexhep Dauti. Vendimet e gjykatës ndaj këtyre personave janë
ekzekutuar pasditen e së Enjtes nga ana e forcave të policisë.

Këta tre persona, në
bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë plotësuar fatura fiktive shit-blerjeje të
lëndës minerare, në bazë të të cilave kanë përfituar rimbursimin abuziv në
vitin 2013.

Nga hetimi i Prokurorisë
së Tiranës, Njësia Task-Force, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor,
ka rezultuar se:

Sokol Nasufi, në
cilësinë e administratorit të kompanive “Eurospeed Transh Chrom” sh.p.k dhe
“Euro Trade Minerals Group” sh.p.k., ka bashkëpunuar me subjektin “Elidon 6”,
nën administrimin e vëllezërve Mehmet dhe Rexhep Dauti, në aktivitetin e
shit-blerjes së kromit.

Ndërmjet dy palëve në
marrëveshje tregtare, pra kompanive të Nasufit nga njëra anë dhe kompanisë së
vëllezërve Dauti nga ana tjetër, ka pasur një mosmarrëveshje civile, për
pagesën e munguar të 6 faturave, në  vitin 2013. Nga ky proces civil, kanë
rezultuar të dhëna shtesë, të cilat i kanë ardhur në ndihmë hetimit, pasi ka
rezultuar e provuar se kompanitë kanë përdorur fatura fiktive.

Në bazë të të dhënave
hetimore, rezulton se sasia e kromit e shënuar në faturat e shitjes të
subjektit Elidon 06, është një sasi kromi e vjedhur ( e grumbulluar në mënyrë
të kundraligjshme)  nga dy subjektet tregtare“Eurospeed Transh Chrom”
sh.p.k dhe “Euro Trade Minerals Group” sh.p.k.. Ndërsa subjekti  “Elidon
06” është përdorur  për të bërë dokumentimin e mallit krom, duke qenë se
ka liçensë minerare dhe është subjekt që ushtron aktivitet në këtë fushë për
lëshimin e faturës së shitjes.

Pasi
ka kryer këto veprime, shtetasi Mehmet Dauti, ka prishur bashkëpunim me
shtetasin Sokol Nasufi dhe, në kushtet kur shoqëria e tij, për shkak të
veprimeve të paligjshme është ngarkuar me vlera të larta detyrimi, ai ka
paraqitur kallëzim penal kundër Nasufit. Gjithashtu, Mehmet Dauti i është
drejtuar civilisht edhe gjykatës, ku ka kërkuar arkëtimin e faturave fiktive.
Kjo lëvizje dyshohet se është një manovër për të shmangur përgjegjësinë penale,
si dhe detyrimet tatimore.

Në mënyrë të
përmbledhur, gjetjet e deritanishme nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës, janë:

– Rezulton se subjekti
“Elidon 06”,  në periudhën tatimore Maj, Qershor, Korrik dhe Gusht të
vitit 2013 ka kryer blerje të shumta nga subjekte të ndryshëm tregtarë,
kryesisht blerje të cilat nuk i kanë shërbyer aktivitetit. Këto mallra që sipas
faturave janë bërë blerje nga ky subjekt, nga ana e kontrollit tatimor nuk i
janë gjetur gjëndje dhe për këtë arsye nga grupi i kontrollit i janë bërë
shitje, duke i nxjerrë detyrime tatimore në vlera të larta për këtë subjekt.

– Kjo periudhë përkon me
periudhën të cilën ky subjekt ka realizuar shitje për dy subjektet “Eurospeed
Trans Chrom” dhe “ Euro Trade Minerals”.

– Ka blerje nga subjekte
të rretheve të ndryshme, ndërkohë që subjekt e ka selinë në Tiranë, por
realisht e ushtron aktivitetin në Has. Këto blerje janë kryesisht me vlera
300,000 lekë, për të cilat sipas ligjit të kohës, lejohej shitja me para në
dorë, por disa nga subjektet nuk e kanë pranuar që kanë shitur;

– Nga verfikimi i
situatave financiare të deklaruara në tatime, të subjekteve  “Eurospeed
Trans Chrom”, “Euro Trade Minerals” dhe “Elidon 06”, rezulton se këto subjekte
i kanë deklaruar në tatime 6 faturat objekt hetimi, si në librat e blerjes dhe
shitjes, në FDP-të dhe të përfshira në bilancet e tyre.

– Si rezulat e veprimeve të kryera, shtetasit dhe subjektet 
nën hetim, rezultojnë detyrime të papaguara nga shoqëria “ Elidon 06” në vlerën 92.346.977 lek

Në vijim të hetimeve të
kryera, Prokuroria e Tiranës kërkoi nga gjykata caktimin e masës së sigurisë
“arrest në burg” për Sokol Nasufi, si edhe për Mehmet dhe Rexhep Dauti, të
dyshuar për veprat penale të “Krijimit të i skemave mashtruese lidhur me
tatimin mbi vlerën e shtuar”,  dhe “Falsifikimit të dokumentave” të kryer
në bashkëpunim.

Prokuroria e Tiranës ka
krijuar dyshime të arsyeshme se skema mashtruese në fushën e kromit është më e
gjerë dhe për këtë arsye po vijojnë hetimet.