PROFIL/ “Gatja i Lazaratit”! Kush ishte “BOSSI” i hashashit që vdiq pranë familjes

292
Sigal

GJIROKASTËR – Një personazh shumë i njohur për policinë ka ndërruar jetë sot, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Bëhet fjalë për Razip Mahmutajn, i njohur ndryshe si “Gatja i Lazaratit”.

I etiketuar nga policia si “koka” i grupit të Lazaratit, mësohet se Gate Mahmutaj ka ndërruar jetë në shtëpi, edhe pse rezultonte i dënuar me 12 vjet burg.

Ai  vuante nga një sëmundje e rëndë dhe vetëm një javë më parë ishte nxjerrë nga qelia duke u dërguar pranë familjes për të kaluar ditët e fundit.

Po kush ishte Gate Mahmutaj?

Razip Mahmutaj u arrestua nga forcat RENEA ne aksionin antikanbis në Lazarat në qershorin e 2014.

Pas një beteje treditore me artileri dhe snajpera, pas shumë ultimatumesh dhe thirrjesh, ai u bind të dorëzohej, ndërsa Ministria e Brendshme e konsideronte si “kokën” e kartelit të drogës dhe rezistencës së armatosur.

Ai u arrestua së bashku me djalin e tij Vandam Mahmutaj dhe në atë kohë ai u konsiderua si kreu i grupit që kundërshtoi me armë operacionin e policisë për asgjësimin e kanabisit pas dy dekadave në fshatin rebel të trafikantëve.

Gjatë aksionit në Lazarat, mbeti i vrarë edhe një efektivi policie.

Por veprimtaria kriminale e Mahmutaj nis edhe më herët.

Razip Mahmutaj, datëlindja 1968, lindur dhe banues në Lazarat të Gjirokastrës, është autor edhe i plagosjes me armë zjarri të një punonjësi policie në datën 17. 05. 2000 në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur kthesa e Lazaratit.

Ndërsa në 20 gusht të vitit 2004 Razip Mahmutaj hap breshëri mitralozi ndaj helikopterit të Interforcës Italiane që monitoronte me pajisje të specializuara, filmime dhe fotografime apo skanime të territorit të Lazaratit për drogë.