Intervistoi Ëngjëll Musai, Drejtori i gazetës “Telegraf”
Konstitucionalisti Kristaq Kume ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Telegraf” se projekt ligji për listat e hapura për kandidatët për Këshillat Bashkiak është propozuar nga vetë qytetarët ndaj edhe ka besimin se Kuvendi do e miratojë. Ndër të tjera Kume deklaroi se deputetët nuk kanë interes që të hedhin poshtë këtë projektligj pasi do të ishte praktikisht një veprim kundër atyre që u kërkojnë votën në zgjedhje.
Përpara disa ditësh ju keni depozituar në Kuvend projekt ligjin që parashikon votimin me lista të hapura për antarët e Këshillit Bashkiak. Kanë mbetur më pak se 6 muaj deri në ditën e zgjedhjeve të ardhshme për organet e qeverisjes vendore. A është e mundur që ky ndryshim në Kod të bëhet dhe ai të zbatohet në zgjedhjet që do të zhvillohen në 14 maj 2023?
Në pyetjen tuaj unë shoh të artikuluar dy shqetësime. I pari që lidhet me mundësinë që ndryshimi i propozuar nga qytetarët të miratohet nga Kuvendi. I dyti lidhet me kohën kur është kërkuar të bëhet ky ndryshim, për të qenë i mundur të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme lokale. Përgjigja për të dy këto shqetësime është – Asnjë prej tyre nuk e pengon miratimin e projektligjit të propozuar nga qytetarët. Është plotësisht e mundur që këshilltarët që do të zgjidhen në 14 maj 2023 të jenë rezultat i vendimmarrjes së subjektit politik, që miraton listën e kandidatëve dhe vendimit të zgjedhësve për kandidatin që dëshirojnë t`i përfaqësojë në këshillin bashkiak, i shprehur nëpërmjet votës parapëlqyese të tyre. Kjo bindje e imja dhe e gjithë bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të mi që u angazhuan për realizimin e nismës ligjvënëse qytetare, mbështetet në argumentet në vijim:
Dihet se që të bëhet një ndryshim në Kodin zgjedhor është e nevojshme që për të, të votojnë jo më pak se 84 deputetë. Pra është e nevojshme që partitë politike, që kanë deputetë në Kuvend, të shprehin vullnet pozitiv për ndryshimin që kërkohet të bëhet. Ndryshim që kërkohet është votimi në kushtet e sistemit propocional, me lista të hapura për kanditatët e listës së subjekteve garuese në zgjedhjet për organet e pushtetit vendor. Këtë mënyrë zbatimi të sistemit propocional, tashmë ne e kemi të fiksuar në Kushtetutë. Kushtetuta jonë, me ndryshimin e bërë në Korrik 2020, parashikon që zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të bëhen sipas kërkesave të sitemit propocional rajonal, me lista të hapura. Pra, në parim kërkesa për votimin me lista të hapura edhe për këshilltarët bashkiak është e mbështetur nga Kushtetuta dhe fryma e saj.
“Projektligji për listat e hapura për kandiatët për Këshillat Bashkiakë është propozuar nga qytetarët, Kuvendi nuk ka interes ta rrëzojë!”
Veç kësaj, më lejoni të sjell në kujtesën tuaj se lideshipi i mazhorancës deklaronte, në atë kohë se: ndryshimi në Kushtetutë për votimin me lista të hapura për deputetët ishte përgjigje që kjo mazhorancë i bënte kërkesës së qytetarëve për hapjen e listave. Aktualisht situata është jo vetëm përsëritëse, por edhe shumë më tepër se kaq. Për hapjen e listave për këshilltarët bashkiak, qytetarët, jo vetëm që e kanë shprehur kërkesën si edhe në rastin e hapjes së listës për deputetët, por ata duke përdorur të drejtën e tyre kushtetuese, u bënë bashkë 22.666 zgjedhës dhe dorëzuan në Kuvendin e Shqipërisë projekt ligjin, që parashikon hapjen e këtyre listave. Kushtetuta kërkon që për të propozuar një projektligj mjafton të jenë dakort 20.000 zgjedhës. Pra, tashmë mazhoranca dhe deputetët e opozitës janë përpara detyrimit kushtetues për të shqyrtuar dhe miratuar projekt-ligjin e propozuar prej qytetarëve dhe jo përpara vendimit që, ta marrin në konsideratë dhe të angazhohen apo jo për plotësimin e kësaj kërkese.
Projekt ligji tashmë është në tryezën e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ky Komision ka detyrimin kushtetues që ta shqyrtojë këtë projekt ligj dhe ta dërgojë për miratim në Seancën plenare të Kuvendit. Theksoj se detyrë e këtij Komisioni është rregullimi i mëtejshëm i Kodit Zgjedhor me synimin që zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore dhe, më vonë, ato për Kuvendin e Shqipërisë të zhvillohen me një legjislacion më të mirë se aktuali. Ndërkohë, dinamika e punëve në këtë Komision jep shkas për të krijuar perceptimin se koha po ecën shumë më shpejt se sa ritmi me të cilin ata po plotësojnë detyrat që u janë ngarkuar. Megjithë këtë dhe pavarësisht prej kësaj situate, që karakterizon punën dhe angazhimin në këtë Komision, theksoj se projekt ligji i dorëzuar nga qytetarët nuk ka asnjë mundësi të “mbahet në sirtar” dhe të mos trajtohet. Efekti që gjeneron një sjellje e tillë ndaj vullnetit të qytetarëve, ndaj qytetarëve, që kanë vepruar në cilësinë dhe me fuqinë kushtetuese të ligjbërësit, sjell pasoja të mëdha me të cilat besoj se asnjë subjekt politik nuk do të donte të përballet.
“Kushtetuta jonë, me ndryshimin e bërë në korrik 2020, parashikon që zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të bëhen sipas kërkesave të sitemit propocional rajonal, me lista të hapura. Pra, në parim kërkesa për votimin me lista të hapura edhe për këshilltarët bashkiak është e mbështetur nga Kushtetuta dhe fryma e saj.”
Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore është shprehur se objekt i punës së tij janë rregullimet ligjore për pasqyrimin në legjislacionin zgjedhor të rekomandimeve të misioneve të vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR. A do të thotë kjo se projekt ligji i propozuar nga qytetarët nuk është objekt i trajtimit prej tij?
Detyrë parësore e Komisionit për Reformën Zgjedhore gjithmonë ka qenë dhe mbetet trajtimi dhe gjetja e zgjidhjeve legjislative për pasqyrimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR në legjislacionin tonë zgjedhor. Kjo është rrjedhojë e faktit se vendi ynë, si anëtar i OSBE-se dhe firmëtar i dokumentit të Stambollit, ka pranuar që këto rekomandime të trajtohen me përparësi dhe të pasqyrohen në ligjet shqiptare. Ndërkohë, komisioni nuk e kufizon punën e tij vetëm me to. Rekomandimet që artikulohen nga Shoqëria Civile dhe ato të formuluara nga organizatat që vëzhgojnë zgjedhjet tek ne, kërkesat që paraqesin subjekte të ndryshme politike ose grupe të ndryshme të interesit, përvojat që formohen nga institucionet e ndryshme si KQZ etj… gjatë zbatimit të legjislacionit në proceset e ndryshme zgjedhore etj… janë objekt trajtimi dhe pune për Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Në këtë kuptim edhe draft-ligji i paraqitur nga qytetarët për votimin me listë të hapur për këshilltarë është lënë shqyrtimi dhe miratimi prej këtij Komisioni, për t`u dërguar në seancë plenare. Duke ju referuar aktivitetit të derisotëm të Komisionit për Reformën Zgjedhore, nga njëra anë dhe ngjarjeve zgjedhore, që vijnë, nga ana tjetër, mendoj se është koha kur ky Komision duhet të rikonsiderojë axhendën e tij të punës. Komisioni duhet të synojë dhe të angazhohet për t`ju dhënë zgjidhje, në rradhë të parë problemeve, që janë direkt të lidhura me zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore dhe pas kësaj të trajtojë dhe të zgjidhë problemet, që lidhen me zgjedhjet parlamentare. Natyrisht pjesë e punëve që duhet të trajtohen me prioritet nga ky Komision janë edhe ato që lidhen me probleme të administrimit të procesit zgjedhor, financimit të fushatave zgjedhore, përdorimit të aseteve publike, shqyrtimit dhe gjykimit të ankimimeve, probleme këto me të cilat përballet procesi zgjedhor, pavarësisht se për çfarë organe bëhen zgjedhjet. Duke e riorganizuar në mënyrë të tillë punën, Komisioni i reformës zgjedhore krijon hapësirën e nevojshme dhe i jep vetes kohën e duhur për shqyrtimin edhe të projektligjit të paraqitur nga qytetarët. Ndërkohë, duke ju referuar ligjit për nismën ligjvënëse qytetare, i cili i jep të drejtën përfaqësuesve të nismës të marrin pjesë në të gjithë procesin e shqyrtimit të projekt ligjit në parlament, ne po e ndjekim me shumë vëmendje këtë proces dhe jemi të gatshëm të ndërhyjmë në çdo rast kur do të vlerësojmë se shqyrtimi zvarritet pa shkak të përligjur.
“Pjesë e punëve që duhet të trajtohen me prioritet nga ky Komision janë edhe ato që lidhen me probleme të administrimit të procesit zgjedhor, financimit të fushatave zgjedhore, përdorimit të aseteve publike, shqyrtimit dhe gjykimit të ankimimeve, probleme këto me të cilat përballet procesi zgjedhor, pavarësisht se për çfarë organe bëhen zgjedhjet.”
Kume a mund të shpjegoni me pak fjalë për lexuesin tonë se cili është thelbi i projektligjit dhe se çfarë presin të arrijnë qytetarët nga miratimi i tij.
Sipas Kodit zgjedhor aktual zgjedhësit e ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur këshilltarët bashkiak duke votuar vetëm për subjektin zgjedhor. Subjektet zgjedhore, partitë politike, garojnë me listë kandidatësh. Zgjedhësi mund të votojë edhe për një kandidat nominal, në rast se ky garon si kandidat i pavarur. Mandatin e këshilltarit e marrin kandidatët e subjektit politik, emrat e të cilëve subjekti i ka vendosur në vendet e para të listës. Zgjedhësi e ka të pamundur që të zgjedhë kandidatin që ai do të donte ta përfaqësonte në Këshillin Bashkiak. Për anëtarët e Këshillit Bashkiak Kodi zgjedhor ka përcaktuar votimin “me listë të mbyllur” kandidatësh. Një zgjidhje e tillë legjislative ka si pasojë të saj krijimin e hapësirave të ngushtuara për veprimin e demokracisë përfaqësues në proçesin për zgjedhjen e Këshillit Bashkiak. Kjo zgjidhje i ka dhënë peshë të madhe vullnetit dhe vendimit, që merr subjekti politik për zgjedhjen e këtij organi përfaqësues, shumë të rëndësishëm për vetëqeverisjen vendore.
Votimi i këshilltarëve bashkiak me lista të mbyllura, si rregull ndikon negativisht në cilësinë e përfaqësimit të qytetarëve në këtë organ të pushtetit vendor. Në veçanti ky efekt është më i shprehur në rastin e bashkive me shtrirje te madhe në territor. Në bashki të tilla ku bashkëjetojnë komunitete me ndryshime të theksuara sociale, ekonomike e kulturore si janë komunitetet që banojnë në zonat rurale, komunitete që ju përkasin grupeve të marginalizuara dhe pakicave kombëtare, në veçanti: ato rome e egjyptiane etj.. Përfaqësimi i tyre në këtë organ ka shmangie të ndjeshme nga parimi i përfaqësimit propocional. Projekt ligji i paraqitur nga qytetarët synon që kjo situatë të ndryshojë në favor të qytetarëve dhe të mirëfunksionimit të demokracisë përfaqësuese në nivelin vendor.
“Subjektet zgjedhore, partitë politike, garojnë me listë kandidatësh. Zgjedhësi mund të votojë edhe për një kandidat nominal, në rast se ky garon si kandidat i pavarur.”
Si theksohet në dokumentin e dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, qëllimi i këtij projektligji është:
(a) Rregullimi i kushteve ligjore për ushtrimin e të drejtës së zgjedhësve për të zgjedhur, në mënyrë direkte, përfaqësuesit e tyre në këshillin e njësisë vendore.
(b) Krijimi i hapësirës ligjore për përfaqësimin e të gjithë komuniteteve që bashkëjetojnë në një njësi vendore, në bazë të parimit të përfaqësimit propocional.
Votimi me lista të hapura për anëtarët e këshillave bashkiak do t`i japë mundësi qytetarëve për të zgjedhur kandidatin, që duan t`i përfaqësojë në Këshillin bashkiak. I shoqëruar ky ndryshim ligjor edhe me pasqyrimin në Kodin Zgjedhor të kërkesës që partitë politike të përfshijnë në listat e kandidatëve për këshilltarë, përfaqësues nga të gjithë komunitetet, që bashkëjetojnë në një bashki të caktuar, në përputhje me parimin e përfaqësimit propocional, do të bëjnë që organi kryesor për vetëqeverisjen vendore, Këshilli Bashkiak, të jetë me përfaqësues dhe, për rrjedhojë edhe vendimarrjet e tij të jenë më afër, më mirë dhe më shumë në favor të interesit të qytetarëve.