Në Bankën e Shqipërisë është zhvilluar ceremonia e promovimit të librit “Institucionet e Bretton Woods-it dhe Shqipëria”, me autor Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli.
Profesor Niko Pano u Shpreh se : Akademiku Anastas Angjeli i mbështetur në studime analitike dhe në jetësime personale, ka ndërtuar një punim teoriko-letrar me interes të gjerë historik dhe shkencor. Pas këtij libri fshihet një kërkim medikoloz i literaturës së kësaj fushe, por dhe përjetime personale në kontakte, programe dhe inisiativa që autori ka patur për shkak të pozicioneve politike në Qeverinë Shqiptare me këto organizata.
Ky libër i drejtohet edhe një lexuesi kurioz që do të njohë Sistemin Monetar Ndërkombetar, por edhe një ekonomisti, që do të kuptojë mekanizmat e funksionimit të tij. Është një punim që pasqyron një studim analitik, historik, politik dhe ekonomiko-financiar që ka analizuar ndryshimet më të mëdha të të gjitha kohërave që pësojë ekonomia pas Luftës së Dytë Botërore.
Një ndër arritjet kryesore të punimit është integrimi kohor i rrjedhës historike të ngjarjeve me analizën ekonomike të asaj epoke historike. Pikërisht në analizën ekonomike ku autori integron shumë bukur elementët e teorisë ekonomike dhe instrumentat e politikës ekonomike që institucionet e themeluara në Bretton Ëoods realizuan për 80 vite jetë. Në këtë këndvështrim mund të themi se ai është lehtësisht i kuptueshëm për lexuesin e thjeshtë, por njëkohësisht shumë informues për ekonomistët apo studentët që mësojnë këtë disiplinë. Notat dhe përjetimet personale të autorit si në takimet me personalitetet drejtuese të këtyre institucioneve, i japin një vlerë letrare interesante lexuesit, që këkon të njihet për raportet reale që krijohen midis shteteve dhe këtyre institucioneve ndërkombëtare. Jo më kot analizohet në një kapitull të veçantë marrdhëniet e Shqipërisë me këto institucione.
Libri ndërtohet në 5 kapituj, 3 për institucione të krijuara ose ideuara në Bretton Ëoods dhe një është krijuar shumë më vonë, pikërisht për tju kundërvënë tre të parave. Kjo falë ndryshimeve që tregu botëror pësoi pas viteve 2000 dhe rolit gjithnjë e më të madh të të ashtuquajturave vende në zhvillim, që sollën ndryshime të mëdha në raportin e forcave në Ekonominë Botërore. Mbyllet me marrdhëniet e Shqipërisë me këto institucione.
Për mua si lexues i thjeshtë ky libër më dha kënaqësinë e njohjes historike të fenomeneve ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në hollësitë e ngjarjeve dhe diskutimeve politike ndërkombëtare, ndërsa si ekonomist më shtoi dijet në fushën e historisë se doktrinave ekonomike dhe mbi të gjitha, më njohu më analitikisht me mekanizmat e politikave ekonomike në momente të caktuara krizash. Kuptova që jo vetëm historikisht por edhe ekonomikisht “historia përsëritet” dhe ciklet ekonomike pavarësisht se mund të jenë të ndryshme kanë në thelb të njëjtët faktorë dhe zakonisht pavarësisht nga forma, të njëjtat mekanizma për përballimin e tyre.
Nuk do të përpiqem që të bëj një përshkrim të strukturës dhe përmbajtjes së këtij punimi, por në ndihmë të lexuesit do të mundohem të analizoj formën orgjinale se si atuori analizon konceptet bazë ekonomike si: inflacioni, varfëria dhe zhvillimi i qëndrushëm në këtë punim. Janë koncepte bazë të gjuhës së përditshme të të gjithë lexuesve, por kur lidhen me institucionet që mundohen ti eliminojnë ato, marrin në imagjinatën e lexuesit si vlera reale, ashtu dhe praktike.
Le të fillojmë nga inflacioni që ndikon në pasurinë tonë vetiake dhe jo vetëm financiare. FMN-ja është institucioni më klasik ndërkombëtar që synon ta frenojë atë, por në dimensionin komunikues, letrar dhe artistik të analizës, rrallë lexuesi kupton nëse ai është një fenomen i rritjes së çmimeve apo i rënies së vlerës së parasë. Është një debat interesant që e kupton dalëngadalë gjatë leximit të këtij libri.
Duke marrë frymëzim nga koncepti i inflacionit në një kuptim ekonomik, libri heton efektet e tij në mirëqenien tonë. A është e mundur që bollëku të pengojë dhe jo të favorizojë plotësimin e nevojave njerëzore? A është ky një problem individual apo kolektiv? Këto pyetje, të zhytura në rolin aktual të konsumit shoqëror, teknologjisë dhe aksesit të menjëhershëm ndaj gjithçkaje që dëshirojmë, gjejnë përgjigje në faqet e këtij libri, nëpërmjet historisë së institucioneve dhe mendimit ekonomik në faza të ndryshme të zhvillimit të tij.
Le të vijmë tek çështja tjetër që analizohet në të gjithë kapitujt e këtij punimi: çfarë nënkuptohet me varfëri që është koncept direk i varur nga funksioni i Bankës Botërore. Nëse do ti drejtoheshin librave të shkollës, varfëria mund të përkufizohet si një gjendje njerëzore e karakterizuar nga privimi i vazhdueshëm dhe kronik i burimeve, aftësive, zgjedhjeve, sigurisë dhe fuqisë së nevojshme për të gëzuar një standard adekuat jetese. Nuk duhet të harrojmë këtu edhe të drejta të tjera civile, kulturore, politike dhe sociale. Në libër nuk trajtohet vetëm varfëria, por autori ndalet analitikisht tek koncepti i “varfërisë ekstreme”. Çfarë nënkuptohet me konceptin e “varfërise ekstreme”? Autori e lidh konceptin e “varfërisë ekstreme” me mungesën e burimeve të mjaftueshme për të siguruar nevojat themelore të jetesës, duke përfshirë ujin e pijshëm të sigurt, ushqimin, strehimin dhe shërbimet shëndetësore. Nuk është e lehtë të jepet një përkufizim i saktë i varfërisë, pasi duhet të merren parasysh faktorë të ndryshëm, por autori analizon të gjitha konceptet që lidhen direkt apo indirekt me këtë fenomen. Do të ndalem vetëm në tre, se të tjerat lexuesi do ti gjejë në brendësi të këtij studimit. Ato janë:
Të ardhura: një person është i varfër nëse të ardhurat e tij janë nën pragun e varfërisë së vendit ku ai banon, të llogaritura në disponueshmërinë ekonomike për të blerë gjërat e nevojshme.
Nevojat themelore: kjo përfshin edhe nevojën e një popullsie për të pasur struktura dhe shërbime bazë sociale të afta për të parandaluar varfërinë.
Mundësitë: varfëria, përveç disponueshmërisë ekonomike, ka të bëjë me mundësinë e ushtrimit të disa të drejtave, si për shembull, aftësia për të pasur ushqim me vlera ushqyese, strehim të sigurt dhe të pastër, arsim adekuat etj. Lidhja midis varfërisë dhe të drejtave të njeriut është shumë e fortë dhe në këtë studim trajtohet në mënyre orgjinale jashtë skemave klasike të një politike arkaike të shekullit të kaluar. Lidhja që autori i bën “varfërisë ekstreme” me mungesën e barazmundësisë në veprimet është shumë orgjinale dhe vlen të lexohet me kujdes.
Së fundi koncepti i zhvillimit të qëndrushëm si element kryesor i globalizimit në një botë kontradiktore, të polarizuar dhe mbi të gjitha konfliktuale. OBT-ja e pasqyron më së miri këtë proces me të gjitha kontradiktat e tij. Më pëlqen shumë percaktimi që autori i jep zhvillimit të qëndrushëm dhe do ta përmbledh këtë koncept shkurtimisht dhe në mënyrë që ti shtoj kuriozitetin lexuesit të këtij punimi. Në thelb autori na tregon se zhvillimi i qëndrueshëm do të thotë të mësosh të jetosh brenda kufijve të vetëm të një planeti, në mënyrë të drejtë dhe dinjitoze për të gjithë, pa shfrytëzuar deri në pikën e varfërimit sistemet natyrore, nga të cilat ne nxjerrim burimet dhe pa e tejkaluar kapacitetin e tyre për të thithur mbetje dhe mbeturina të krijuara nga aktivitetet tona.
Personalisht mendoj se ky libër, është një punim që i mungon në shqip si literaturës historike, ashtu dhe asaj ekonomike të deritanishme dhe që jep një kontribut të vlefshëm në pasurimin e saj.