Prof. Rexhep Qosja: Pse nuk e pranoj dekoratën e këtij regjimi

559
Akademiku i njohur refuzon të tërheqë Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Nuk e pranojnë vlerësimin nga Thaçi edhe Veton Surroi, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi
Prej medieve mësova se qenkam i dekoruar me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: i dekoruar për pjesëmarrje në Konferencën e Rambujesë e të Parisit për Kosovën në vitin 1999. Është kjo Dekoratë e çmuar, sepse është dekoratë për dhjetë-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ajo u sjell nderim dhe mburrje atyre që u jepet. Do të doja, prandaj, që prej ndërgjegjes sime të mos isha i detyruar ta refuzoja këtë çmim!

Pse e refuzoj?
E refuzoj sepse është çmimi i dhënë prej një regjimi, i cili me politikën e brendshme dhe me politikën e jashtme i ka sjellë dhe po i sjell shumë dëme dhe komprometime shtetit të Kosovës sot. Kam shkruar qindra e qindra faqe të botuara në librat e mi dhe kam dhënë shumë e shumë biseda e deklarata, disa prej të cilave janë botuar dhe emetuar në një varg mediesh të shtypura dhe elektronike në Evropë e në SHBA, në të cilat kam shquar domosdonë dhe rëndësinë kombëtare, historike dhe etike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës së saj çlirimtare. E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre të huajve që e quanin terroriste! E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që e quanin kur grup terrorist, kur grup individësh të frustruar, kur dorë të zgjatur të Serbisë. E kam mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare dhe prej atyre që edhe në ditët kur masakroheshin familje shqiptare e digjeshin shtëpitë e tyre organizonin zgjedhje që i quanin “të lira dhe demokratike”, duke e bërë ashtu të ligjshëm regjimin e dhunës e të terrorit të Millosheviçit në Kosovë! E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që në asnjë mënyrë dhe nën kurrfarë kushtesh nuk dëshironin që në delegacionin shqiptar për bisedime me përfaqësues të pushtuesit apo me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të merrnin pjesë edhe përfaqësues të UÇK-së! E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që nën kurrfarë kushtesh nuk ishin të gatshëm të pranonin qeverinë e përkohshme për të cilën tri organizimet tona ishim marrë vesh në Rambuje! E kam mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare prej atyre që me kryetarin e Serbisë do të nënshkruajnë Marrëveshje për krijimin e Qeverisë kuislinge në prill të vitit 1999!

Dhe, duke mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare prej kundërshtarëve dhe prej armiqve të jashtëm e të brendshëm unë natyrshëm kam mbrojtur edhe të parët e sotëm të Kryesisë, të Kuvendit e të Qeverisë së Kosovës, që me bashkëpunëtorët e tyre e sundojnë Kosovën edhe kur janë, por edhe kur s’janë në krye të institucioneve të saj! Them kështu sepse sundimi i tyre shtrihet në mënyra të ndryshme, të dukshme e të padukshme, me mjete të lejueshme e të palejueshme! Por, ja, pas luftës, ata nuk janë ata që ishin dhe nuk janë as me dëshirat e as me idealet e tyre. Gatishmërinë e sakrificës e kanë zëvendësuar me përkushtimin ndaj përfitimeve! Idealin e lirisë e kanë zëvendësuar me idealin e pasurisë! Idealin e bashkimit kombëtar, të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e kanë zëvendësuar me idealin feudal të kombit kosovar! Domethënë: lartësinë e treguar në luftë e kanë zëvendësuar me mjerim material dhe karrierist të treguar në paqe! Por, sjelljet politike, të pashmangshme, të natyrshme, që bënë ata në paqe e do të bënin edhe të tjerë në vendin e tyre, u mbuluan prej shumë e shumë të këqijave, dëmeve që i sollën e po i sjellin Kosovës në paqe! Ata sot shikohen dhe gjykohen mosdurueshëm prej numrit më të madh të bashkëkombësve, që e kanë kokën për të menduar të pavarur me të.

Pse jo.
Duke qenë në pozita të larta politike ata u pasuruan, u bënë milionerë kushedi të sa-fishtë shumë shpejt! Ata shumë shpejt i pasuruan vëllezërit, motrat, në përgjithësi familjarët! Ata shumë shpejt, duke qenë në pozita, i pasuruan, i bënë milionerë shumë nga bashkëpunëtorët e tyre! Nga pozitat e tyre ata nuk e panë popullin, nuk i panë punëtorët, nuk i panë të varfrit, nuk i panë të braktisurit, të nënçmuarit! Nga pozita e tyre ata nuk e panë rininë! Nga pozitat e tyre ata i panë të heshtur duke u shpërngulur zemërthyer në botën e huaj të rinjtë e skamnorët. Nga pozitat e tyre ata harruan Kosovën e varfër. Korrupsionin e përshtrirë e të përthelluar ata e bënë dukuri tragjike që, siç e thonë edhe juristët, qëu kanë dalë duarsh, mbrohet edhe me ligj! Nepotizmin, këtë dukuri primitive në shekullin e 21-të, ata e bënë politikë të punësimit dhe jo vetëm! Për të sendërtuar më lehtë e më shpejt qëllimet e tyre ata rikthyen censurën në disa media, në disa televizione, më së pari në televizionin publik të Kosovës RTK, i cili censurën staliniste të kohës së autonomisë e ktheu në censurë neofashiste të kohës sonë – të kohës së pavarësisë! Me punësimin e familjarëve, të afërmve, miqve, partiakëve; me lartësinë e rrogave të të parëve, të nënkryetarëve, ministrave, zëvendësministrave, zëvendëskryeministrave, këshilltarëve, truprojave të tyre, më të larta se të tjerëve në Ballkanin Perëndimor; me nga disa rroga të njerëzve të tyre të shpërndarë në institucione e në borde të ndryshme ku duhet ta bëjnë ligj fjalën e tyre ata; me pensionet e veçanta për të gjithë zyrtarët; me privilegje të veçanta të realizuara qoftë edhe përmes udhëtimeve për turizëm e qejfe në botën e jashtme; përmes përdorimit privat të automjeteve zyrtare, të drekave e darkave të paguara me paratë e taksapaguesve; me celularët e tyre shtetërorë, me censurën, me të gjitha këto e shumëçka tjetër ata e bënë shtetin e Kosovës shtet privat të tyre!

Kosovën e të gjithëve, Kosovën e lirë e të pavarur, që menduam se është shtet i të gjithë neve, ata e bënë shtet privat edhe me ato marrëveshjet që nënshkruan si i nënshkruan, pa këshilluar Kuvend, studiues, juristë, historianë: Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe, Marrëveshjen për Vijën Kufitare me Malin e Zi dhe Gjykatën Speciale. Kur u dolën si u dolën punët marrëveshjesore ata e filluan lojën tragjikomike me arsyetime, mohime, pohime e mashtrime, që e tregojnë nivelin e tyre të ulët dhe etikën e tyre politike të paqenë edhe prej një ane prej së cilës nuk e tregojnë të këqijat e tjera që ia solli Kosovës regjimi i tyre! Me të gjitha këto dhe me një varg të tjerash me të cilat nuk mund të merrem në këtë shkrim, ata sot janë bërë shkaktarë të çoroditjes politike e të degradimit të shumanshëm të Kosovës, që ia ka shëmtuar e rrënuar pamjen në Evropë e në botë përgjithësisht, duke sjellë edhe një izolim të saj, që mund të ketë çmim të shtrenjtë! Dhe, ky izolim i saj u pa edhe prej shpërfilljes nga shtetet evropiane dhe BE-ja në kremtimin e 10-vjetorit të Pavarësisë. Krijimtaria ime historiko-letrare, historike,letrare artistike e publicistike dhe veprimtaria ime politike më obligojnë që të them:

Nuk e pranoj dekoratën e parë dhe të fundit që më jepet prej regjimit të tyre!
Dhe, nuk e pranoj sepse pajtimi me një dekoratë të dhënë prej një regjimi të tillë është në kundërshtim me mendësinë time, me konceptin tim për demokracinë, me domethënien, me humanizmin dhe me etikën sociale të krijimtarisë sime shkencore, publicistike e letrare artistike.

Prishtinë, 18 shkurt 2019
Surroi, Krasniqi e Selimi refuzojnë Thaçin
Ish-kryetari i Partisë ORA, Veton Surroi, ka refuzuar dekoratën që presidenti Hashim Thaçi ka ndarë për të. Përmes një shkrimi në “Facebook”, Surroi ka thënë se me përjashtim të okupatorëve, nuk ka pasur njeri që i ka bërë dëm vendit më shumë se sa Thaçi. E me bindjen e tij ka thënë se refuzon të marrë çfarëdo dekorate nga ai. “Pash emrin tim, dy herë, në listën e të dekoruarve nga Hashim Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë. Që të dyja herët emri im është vënë në proceset vendimtare për arritjen e lirisë dhe pavarësisë, Konferencës së Rambouillet dhe Procesit të Vjenës. Ka qenë nder imi që t’i shërbej vendit”, ka shkruar Surroi. “Konsideroj se Hashim Thaçi është përgjegjësi kryesor për kapjen e shtetit, izolimin e tij, vjedhjen e tij, varfërimin e tij material, mendor e shpirtëror, zbrazjen e tij prej një të dhjetës së popullatës për dhjetë vjet pavarësie, humbjen e konsensusit politik e perspektivës së të rinjve brenda tij… Me përjashtim të okupatorëve, nuk ka pasur njeri që i ka bërë kaq dëm vendit”, ka thënë më tej. “Me bindjet e mia për këtë njeri refuzoj të marrë çfarëdo dekorate. I pandershmi nuk mund të më nderoj. As mua e aq me pak këtë vend. Qytetarëve: gëzuar dhe u prifshi ndryshimeve!”, ka thënë në fund Surroi. Ndërkaq, dekoratën e Thaçit, për jubileun e Pavarësisë, e kanë refuzuar edhe Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Sigal