Projekti i Rimëkëmbjes Energjetike me pullë të kuqe

503
Sigal

Fondi Monetar Ndërkombëtar: “Ngecje” e reformës dhe mungesë e transparencës së qeverisë shqiptare

Banka Botërore vlerësoi progresin drejt realizimit të objektivave të reformës energjetike si “relativisht të pakënaqshme”, pasi reduktimi i humbjeve ka ngecur dhe disa projekte të mëdha investimesh janë vonuar. Banka Botërore vlerësoi ecurinë e projektit të Rimëkëmbjes Energjetike si “relativisht të pakënaqshëm” duke vendosur shenjën e kuqe në vlerësimin e fundit të kryer në dhjetor 2018, për shkak se reduktimi i humbjeve në rrjet është shumë larg objektivit fillestar ndërsa disa investime të rëndësishme janë vonuar në zbatim. Ky është raporti i dytë radhazi i BBC që vlerëson negativisht ecurinë e projektit që parashikon borxhe me vlerë 150 milionë euro dhe që është edhe projekti i disattë i BBC në këtë sektor që përfundon me “rezultate të pakënaqshme”. “Komponenti më i madh “Përmirësimi i Infrastrukturës së Shpërndarjes” vijon të përjetojë vonesa në zbatim dhe nuk do të realizojë objektivat e caktuara deri në nëntor 2019, data e mbylljes së projektit,” shkroi BBC në vlerësimin e fundit. “Për rrjedhojë, progresi në zbatim vijon të vlerësohet si relativisht i pakënaqshëm. OSHEE ka nevojë të trajtojë problemet në zbatim, veçanërisht në punimet e instalimit të pajisjeve të blera dhe që aktualisht janë në magazinë si dhe në plotësimin e sistemit të ri të faturimit sa më parë të jetë e mundur,” vijon më tej BBC. Programi i Rimëkëmbjes Energjetike parashikonte kryerjen e investimeve në përmirësimin e infrastrukturës si dhe luftimin e vjedhjeve me synimin e reduktimit të humbjeve në 14% të totalit të energjisë së hedhur në rrjet deri në fund të këtij viti. Afro 11 muaj nga afati i përcaktuar, humbjet vlerësohen nga BBC në masën 26% sipas të dhënave të datës 14 dhjetor 2018, dhe e pandryshuar nga maji 2018. Në fakt, reduktimi i humbjeve jo vetëm që nuk ka reflektuar planin fillestar, por duket se ka ngecur që nga vera e vitit 2017. Shqipëria hedh në rrjet afërsisht 7 miliardë KWH në vit ndërsa çdo 1% humbje është e barasvlershme me miliona euro kosto shtesë që përballohen nga konsumatorët shqiptarë. Në një raport të vitit të kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu shqetësimet mbi atë që e quajti “ngecje” të reformës si dhe u ankua për mungesën e transparencës së qeverisë dhe një pjese të kompanive publike të sektorit mbi gjendjen e tyre financiare. Nga Gjergj Erebara