Prof.Dr.Ksenofon Krisafi: UMSH me programe të reja në vitin e ri akademik

810
Sigal

Mësimet vazhdojnë në sistemin online

Intervista/ Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar te Shqipërise,  flet rreth programeve të reja që do hapen në shtator 2020 si dhe zhvillimit të mësimit në kushtet online.

Para pak kohësh Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë (UMSh) mori miratimin në parim nga ana e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) për hapjen e disa programeve të reja. Ndërkohë pandemia e Covid 19, bëri që qeveria të vendoste mbylljen e institucioneve të arsimit të lartë. UMSh ishte ndër të parët, ndoshta i pari që nuk humbi kohë dhe nuk i la studentët pa mësim. Strukturat e tij drejtuese gjetën mënyrat dhe metodat e përshtatshme që mësimi të vazhdonte edhe në kushtet e izolimit. Procedurat e përzgjedhura përkuan me ato që u rekomanduan më pas nga MASR.

UMSh, gjithashtu krahas veprimtarive të zakonshme në zbatim  të misionit që duhet të përmbushë, jeton përditë edhe me preokupimet e vendit dhe njerëzve ne nevoje, ashtu si ne vazhdimesi nepermjet mbeshtetjes se shtresave ne nevoje me bursa te niveleve te ndryshme ose kontributeve direkte ,bëri edhe ne kete rast gjestin e tij mbresëlënës. Ditët e fundit themeluesi dhe presidenti i nderit i tij, akademiku Anastas Angjeli, në emër të UMSh iu shpërndau pako te konsiderueshme me ushqime 40 familjeve në nevojë në Tiranë dhe në Gramsh, që ishin prekur nga pasojat e rënda të pandemisë së Covid 19.

Për këto dy çështje redaktorja e gazetës sonë, iu drejtua dekanit të Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare (FSHJMN), Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, për të na folur pak më shumë për programet e reja si dhe përvojën e mësimit online.

Profesor, ç’përfaqësojnë programet e reja që mendohet të hapen në vitin akademik 2020-2021?

Së pari, ju falenderoj për interesin që tregoni për t’u njohur me programet e reja si dhe me veprimtaritë aktuale në UMSh nëpërmjet kësaj interviste.

Se dyti, dëshiroj të theksoj se ato për çka do të flas në vijim nuk synojnë për t’u lëvduar ose për të marrë merita që s’na takojnë. Ne përpiqemi që, brenda kujfive të lejuar të një protagonizmi legjitim, i parë më tepër si prirje drejt perfeksionimit, të bëjmë maksimumin e mundshëm, për të qenë nga institucionet më të mirë të arsimit të lartë në vendin tonë.

Së treti, pa u zgjatur do të qëndroj në disa nga ato që ne i konsiderojmë si pikat tona më të forta.

UMSh është vazhdimisht në dispozicion të studentëve të vet, për t’i formuar ata në nivele maksimale, me qëllim që të jenë të aftë për të përvetësuar dijet dhe njohuritë aktuale të zhvillimit të shkencave në profilet që kanë zgjedhur, si dhe për t’iu bërë ballë kërkesave në rritje të tregut të punës, i cili ka treguar interes dhe preferencë ndaj produktit intelektual e profesional të UMSh. Eshtë kjo meritë e stafit të tij akademik tepër cilësor, i cili vitet e fundit ka patur një rritje të dukshme duke bërë pjesë të auditoreve të tij autoritete të spikatura në të tre fakultetet. Ata kanë zënë vend krahas kolegëve të tjerë që karakterizohen nga formimi i përgjithshëm excellent intelektual, profesional e kulturor, të formuar në universitete me emër shumë të mire, brenda e jashtë vendit. Në stafin akademik të UMSh është siguruar kombinimi i brezave, traditës, përvojës, urtësisë së moshës, me entuziazmin rinor, modernizimin, mentalitetin dhe teknologjinë bashkëkohore. Aty ka zenë vend edhe një brez djemsh dhe vajzash të reja, që janë shquar për rezultate të shkëlqyera, për jetë aktive dhe veprimtari krijuese, zhdërvjelltësi e shkathtësi. Pjesë e stafit janë gjithashtu edhe personalitete të jetës politike, shtetërore, shoqërore, ish ministra, ambasadorë, diplomatë, ekonomistë e financierë me shumë emër etj. Ata sjellin në universitet përvojë, histori, kulturë.

Gjatë vitit të kaluar akademik dhe në javët e para të këtij viti, strukturat drejtuese, akademike e shkencore si edhe ato administrative dhe operative u përfshinë në një process dinamik për rishikimin e programeve ekzistuese, pasurimin e tyre me profile dhe elemente të rinj, çeljen e programeve të reja etj. Pas diskutimeve aktive shkencore për projektimin e ndryshimeve të propozuara, ku morën pjesë shumica e pedagogëve të universitetit, u përgatit dokumentacioni i nevojshëm në përputhje me kërkesat që burojnë nga Ligji për Arsimin e Lartë, aktet nënligjore për zbatimin e tij si dhe nga Statuti dhe Rregullorja e UMSh. Në përfundim iu propozua MASR dhënia e miratimit përkatës për hapjen e

    • Një programi dyvjeçar në Fakultetin e Ekonomisë në përgjigje të nevojave në rritje të tregut të punës për profesionistë në fushën e teknologjisë dhe informacionit. Nëpërmjet këtij programi profesional 2 vjeçar të titulluar Teknologji Informacioni dhe Aplikime Informatike, iu jepet mundësia maturantëve, për të ndjekur studimet në këto profile: Specialist Rrjetash Kompjuterike; Teknik për Pajisje Elektronike; Teknik për Software dhe Dixhitalizim. Në këtë program pranohen edhe ata studentë qe nuk kanë mesataren e përcaktuar me VKM
    • Ristrukturimin e programit Master ne Administrim Biznesi ne Master Shkencor me profile Sipermarrje dhe Inovacion ; Marekting Shitje dhe Komunikim
    • Ristrukturimin e programit Master Shkencor ne Finance, Banke Kontabilitet (FBK) ne Master shkencor FBK me profile Bankat dhe Tregjet Financiare ; Tekonologjite e Reja Financiare (FINTECH)
    • Programit të integruar 5-vjeçar master në drejtësi, për të cilin do të flas më poshtë pak më gjerësisht.

A mund të na thoni profesor se si janë orientuar studentët e regjistruar në Universitetin Mesdhetar?

Si kudo, zgjedhja e profesionit, që lidhet ngushtë me fakultetin ose degën që studenti do të ndjekë, përbën një nga vendimet e rëndësishme që njeriu duhet të marrë në jetë, duke patur parasysh prirjet, talentin, aftësitë. Për këtë vendim është e natyrshme ndihma dhe sugjerimi që mund t’iu vijë nga prindërit, të afërmit, shokët e shoqet e rrethit miqësor. Nuk përjashtohet ndikimi i mundësive ekonomiko-financiare të familjes, faktor që konstatohet në jo pak raste, kur një numër studentësh që në vitin e parë interesohen për të gjetur punë, zakonisht në fundjavë ose në turnet e dyta apo të treta. Për këtë grup nga ana jonë tregohet mirëkuptim dhe respekt i veçantë, duke organizuar mesimin ne fasha te ndryshme orare dhe grupe te vogla studentesh , organizmi qe mbeshtetet edhe nga gatishmërinë e pedagogëve për t’i asistuar ata në orare te pershtateshme .

 

Po për studentët e Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare si qëndron puna? Ka ndonjë specifikë?

Nuk ka ndonjë specifikë edhe pse nuk mund të mohohet se një pjesë e atyre që zgjedhin drejtësinë priren nga ideali për të kontribuar në suksesin e reformës në drejtësi dhe në përafrimin e Shqipërisë me legjislacionin dhe direktivat komunitare për sistemin e drejtësisë, për të cilat kanë dëgjuar aq shumë këto kohë. Këta janë të rinj e të reja të mbushur me ëndrra, aspirata, ambicie për të dhënë kontributet e tyre në shoqërinë shqiptare etj. Ndikojnë pa dyshim edhe tradita familjare, prirjet e pragmatizmit për karrierë, për pozicion të privilegjuar social dhe përfitime të larta ekonomiko-financiare etj.

Studentët që do të vijnë në fakultetin tonë këtë shtator, i pret një surprizë e këndshme. Siç u tha, është propozuar dhe është miratuar në parim hapja e programit të integruar 5-vjeçar master në drejtësi. Ai ka bashkuar programin e mëparshëm Bachelor me atë Master shkencor dhe ka bërë një unifikim harmonik e të qëndrueshëm, nëpërmjet përshtatjeve, plotësimeve, reduktimeve etj. Nuk është aspak një bashkim mekanik. Janë mbajtur parasysh përvojat e deritanishme në vend dhe në shtete të tjera, realitetet aktuale të drejtësisë në Shqipëri në kushtet e reformës së thellë që është ndërmarrë dhe po realizohet në sistemin e drejtësisë si conditio sine quoi non e të ardhmes së vendit. Ndërgjegjësimi për domosdoshmërinë e ndërtimit të shtetit të së drejtës, duhet të konkretizohet në frymëzimin e studentëve për të mësuar sa mëshumë dhe në detyrimin e universitetit dhe padagogëve për t’i edukuar me të rejat më të fundit të shkencave juridike. Prandaj në FSHJMN punohet shumë që studentët të formohen profesionalisht për të përballuar misionin e madh shoqëror që kanë marrë përsipër duke zgjedhur edukimin juridik.

Në këto kohë të vështira, kur nga puna prej gati dy dekadash për realizimin e reformës në gjyqësor priten rezultatet, kur në sistemin e drejtësisë nëpërmjet vetingut po bëhet një transformim i rëndësishëm për largimin nga sistemi të individëve që janë evidentuar me probleme edhe fakultetet që përgatisin juristët e ardhshëm, kanë për detyrë të kuptojnë dhe t’iu përgjigjen siç duhet kërkesave të kohës. Në këtë kuadër Fakulteti i Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMSh ka disa vjet që punon për ta gjetur veten si pjesë të reformës. Ka ndikuar pozitivisht pjesëmarrja aktive e pedagogëve në debatet e zhvilluara. Një pjesë thirreshin kohë pas kohe për t’u dëgjuar si ekspertë nga komisionet, grupet e punës ose strukturat e tjera zyrtare të ngarkuara me projektimin dhe realizimin e saj. Të tjerë kanë qenë të pranishëm në mediat e shkruara dhe audio-vizive, çka mund të thuhet se i ka bërë pjesë të reformës.

Në këtë program të integruar 5-vjeçar janë mbajtur parasysh edhe angazhimet e mëdha që rrjedhin nga përqasja e legjislacionit shqiptar me atë komunitar, kërkesë që buron nga faza e re e avancuar e marrëdhënieve të Shqipërisë me BE, për shkak të vendimeve të Brukselit për hapjen e negociatave për anëtarësimin e saj. Pra, e thënë shkurt, programi i integruar 5 vjeçar i masterit në drejtësi do të shërbejë për formimin e plotë dhe të thellë të specialistëve të ardhshëm në fushën e drejtësië, të aftë për të punuar si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjerë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për maturantët që zgjedhin degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Disa prej tyre, le t’i quajmë idealistët, udhëhiqen nga dëshira për t’u bërë pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë, për të hyrë në shërbimin diplomatik shqiptar, të tjerë për të kontribuar për përshpejtimin e ritmeve të proceseve integruese të vendit në strukturat evropiane, në sektore të ndryshëm të qeverisjes , tregut, etj. Edhe te ky grup nuk përjashtohen pragmatizmi, dëshira për karrierë, për pozicion të privilegjuar social, për jetë interesante jashtë vendit, për trajtime mondane në veprimtari, pritje, dreka, darka etj, dëshira këto të paqortueshme. Këta gjithashtu janë të ndërgjegjësuar, se vetëm me një formim cilësor, mund t’i shërbehet realisht integrimit të vendit në BE dhe të arrihen objektivat e tyre personale për karierë të suksesshme në jetë. Kjo realizohet kur specialisti i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare kupton thelbin e procesit dhe përfshihet në të si pjesë e tij, çka është përcaktuar gjithashtu si prioritet i veprimtarisë mësimore, akademike e shkencore në kurrikulat e  kësaj dege, ku gjithashtu janë parashikuar ndryshime të rëndësishme në pajtim me kërkesat e akteve  që rregullojnë veprimtaritë akademiko-shkencore në institucionet e arsimit të lartë. Në këtë degë është menduar që t’i kushtohet më tepër vëmendje formimit të studentëve me teoritë e shtetit si dhe me kontributet që diplomacia duhet të japë për zhvillimin ekonomik të vendit. Për këtë arsye janë përfshirë lëndët; Teori politike te shtetit dhe Politika ekonomike te krahasuara.

Duke ditur mirë gjithë çka u tha më sipër bëhen përpjekje për t’iu larguar tradicionalizmit dhe për t’iu afruar standardeve moderne, modeleve më të mira evropiane dhe botërore si në pikëpamje të përmbajtjes së programeve ashtu edhe të formave interaktive të mësimdhënies.

A mund të jeni pak më konkret në këtë që sapo përmendët?

Më duhet të përsëris disa gjëra që i kam shprehur edhe më pare. Do ta nis nga ato që kanë rëndësi të posaçme në veprimtarinë dhe suksesin e një institucioni të arsimit të lartë – kurrikulat. Ato rishikohen kohe pas kohe, si rregull pa e prekur aksin themelor, për të siguruar standarde bashkëkohore, për të ndjekur modelet më të mira të shteteve të tjerë, për t’u orientuar nga zbatimi i parimeve të sistemit të Bolonjës, që inkurajon mobilitetin e stafeve dhe të studentëve, për të përfituar nga aplikimet në projektet e organizmave evropiane, rajonale e më gjerë. Në këtë funksion është edhe zgjerimi i marrëdhënieve institucionale nëpërmjet marrëveshjeve me universitete, organizma të edukimit shkollor, qendra kërkimore e shkencore, institucione publike e private, biznese dhe banka etj.

UMSh, që ka investuar në infrastrukturë duke e shndërruar selinë e xhamtë të tij në një mjedis unikal relaksues si nga pamja e jashtme ashtu edhe nga brenda, punon intensivisht që t’i bëjë studentët e vet të ndjehen pjesë e grupit të misionarëve të zbatimit të strategjisë së integrimit të Shqipërisë në Evropë në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha fushat, ekonomi, politikë, drejtësi, zhvillimin social, kulturor etj.

Po përsa i përket zhvillimit të mësimit online, ç’mund të na thoni profesor?

Mësimi cilësor në çdo hallkë të sistemit arsimor, përfshirë edhe atë universitar, normalisht rezultatin maksimal e jep kur zhvillohet në klasë, në auditor. Ja pse shpesh dëgjohet të thuhet se mësimi, klasa, auditori janë të shenjta. Madje për këtë arsye thuhet se edhe solemniteti i uniformave që mban stafi akademik i universiteteve në raste ceremonish, rrezaton njëlloj shenjtërie edhe për shkak të përngjasimit me atë të rangjeve të larta të klerit, kurse ajo e rektorëve, të cilët në disa vende thirren magnifico rettore, me atë të kardinalëve. Por ngandonjëherë objektivisht krijohen rrethana që ky kusht të mos plotësohet. Prandaj kërkohen alternativa të tjera. Kjo ndodhi këto kohë me sistemin arsimor në Shqipëri e kudo në botë, me përhapjen e infeksionit të koronavirusit. Në UMSh pështjellimi i momenteve të para kaloi shpejt, sepse rektorati u orientua menjëherë, me qëllim që edhe në kushtet e reja niveli i mësimdhënies si dhe interesi i studentëve të mos binte. Ndikuan pozitivisht angazhimi, serioziteti dhe përgjegjshmëria e pedagogëve, studentëve dhe strukturave drejtuese, administrative dhe operative të Universitetit.

Menjëherë pas mbylljes së shkollave dhe universiteteve UMSh kaloi në veprimtarinë online. Të gjitha hallkat vazhduan punën sipas programeve mësimore e shkencore. Çdo pedagog krijoi klasën e vet virtuale (google classroom), ku të gjithë studentët janë pjesëmarrës aktivë në mësim. Vazhdojnë edhe veprimtaritë e tjera të planifikuara në fillim të vitit akademik. Po përmend si shembull atë të ditëve të fundit kur stafi akademik i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në zbatim të programit të ligjërimeve shkencore nga pedagogë ose të ftuar nga institucionet e tjera, organizoi në Google Meeting, ligjërimin e temës “Rregullimi i kohëzgjatjes se orarit të punës për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së punëmarrësit”, nga pedagogu Julian Çollaku.

Në këtë mënyrë funksionojnë edhe klubet studentore dhe shoqatat e tjera, të cilat virtualisht i japin njëfarë gjallërie jetës së studentëve në kushtet e vështira të mbylljes nëpër shtëpira. Ata lidhen dhe bashkëpunojnë me njëri tjetrin dhe eventualisht me pedagogët nëpërmjet sistemit online dhe përpiqen që, brenda hapësirave që iu lejojnë kushtet, të jenë aktivë, t’i mbushin ditët e javës me angazhime mësimore e rekreative.

Përvoja e këtyre javëve dëshmon interesin impresionues që tregohet nga studentët si edhe përkushtimin e pedagogëve. Në mbarim të orës së mësimit secili prej tyre duhet të njoftojë pjesëmarrjen (prezencën) e studentëve në mësim, aktivizimin gjatë zhvillimit të leksionit, seminarit ose formave të tjera të mësimdhënies, si dhe të bëjë vlerësimin për nivelin e orës mësimore. Si rrjedhojë Universiteti ndjehet në eficiencë për përmbushjen e detyrave të veta.

Aktualisht është koha e provimeve të ndërmjetme, të cilat studentët i kanë vlerësuar seriozisht dhe kanë arritur rezultate të kënaqshme.

Dallohet diçka qëmeriton të vihet në dukje dhe me të cilën dëshiroj ta mbyll intervistën time. Këto kohë kanë forcuar ndjenjën e solidaritetit dhe kanë shërbyer për një përmirësim të ndjeshëm të atmosferës së raporteve miqësore ndërmjet pedagogëve dhe studentëve. Pedagogët në komunikim sistematik përpiqen të jenë sa më afër studentëve për t’i inkurajuar që t’iu përkushtohen më shumë mësimeve për të kapërcyer më lehtë dhe më butë situatat që krijohen nga izolimi disa-javor në shtëpi.

Prof. Krisafi, ju faleminderit.

Edhe unë ju falenderoj.