Prof. Zija Vukaj: Është punuar në mënyrë sistematike për të përdhosur figurën e mësuesit

119
Sigal

Por një nga gjetjet më gjeniale të inxhinjerisë destruktive me objekt mësuesin dhe shkollën është dy-orëshi. Kur iu ofrua sistemit arsimor ky masakrim pedagogjik, qindra servilë e përqafuan, e propaganduan dhe e lançuan, siç i lançonin dikur militantët të gjitha gjepurat dëmsjellëse të sistemit totalitar. Pati mësues me doktoratura demokracie, akraballëk pushtetarësh, që në dalldinë e devocionit nepotik, nxorën këngë dhe shfaqën melodrama me spektatorë nxënësit dhe trupën e mjerë pedagogjike të shkollës, ku moralizonin dobinë e lehtësimit të çantës nga librat. Pra, shpina të ndihej mirë, paçka se truri duhej të zbrazej.

Nëse këta rreshta do të rastisë t’i lexojë ndonjë mik imi me profesion mësues, dua të më kuptojë. Natyrisht të mos reagojë as me një ‘like’, se rrezikon vendin e punës, por me vete të kundërshtojë apo aprovojë në heshtje.

– Meqë më së shumti shkollat sot janë azile, niveli kulturor është tepër i ulët.

– Meqë niveli është i tillë, padurimi i nxënësve për të qëndruar nën praninë e një rojtari për 90 minuta është përvëlues.

– Meqë temat mësimore në dy orë konsekutive janë parashikuar të japin informacion të ri, çdo gjë mbetet e papërtypur.

– Meqë në klasat e larta të gjimnazeve nxënësit kanë interesa zero për librin, por energji të llahtarshme dhe hiperaktivitet reaktiv, mësuesi, i trysnuar prej gjithkujt, kthehet në një qenie mjerane, e sulmuar nga të gjitha anët, madje edhe nga stopi dhe fiksi.

I dashur koleg bashkëvuajtës, a të ka shkuar nèpër mend të mendosh se sa mijëra neurone të ngordhin brenda një ore në një klasë ku ti ke rolin e një polici, por që të mungojnë të gjitha mjetet e policit, duke filluar nga statura, uniforma dhe çdo gjë tjetër? Mbi të gjitha, a e ke menduar se je viktimë e vullnetit të ca servilëve që rrotullohen nëpër dikastere dhe nuk kanë bërë mësim kurrë? Por do të ngushëllohesha disi po të më plotësohej një dëshirë. Të shikoja një prej autorëve të idesë së dy- orëshit të jetonte vetëm një dyorësh në një klasë ku ne martirizohemi në mënyrë absurde përditë. Etj.