Prof. Dr Qemal Lame: Gjyqi ndaj ish-Presidentit Trump është kushtetues

253
Sigal

Nga Prof. Dr Qemal Lame

Senati amerikan filloi, më 9 shkurt 2021,  gjykimin e ish-presidentit Donald Trump. Ai është i vetmi president në historinë më shumë se dy shekullore amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkimin nga Senati dhe hera e parë që një president gjykohet nga Senati. Ish-Presidenti ka refuzuar një kërkesë të demokratëve për të dëshmuar në gjyqin kundër tij në Senat dhe nuk marri pjesë në të. Gjyqi mund të zgjasë një javë ose më shumë.

Donald Trumpi ka vepruar në kundërshtim të hapur me përgjegjësitë dhe funksionet e tij kushtetuese si president, shkeli betimin e detyrës së tij, shpërdoroi të drejtën e fjalës së lirë dhe tradhtoi interesat e popullit amerikan. Ai është fajtori kryesorë për nxitjen e mbështetjen e rebelimit dhe sulmit tek Kapitoli pasi me paramendim dhe për interesat e ruajtjes së pushtetit mbajti një fjalim nxitës për rebelim, nuk mori asnjë masë mbrojtëse dhe la Kapitolin pa sigurinë e nevojshme, hyrjen e demonstrantëve në Kapitol me qëllimin për të penguar votimin në Senat, ndryshimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe rikonfirmimin e tij si fitues.

Zoti Trump është “i vetmi përgjegjës” për trazirat që pasuan. Ai u kërkoi mbështetësve të vinin në Uashington, më 6 janar, duke folur rreth një zhvillimi që e përkufizoi si “të papranueshëm”. Në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë pak përpara se mbështetësit e tij të niseshin drejt Kapitolit, zoti Trump vazhdoi propogandën me pretendimet e tij për javë të tëra për manipulim të zgjedhjeve,më 3 nëntor 2020, ku humbi mandatin e dytë si president.

Gjatë fjalimit të tij që zgjati më shumë se një orë, zoti Trump u tha mbështetësve “që në mënyrë paqësore e patriotike të bëjnë që zërat e tyre të dëgjohen” duke marshuar drejt Kapitolit. Por ai gjithashtu i inkurajoi ata duke u thënë: “Vendi ynë ka duruar boll. Ne nuk do të durojmë më dhe e gjitha kjo është për këtë qëllim. Dhe, për të përdorur një term të preferuar nga të gjithë ju, ne do ta ndalim vjedhjen”. “Ne do të luftojmë”, shtoi ai. “Ne do të luftojmë fort dhe nëse nuk luftojmë kështu, nuk do të kemi më shtet”, tha zoti Trump.

Akuzat kundër zotit Trump janë më të rëndat të ngritura ndonjëherë kundër një presidenti të Shteteve të Bashkuara në historinë amerikane. Ato argumentohen e provohen me zhvilimin e ngjarjes leiv para publikut amerikan dhe gjithë botës.Provat për sjelljen e Presidentit Trump janë të shumta. Ai nuk ka asnjë justifikim ose mbrojtje të vlefshme ligjore për veprimet e tij.

1.Në transmetimin direkt dhe në video është dokumentuar, më 6 janar 2021, fjalimi nxitës i ish-Presidentit Trump për rebelim. Ai i inkurajoi mbështetësit gjatë fjalimit që të “luftonin fort” për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje.

  1. Protesta u kthye në një përplasje të dhunshme. Pas fjalimit, Rreth 800 mbështetës të zotit Trump sulmuan autoritetet e Kapitolit, duke rrëzuar barriera,thyen dyer e dritare, plaçkitën disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Si pasojë pesë persona mbetën të vdekur, mes tyre një oficer i policisë së Kapitolit, si dhe një protestuese e cila u qëllua nga një oficer policie duke goditur oficerët e policisë dhe në një moment duke i thënë njërit prej tyre se “ne ua kalojmë nga numri, jemi një milion me një”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një shtet ligjor dhe me demokraci funksionale. Nuk mund të lejohet dhe as të pranohet dhuna e turmës e nxitur nga presidentë që nuk pranojnë dot humbjen në zgjedhje. Ligjvënësi demokrat Jamie Raskin, i cili drejton akuzën, tha në fillimin e gjykimit se nëse senatorët nuk dënojnë ish-Presidentin Trump, atëherë presidentët do të krijonin një “përjashtim të janarit” që do t’u lejonte atyre të shkelnin ligjin pa u ndëshkuar në muajin e fundit të mandatit. “Përjashtimi i janarit është një ftesë për makthin më të keq të themeluesve tanë… Ne rrezikojmë që 6 janari të bëhet e ardhmja jonë.

Trupi gjykues përbëhet nga 100 senatorë, 50 për secilën palë, demokratë e republikanë, të cilët do të shërbejnë si anëtarë të jurisë gjatë procesit gjyqësor në Senat, ndodhen në një pozicion të pazakontë. Shumë prej tyre ishin dëshmitarë të kaosit të 6 janarit, ditë gjatë së cilës u detyruan të largohen nga kjo dhomë e Kongresit për arsye sigurie. Sipas një marrëveshjeje të njoftuar të hënën nga udhëheqësit e kongresit, secila palë do të ketë 16 orë përgjatë dy ditëve për të paraqitur argumentet.

Akuza dhe mbrojtja debatojnë për kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë e gjykimit. Avokatët e zotit Trump argumentojnë se meqenëse zoti Trump nuk është më në detyrë, Senati nuk ka autoritetin të mbajë një gjyq mbi akuzën e Dhomës së Përfaqësuesve se ai nxiti një rebelim ndërsa ishte në detyrë. Ata theksuan se vetëm një president në detyrë mund të gjykohet në Kongres. Por shumica e ekspertëve ligjorë dhe studiuesit e së drejtës argumentojnë se gjykimi është kushtetues, edhe pasi një zyrtar ka lënë detyrë. Në bazë të kritereve kushtetuese është e domosdoshme që sjellja e presidentit të deklarohet e papranueshme në mënyrë të qartë e pa mëdyshje, edhe pse ai aktualisht e faktikisht nuk është më në detyrë. Theksojmë se zoti Trump nxiti trazirat dhe u akuzua nga Dhoma e Përfaqësuesve ndërsa ishte ende në detyrë.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara mundëson heqjen e zyrtarëve të gjetur fajtorë për “krime dhe shkelje të rënda”. Senati ka zhvilluar në të kaluarën gjyqe për ish-zyrtarë, duke mos u lejuar të shmangin një gjyq për shkelje të mundshme nëpërmjet dorëheqjes, siç ndodhi në një rast të vitit 1876, ose në rastin e zotit Trump, që la detyrën sepse i kishte mbaruar mandati.

Senatori Rand Paul i shtetit Kentaki, një mbështetës i vendosur i zotit Trump, u përpoq të bllokonte gjyqin për arsye të tilla kushtetuese, por pesë republikanë u bashkuan me të 50 senatorët demokratë në votimin 55 me 45 për ta vazhduar procesin. Por votimi gjithashtu sinjalizoi se mbështetja republikane për pafajësinë e zotit Trump mbetet e konsiderueshme, e mjaftueshme për të bllokuar shpalljen e tij fajtor. Senatori Paul thotë se ekzistojnë “zero shanse për dënimin e tij”. Nëse zoti Trump do të shpallej fajtor, Senati, me një shumicë të thjeshtë votash, mund t’i ndalonte atij mbajtjen e funksioneve publike në të ardhmen.

Gjykimi ka rëndësinë kushtetuese për shtetin e së drejtës. Që ish-presidenti të shpallet fajtor mbi akuzën e ngritur do të duheshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Kongresit, ose demokratëve do t’u nevojiteshin votat e 17 republikanëve duke e marrë të mirëqenë që të 50 senatorët demokratë do të votojnë për shpalljen e tij fajtor. Në këto kushte, është pothuajse e garantuar që Senati do të votojë për lirimin nga akuza të ish-Presidentit Trump, ashtu sikundër një vit më parë kur ai u akuzua se i kishte bërë presion presidentit të Ukrainës që të siguronte informacione dëmtuese kundër zotit Biden, përpara zgjedhjeve të nëntorit të kaluar.

Gjykimi është një problem i rënësishëm ligjor dhe politik pasi ballafaqohen demokratët e republikanët, si dhe mbështetësit e tyre. Në një material përmbledhës të paraqitur, më 8 shkurt 2021, nga avokatët e zotit Trump, pretendohet se çështja kundër tij është një “teatër politik” i demokratëve anti-Trump. Ata parashtruan se ai thjesht po ushtronte të drejtën e tij të garantuar në kushtetutë për fjalën e lirë, kur ai kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve dhe thanë se ai inkurajoi qartazi mbështetësit e tij për t’u angazhuar në një protestë paqësore.”Përkundrazi, kjo ishte vetëm një përpjekje egoiste e udhëheqjes demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve për të shfrytëzuar ndjenjat e tmerrit dhe konfuzionit që përfshinë të gjithë amerikanët nga mbarë spektri politik, kur panë shkatërrimin në Kapitol më 6 janar nga disa qindra persona”, shkruajnë avokatët. “Në vend që të veprojnë për të shëruar kombin, ose të paktën duke u përqëndruar në ndjekjen penale të shkelësve të ligjit që sulmuan Kapitolin, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve (Nancy Pelosi) dhe aleatët e saj janë përpjekur të përdorin kaosin e momentit për përfitim politik”, shkruajnë ata.

Opinoni publik amerikan meriton të njohi të vërtetën dhe të nxjerri mësime për të ardhmen për fajësinë apo pafajësinë e presidentit, respektimin e mbrojtjen e kushtetutës, funksionimin e shtetit të së drejtës në situatën e rëndë të 6 janarit.Veprimtaria e ish presidentit Trump dhe ngjarja në Kapitol dhe gjykimi i presidentit janë kritikuar e dënuar publikisht si një rrezik potencial për demokracinë e të ardhmen amerikane. Ato janë një shembull jo dinjitoz për gjithë demokracinë perëndimore.

Shqipëria si një vend që vazhdon demokratizimin duke dalë nga kushtet e demokracisë hibrite dhe radhitet ndër vendet me demokraci me probleme, ka shumë për të mësuar dhe reflektuar në politikën e kaluar, të sotmen e të ardhmen edhe nga ngjarjet në SHBA. Kërkohet të fuqizohet shteti ligjor e drejtësia, të vihen para përgjegjësisë ligjore funksionarët e lartë shtetërorë autokratë që kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e ligjet, shkaktuar pasoja të rënda për ekonominë e finacat, rrezikojnëojnë integritetin e sovranitetin teritorial të vendit.