Prof. Liman Varoshi:Ja kriteri që duhet të plotësojnë studentët për doktoraturën

544
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Prof. Liman Varoshi, rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan

 Rektori i universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Liman Varoshi në një intervistë për gazetën  “Telegraf” ka bërë të ditur se, ende nuk kanë nisur aplikimet për doktoratën. Kjo për arsye se nuk janë miratuar ende kuotat e pranimit. Gjithashtu Prof. Varoshi shpjegon me detaje të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë studentët që do të ndjekin ciklin e doktoratës në këtë universitet.

A kanë nisur aplikimet për doktoraturat dhe në çfarë faze ndodhen?

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit qysh prej vitit 2011, ekziston dhe funksionon shkolla doktorale në fushën e albanologjisë në dy drejtime, përkatësisht në gjuhësi dhe në histori. Aktualisht është viti i dytë i funksionimit të kësaj shkolle. Në momentin që po bashkëbisedojmë nuk kanë nisur ende aplikimet e reja për doktoratë në këto dy drejtime studimi të ciklit të tretë. Kjo, sepse nuk kanë ardhur akoma zyrtarisht kuotat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Deri tani informacioni në lidhje me këto kuota ne e kemi në rrugë jozyrtare. Sapo ky informacion të na vijë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës menjëherë do të çelen edhe procedurat zyrtare të aplikimeve.

Cilët janë kriteret që studentët aplikantë duhet të plotësojnë?

Hartimi dhe përvijimi i këtyre kritereve, për pranimet në shkollën doktorale, kanë ndjekur procedurën e mëposhtme. Fillimisht ky proces ka nisur në departamentet përkatëse siç janë ai i gjuhësisë dhe i historisë. Më pas ato janë diskutuar dhe plotësuar në Këshillin Shkencor të Fakultetit të Shkencave Humane. Prej këtej kanë kaluar për diskutim dhe miratim në Këshillin e Profesorëve të Universitetit. Ndërsa miratimin përfundimtar këtyre kritereve ia ka dhënë Senati i UE, i cili njëherësh ka miratuar dhe rregulloren përkatëse të funksionimit të shkollës doktorale. Bëjmë të ditur se, krejt procesi i hartimit dhe përvijimit të këtyre kritereve ka reflektuar hap pas hapi, përvojën e universiteteve të tjera brenda vendit, si dhe atë të universiteteve perëndimore. Njëkohësisht janë respektuar me korrektësi maksimale edhe standardet që burojnë nga ligji i Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë.

A është gjuha angleze, kriter bazë për pranimet në doktoraturë?

Përsa i përket kësaj pyetjeje unë do të doja të theksoj se në fazën e aplikimit anglishtja nuk është kriter përjashtues. Por nënvizojmë se përsa i takon aplikantëve, të cilët kanë përfunduar studimet master i shkencave pra studimet e nivelit të dytë gjuha angleze ka qenë një detyrim për tu shlyer deri në momentin e diplomimit të tyre në bazë të udhëzimit përkatës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Njëkohësisht theksojmë se në fazën e aplikimit mund të paraqiten edhe studentë që disponojnë një diplomë të integruar të nivelit të dytë, e marrë kjo në kohën kur gjuha angleze nuk ka qenë e detyruar. Pra, për këtë kategori studentësh gjuha angleze po e ritheksoj se nuk përbën kriter përjashtuar, sepse deri në përfundim të studimeve doktorale ata patjetër duhet të shlyejnë provimin e kësaj gjuhe në nivelet e përcaktuara.

Sa është numri i studentëve që duhet të pranohen?

Po ju përsëris edhe njëherë siç e thashë edhe më lart se kuotën e saktë ne ende nuk e kemi në mënyrë zyrtare. Natyrisht, mund të deklaroj se propozimi ynë për këtë kuotë është në shifrën 10 vende për drejtimin gjuhësi dhe 10 të tjera në drejtimin histori, pra gjithsej në total 20 vende.

Sa është tarifa që duhet të paguajë një student për ciklin e doktoratës?

Këto tarifa përcaktohen me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave dhe janë të njëjta për të gjithë universitet publike. Në këtë kontekst sqarojmë se kjo tarifë për 3 vitet e studimet në shkollën doktorale kap shifrën e 208 mijë lekëve.