Prof. Fejzi Kolaneci: S’ka asnjë sistem votimi të ndershëm

624
Sigal

Shqyrtohen zgjedhjet parlamentare, presidenciale, vendore ose partiake në një shtet të çfarëdoshëm. Sistem votimi (ose sistem zgjedhor) quhet një bashkësi rregullash që përcakton si do të zhvillohen këto zgjedhje në një shtet dhe si do të llogariten rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Sistemi i votimit përmban rregullat që komandojnë komponentët e procesit zgjedhor: datën dhe orarin e zhvillimit të zgjedhjeve, cilët persona lejohen të votojnë, qendrat e votimit, listat e votuesve, fletët e votimit, listat e komisioneve zgjedhore dhe numërimit të votave, metodën e numërimit të votave, nxjerrjen e rezultateve zgjedhore, respektimin e ligjit të zgjedhjeve, etj.

Zgjedhjet mund të jenë politike ose jo politike.

Zgjedhjet politike (parlamentare, presidenciale, vendore ose partiake) organizohen nga Qeveria, Parlamenti, Pushteti vendor ose nga Partitë Politike.

Zgjedhjet jo politike zhvillohen në biznese private, në organizata joqeveritare, në Akademinë e Shkencave, etj.

Votuesit pjesëmarrës në zgjedhjet quhen votues aktivë, ndërsa votuesit jo pjesëmarrës në zgjedhjet quhen votues pasivë.

Sistemi i votimit është një procedurë, e cila prodhon një renditje të caktuar të rezultateve zgjedhore të kandidatëve, duke u bazuar në fletët e votimit, të cilat paraqitin preferencat personale të votuesve aktivë për kandidatët, partitë politike ose për alternativat e këtyre zgjedhjeve. Matematikisht, komponenti kryesor i sistemit të votimit është një funksion, i cili ka ndryshore të hyrjes bashkësinë e preferencave individuale personale të votuesve aktivë (domethënë, fletët e votimit) dhe ndryshore të daljes rezultatet e votimit (domethënë, listën e renditjes së kandidatëve, bazuar në votat e grumbulluara nga secili kandidat). Sistemi i votimit përcakton qartë si do të kryhet votimi dhe si do të numërohen votat. Aktualisht, në shumicën e shteteve të botës përdoret metoda e votimit elektronik, e shoqëruar me numërimin elektronik të votave. Kjo metodë votimi ka disa përparësi dhe disa mangësi, të cilat nuk do të trajtohen në shkrimin e tanishëm. Qartësojmë lexuesit se Teorema e Pamundësisë Arrow, që do të analizohet më poshtë, është e zbatueshme edhe për votimin elektronik ose për numërimin elektronik të votave. Fletët e votimit që përdoren në zgjedhjet politike kanë disa shenja dalluese, për të cilat informohen në kohën e duhur anëtarët e komisioneve zgjedhore. Studimi shkencor i metodave zgjedhore bëhet në Teorinë e Votimit ose në Teorinë e Zgjedhjes Sociale. Ky studim bazohet në Shkencat Sociale, Shkencat Ekonomike dhe në Matematikën.

 

Tipat kryesore të sistemeve zgjedhore janë:

Sistemet e shumicës, sistemet mazhoritare dhe sistemet proporcionale kombëtare ose në nivel qarku (rajonale). Historia e sistemeve zgjedhore fillon në demokracinë e Athinës (shekulli i 6-të para erës së re), ku përdorej sistemi zgjedhor i shumicës. Praktika katër shekullore e kryerjes së këtyre zgjedhjeve ka dëshmuar se në këto zgjedhje favorizoheshin të pasurit dhe se këto zgjedhje ishin të korruptuara për shkak të blerjes së votës. Në historinë e hershme të demokracisë përdorej kryesisht votimi me sistemin zgjedhor të shumicës. Si një përjashtim, në shtetin e Venedikut në shekullin e 13-të, u përdor votimi me aprovim, për të zgjedhur Dozhin e Venedikut dhe Këshillin e Madh.

Votimi me aprovim është përdorur gjithashtu për zgjedhjen e Papës së Romës, për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për zgjedhjen e Presidentit të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Amerikës, të Presidentit të Akademisë të Shkencave të Rusisë, etj.

Le të shpjegojmë shkurtimisht metodën e votimit me aprovim në zgjedhjet parlamentare, presidenciale ose vendore. Çdo votues, në votimin me aprovim, voton duke aprovuar ose mosaprovuar secilin kandidat(e) që figuron në fletën e votimit. Çdo votues aprovon ose nuk aprovon aq kandidatë(e) sa votuesi dëshiron. Renditja e rezultateve zgjedhore të kandidatëve në votimin me aprovim përcaktohet nga numri i votave aprovuese që ka grumbulluar secili kandidat: i pari është kandidati me më shumë vota aprovuese e kështu me radhë, i fundit renditet kandidati që ka grumbulluar më pak vota aprovuese. Në votimin me aprovim lejohet barazimi i rezultateve zgjedhore të kandidatëve (ose alternativave), në qoftë se këta kandidatë kanë grumbulluar të njëjtin numër votash aprovuese. Robert J. Weber e përdori i pari termin (konceptin) “votim me aprovim” në vitin 1971. Guy Ottwell e përshkroi me detaje (me hollësi) votimin me aprovim në vitin 1977. Metoda e votimit me aprovim u publikua e plotë nga shkencëtari i shquar politik Steven Brams dhe matematikani i shquar Peter Fishburn në vitin 1978. Votimi me aprovim është përdorur në zgjedhjet partiake në vitet 2011, 2012, 2014 dhe 2016 në shtetin Oregon të USA. Në nëntor 2018 votimi me aprovim u përdor për herë të parë në zgjedhjet vendore të zhvilluara në qytetin Fargo, North Dakota, USA. Në këtë mënyrë, Fargo u bë një qytet i famshëm në Amerikë sepse përdori i pari votimin me aprovim në zgjedhjet vendore. Gjithashtu, shumë votues aktivë e vlerësuan të pëlqyeshme dhe racionale (të arsyeshme) metodën e votimit me aprovim.

Çdo sistem votimi i ndershëm (i arsyeshëm, i përsosur, pa të meta) duhet të kënaqë disa kushte (kritere), të cilat janë formuluar nga ekonomisti i shquar amerikan Kenneth Joseph Arrow (1921-2017), fitues i Çmimit Nobel në Shkencat Ekonomike në vitin 1972. Këto kushte (kritere) të ndershmërisë së sistemeve të votimit janë publikuar nga Arrow në vitin 1951 dhe quhen kushtet Arrow.

Kushti 1 (Kriteri Kalimtar i Sistemit Zgjedhor)

Le të jetë !,B,C tre kandidatë të çfarëdoshëm në zgjedhjet politike, të zhvilluara në një shtet të caktuar në një datë të caktuar. Në qoftë se bashkësia e votuesve aktivë preferon kandidatin A kundrejt B dhe kandidatin B kundrejt C, atëherë kjo bashkësi votuesish aktivë duhet të preferojë kandidatin A kundrejt kandidatit C.

Kushti 2 (Monotonia e Sistemit Zgjedhor ose Shoqërimi Pozitiv i preferencave individuale më preferencën sociale)

Një sistem zgjedhor quhet monoton në qoftë se ndryshimet e favorshme për ndonjë kandidat të çfarëdoshëm, në preferencat individuale të votuesve aktivë, nuk shkaktojnë që ky kandidat të vlerësohet (të klasifikohet) nga fitues në humbës në këto zgjedhje politike. Pra, sistemi zgjedhor i përdorur në zgjedhjet politike të ndershme duhet të jetë monoton.

Kushti 3 (Pavarësia e Sistemit Zgjedhor nga Alternativa që nuk kanë lidhje me çështjen)

Sistemi zgjedhor kënaq kushtin 3 në qoftë se preferenca sociale (shoqërore) për dy kandidatë të çfarëdoshëm A dhe B varet vetëm nga preferencat individuale të votuesve aktivë për këta dy kandidatë. Në qoftë se një pjesë e votuesve aktivë (ose të gjithë votuesit aktivë) i ndryshojnë në fletët e votimit preferencat individuale për kandidatët e tjerë, por asnjë votues aktiv nuk e ndryshon preferencën individuale për kandidatët A dhe B, atëherë nuk do të ndryshojë as preferenca sociale për kandidatët A dhe B. Çështje të cilat nuk kanë lidhje me preferencat individuale të votuesve aktivë për dy kandidatë të çfarëdoshëm A dhe B, nuk duhet të ndikojnë në rezultatet zgjedhore të kandidatëve A dhe B.

Kushti 4 (Sovraniteti i votuesve aktivë)

Sistemi zgjedhor nuk duhet të jetë i imponuar (i detyruar) për asnjë votues dhe për asnjë kandidat.

Sistemi zgjedhor duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë votuesit dhe kandidatët zgjedhorë. Kjo do të thotë se nuk ekziston asnjë çift kandidatësh A dhe B, i tillë që A të renditet para B në rezultatet zgjedhore, pa marrë parasysh preferencat individuale të votuesve aktivë për kandidatët A dhe B, të pasqyruara në fletët e votimit. Pra sistemi zgjedhor duhet të jetë anonim për votuesit dhe neutral për kandidatët.

Kushti 5 ( jo diktaturë)

Sistemi zgjedhor nuk duhet të jetë asnjëherë diktatorial. Kjo do të thotë se nuk duhet të ekzistojë asnjëherë ndonjë votues V (diktator) i tillë që, për çdo çift kandidatësh A dhe B, në qoftë se ky votues V preferon kandidatin A kundrejt B, atëherë edhe të gjithë votuesit e tjerë aktivë duhet të preferojnë kandidatin A kundrejt B.

Kushti 6 ( i Vilfredo Pareto)

Në qoftë se në zgjedhjet politike (parlamentare, presidenciale, vendore ose partiake) ekziston ndonjë çift kandidatësh A dhe B, i tillë që çdo votues aktiv preferon A kundrejt B, atëherë kandidati A duhet të renditet më lart se kandidati B në rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Tani, ka ardhur momenti për të thënë fjalën e fundit; domethënë, për të formuluar një teoremë (pohim matematik) e cila është njëkohësisht e bukur dhe shkatërrimtare për të ndërtuar ndonjë sistem zgjedhor (sistem votimi) të ndershëm, të përsosur, pa të meta.

Teorema e Pamundësisë Arrow

Për çdo zgjedhje politike (parlamentare, presidenciale, vendore ose partiake) me më shumë se dy kandidatë (ose alternativa) është e pamundur të gjendet ( të ndërtohet) ndonjë sistem votimi, i cili të kënaqë kushtet 1, 2, 3, 4 dhe 5. Kjo teoremë e famshme është rezultati shkencor më i rëndësishëm në historinë mbi 2500 vjeçare të Teorisë së Votimit (Teorisë Zgjedhore).

Teorema e Pamundësisë Arrow është shumë e fuqishme, por ajo mund të përmirësohet dhe të bëhet më e fuqishme.

Teorema e Përforcuar e Pamundësisë Arrow

Për çdo zgjedhje politike (parlamentare, presidenciale, vendore ose partiake) me më shumë se dy kandidatë është e pamundur të gjendet ndonjë sistem votimi, i cili të kënaqë kushtet 1, 3, 5 dhe kushtin 6. Vërtetimi i Teoremës së Pamundësitë Arrow përbëhet nga 3 pjesë (ose kalon nëpër 3 etapa)

Pjesa e parë.

Vërtetohet ekzistenca e votuesit aktiv vendimtar.

Pjesa e dytë.

Vërtetohet se çdo votues aktiv vendimtar është diktator.

Pjesa e tretë.

Vërtetohet se ekziston vetëm një diktator.

Në vërtetimin e Teoremës së Pamundësisë Arrow, të propozuar nga fituesi i Çmimit Nobel Amartya Kumar Sen është argumentuar se gjenerohet (prodhohet) ky paradoks: Çdo sistem votimi që kënaq kushtet Arrow 1, 2, 3 dhe 4 është diktatorial; domethënë, nuk e kënaq kushtin 5.

Sqarim: Kuptimi i fjalës paradoks sipas fizikanit të famshëm rus Lev Davidaviç Landau, fitues i Çmimit Nobel në Fizikë:

Paradoksi është një pohim i çuditshëm, befasues, i cili bie në kundërshtim me arsyen e shëndoshë. Paradoksi mund të jetë një pohim i pavërtetë (i gënjeshtërt) ose një pohim i vërtetë. Për shembull, paradoksi i Akilit dhe breshkës është pohim i pavërtetë, ndërsa paradoksi i binjakëve në Teorinë Speciale të Relativitetit të Albert Einstein është pohim i vërtetë.

Votimi me aprovim nuk e kënaq kushtin 1 (vetinë kalimtare të sistemit zgjedhor). Prandaj, për votimin me aprovim është e pazbatueshme (e pavlershme) Teorema e Pamundësisë Arrow.

Disa shkencëtarë të shquar francezë kanë propozuar të pranohen kushtet 1, 2, 3, 4 të sistemit zgjedhor dhe të sakrifikohet kushti 5 (domethënë, të pranohet “diktatori i ndritur“, i cili është i ditur, i ndershëm, i pa korruptuar dhe dashamirës për popullin). Përmirësime të Teoremës së Pamundësisë Arrow janë bërë nga disa shkencëtarë të shquar: A. Gibbard (viti 1973), M. Satterthwaite (viti 1975), M. Balinski dhe P. Young (viti 1982), A. K. Sen (viti 1999), J. Geanakoplos (viti 2005), A. A. Karpov (viti 2010), T. Tao (viti 2011), N. N. Yu (viti 2012), A. F. Gibbard (viti 2014) dhe F. Kolaneci (viti 2018). Studimi i A. A. Karpov analizon sistemin e votimit proporcional, i cili është zbatuar edhe në Shqipëri.

Si përfundim, Teorema e Pamundësisë Arrow është një shqetësim i madh në shtetet demokratike, sepse çdo sistem votimi në zgjedhjet politike nuk është i ndershëm ose i përsosur. Çdo sistem votimi është me të meta të pashmangshme ose është diktatorial.

Pas leximit të këtij shkrimi lind pyetja:

Cili sistem votimi është më i mirë (më i përshtatshëm) për t’u përdorur në zgjedhjet vendore të qershorit 2019 në Republikën e Shqipërisë?

Politikanët shqiptarë duhet të kuptojnë qartë se nuk ekzistojnë zgjedhje politike të ndershme, por mund të ekzistojnë zgjedhje të lira. Demokracia nuk është e përsosur në të gjitha aspektet e saj.