Prof. Dr. Hektor VESHI/ Rruga e bregdetit Çorraj – Qeparo, zhbërje e frikshme e natyrës

639
Një kanal ujëmbledhës për një hidrocentral të vogël në fund të shpatit perëndimor, ana e djathtë e rrjedhës së ujërave Qafë e Dërrasës – Borsh e pret si goditje prej shpate pa mëshirë e pa shërim krejt atë shpat mali, duke kaluar në pyje, ara, shtigje këmbësore të çorriotëve, bujq, blegtorë, gjuetarë të përjetshëm në pyje e ara, pronë e vet, brez pas brezi…
Pyetje: Si u vendos atje ai banor i ri, duke u lejuar të bënte si të donte, sikur vendi të ishte shkret, “anë Saharaje”? Çfarë kontrate dhe kushte duhej t’i vendoseshin para ndërhyrjes shndërruese mbi gjithë shpatin, duke penguar çfarëdo veprimtarie në pyje dhe sidomos për prodhim bujqësor tradicional anëve të lumit? Çfarë detyrimesh kryhen në vijimësi ndaj banorëve, pronarë të ligjshëm të atij vendi? (Punësimi i 1-2 banorëve, nuk mund të quhet se nuk është shpërblim). Shteti, ose bashkia e Himarës sot e tutje, me çfarë ligjesh i harmonizon interesat e këtij investitori privat, në pronat e tjetërkujt, për të siguruar edhe bashkëjetesë normale e progres të fshatit, nga vepra me karakter industrial e të ardhura të qëndrueshme monetare?!
Ura – urëz dhe rruga – rrugëz automobilistike
Rruga automobilistike, ëndërr e realizuar me shumë mundim e kontribute financiare nga çorriotët anë e mbanë botës, por edhe me pak ndihmë nga shteti, pikërisht në segmentin fundor të saj, Bodar- rruga nacionale Borsh, paraqet dy probleme të mëdha. 
I pari, një urë e shëmtuar e pjerrët në gjatësinë vetëm 4-5 metra të saj, pa mbrojtje anësore, pa hapësirë të mjaftueshme manovrimi të automjeteve, sidomos në krahun verior, të le “pa mend” për nga rreziku që paraqet ndaj mjeteve e njerëzve, në se bien në lumë. Dhe, thonë se për këtë palo urë, janë financuar dy herë nga pesë milionë lekë të reja (!) Nuk mund të mos pyesësh me keqardhje për derdhjen e lekut të shtetit dhe cilësinë e saj ( e denjë për “Fiks fare”) që ta shohin e të venë duart në kokë tërë bota shqiptare anë e mbanë globit! Pra, cili person e ndoqi këtë investim dhe kush firmosi për ta marrë në dorëzim si objekt funksional, këtë mostër ndërtimi dhe kërcënim real për jetën e udhëtarëve me automjetet e tyre?! Shënoj se gjatë verës së shkuar janë parë të kalojnë andej pari edhe makina të vogla evropianësh kuriozë, përveç një kamionisti kurajoz kuçiot që kalon vazhdimisht andej, “me rrezik koke” për të nxjerrë bukën e gojës dhe t’ju ndihmojë sa mundet banorëve të fshatit të vet, çorriotëve etj që i lidh puna me Sarandën, Greqinë etj. Shënoj se koha e ndërtimit të urës i takon periudhës së shkuar, kur mbulohej nga komuna e Lukovës. 
Problemi i dytë: Copa e rrugës vijuese, tej urës për në xhaden nacionale është “kursyer” nga makineritë e inerteve të shtratit të lumit, duke e lënë vetëm si një shirit i ngushtë rrëzë shkëmbit të kreshtës malore me kalanë e Borshit (e Sopotit të dikurshëm) në majë. Skarpati vertikal, jo i pjerrët siç do të duhej të ishte, i lartë rreth 1.5- 2 metra mbetet kërcënues për makinat në se do të rrëshqasë, siç po ndodh kudo gjatë këtyre ditëve, nga shirat apo pesha e makinave që rastësisht mund të kalojnë. Pyetja jonë, sugjerim për zyrtarët e gjithë rangjeve përfshi edhe disa ministri, si ajo e Rregullimit të Territorit, e Mjedisit etj. është: A do të qe e udhës që firma shfrytëzuese e inerteve, të detyrohet t’i ndërtojë rrugës një mur me gurë e çimento ( jo ledh të thatë me gurë lumi faqelëmuar që nuk japin asnjë garanci qëndrueshmërie). Për ndryshe, një ditë skarpati do rrëzohet, rruga nuk do funksionojë dot dhe fjala e dhënë çorriotëve nga deputeti Koço Kokëdhima për ndërhyrje deri në asfaltim (!) të gjithë rrugës deri në Kuç, do të mbetet premtim i pa mbajtur…d.m.th., si fjala e shumë të tjerëve para tij, gjatë këtyre 25 viteve të fundit.
Firma e inerteve paska “ngrënë” edhe bahçen e bukur të Cekajve dhe mullirin e Picakut në të djathtë
Gjendja sot, mund të përcaktohet si fytyra e mjerimit ekonomik e kulturor edhe në atë kënd të Atdheut tim, që nuk duket nga rruga nacionale, por vijon në veri me luginën e veri – Sopotit ose e Çorraj-Fterrës, e pashoqe për nga madhësia, pasuritë natyrore e bukuria në tërë bregdetin Jonian të Shqipërisë. Oaz që dikur u ruajt me fanatizëm për bukurinë e pasuritë e biodiversitetit bimor e shtazor. “U zbulua” në fillim nga tregtarë të lëndës drusore jashtë vendit që kur punëtorët i pyesnin për pronarin, si mbytazi ose me gjysmë zëri, thoshin se e kishin diku lart, shumë lart në qeveri apo deputet… Si fëmijë i dikurshëm i atyre anëve, i kujtoj me dhimbje e nostalgji bahçen e madhe me portokall e mullirin që nuk pushonte natë e ditë, në të djathtë të rrjedhës së lumit. Dhe ja përse: E shihja me zili bahçen me pemë plot me kokrra portokall të verdha ari kur shkoja për të bluar drithin në mulli të Picakut. Atje vinin për ta bluar drithin e bukës së fëmijëve të vet, sidomos gra por edhe burra me kafshë ngarkuar, që udhëtonin sidomos natën në ardhje e kthim, për shkak të radhës së gjatë, qysh nga larg si Himara, Piluri e Kudhësi, ose edhe nga më afër, Borshi, Çorraji, Qeparoi e Fterra. Nuk e di as sot se kush e kishte ndërtuar atë mulli, objekt aq shumë i çmuar për bukën e familjeve dhe për veshjet e mbulesat prej leshi delesh apo dhish që rriheshin në dërstil e mangan dhe përdoreshin gjerësisht nga familjet për veshje e shtresa apo mbulesa për t’u mbrojtur nga të ftohtit. Millona ishte i urti fjalëpakë e punëshumë, çorrioti Sokrat Zhupa, që dikur edhe këmbehej me njërin ose tjetrin vëlla, Petron e Spiron. I rikujtova këta punëtorë jo thjesht për t’i bërë qejfin dikujt, por se, vetëm emrat e fshatrave nga vinin nevojtarët, tregojnë sa i rëndësishëm ishte ky objekt, të cilit tani, pothuaj mezi i gjenden gjurmët. Gërryesit e inerteve s’kanë pasur mëshirë…(!) Bota vepron me fanatizëm edhe për këto objekte. Në Bavari të Gjermanisë, kemi pasur rastin të shohim në muze një mulli bloje të drithit, jo aq i përsosur si strukturë dhe me një funksion të vetëm, bluarjen e drithit (…) Besoj se në këtë rast, do të duhej aktivizuar në mos ministria e Kulturës, Instituti i monumenteve apo ai i Kulturës popullore që ta vinin ose ta venë nën mbrojtje, në se ka mbetur diçka për ta mbrojtur. Në hapësirën e zgjeruar të lumit, dikur rritej edhe një bimë e egër, endemike, me vlera botanike, pambuku i egër, si dhe dy lloje orleandrash, me gjelbërim të përhershëm e lule të mëdha, të bardha ose rozë, që së bashku me rrepet, “tentonin” ta mbanin në gjelbërim të përhershëm edhe shtratin gurëbardhë, përherë relativisht të ngushtë të lumit. Por, kush pyet për këto bukuria e pasuria, në se nuk fitohen aty për aty, para prej tyre…Sugjerimi ynë është: kur hapen kantiere, si ky për nevoja ndërtimi, kush dhe si e bën vlerësimin e vendit dhe vendos piketat deri ku përdoruesi i pasurisë shoqërore duhet e mund të veprojë; çfarë nuk duhet të cenojë si pasuri ekonomike apo kulturore që vlen t’ju trashëgohet brezave? A nuk duhej të kishin status të lartë mbrojtjeje nga shteti vepra të tilla, si vepra krijimtarie e lehtësimi të punës për një varg brezash dhe stadin përkatës teknik të kohës?! Mendoj se po. Por…
Edhe kanali ujitës Bodar – fushë e Qeparoit qenka prishur ?!
U habita, madje më erdhi shumë keq kur pashë se edhe kanali ujitës i fushës së Qeparoit, i cili fillonte pikërisht atje, te ajo palo ura për të cilën folëm pak më lartë dhe vijonte poshtë xhades, pasi kalonte urën e Borshit, për të arritur në krye të fushës së Qeparoit. Ky kanal i betonuar në fund e anash, u ndërtua me shumë mund e djersë aty nga fundvitet ‘50 apo fillimvitet ‘60 të shekullit të kaluar nga ish-kooperativa bujqësore Qeparo – Kudhës, si nevojë e domosdoshme e ujitjes së asaj fushe. Uji që sillte ky kanal i dha një zhvillim e lulëzim ekonomik fshatit të ri, sa mund të thuhet me bindje se atëherë, ai fshat, Qeparoi edhe me shtëpitë e reja, të ndërtuara me sedër kush e kush ta ngrinte më të mirë (!) pa e kaluar xhadenë, arriti të bëhej “perla” më e bukur dhe më e pasur e bregdetit të Jonit. Jo pa arsye, madje me titull të gjetur nga aftësia si gazetar, kolegu im z. Vangjel Llazari nga Lukova, shkroi atëherë (1975) një broshurë plot frymëzim dhe e quajti zhvillimin e hovshëm të bujqësisë në fushë të Qeparoit “bujqësia me tre kate”, ku kati i parë ishte i ndryshueshëm, pasi përbëhej nga bimësi jetëshkurtër e kultivuar sipas shkencës dhe përvojës së vendësve dhe kati i dytë, i portokalltave dhe i treti, i ullinjve, ishin katet e përhershme. Por, tani, pikërisht në atë fushë, pash vetë disa ullinj mjeranë dhe tokën rreth kurorave të tyre, të shkelur pa mëshirë nga rrotat e makinave, që siç duket kishin kaluar për të shkarkuar gurët e një godine të madhe buzë detit. Aq mu dhimbs ajo pamje sa, në moment, ëndërrova prishjen e asaj godine dhe me gurët e saj, të ndërtohej një mur anës rrugës, sa për t’i krijuar fushës hijeshinë e dëshiruar nga vetë banorët, mbi të cilin, në një rrip të suvatuar të shkruhej: “Është i nëmur ai që e kapërcen këtë mur për të ndërtuar çdo lloj ngrehine afër detit. Ky vullnet apo ligj i pashkruar është shenjtëruar nga respektimi në shekuj i banorëve brez pas brezi”. Së fundi, më duhet të shënoj: Hodha në letër dëshpërimin tim, shkarkova shpirtin tim. Po të mos shkruaja, nuk do të gjeja qetësi as si qytetar i moshuar, as si specialist bujqësie e gazetar, as si studiues. Nuk preka “malin” prej rëre të imët në krye të kësaj mynxyre mbi natyrën, pasi mendova se nuk ia vlen, edhe sikur të jetë destinuar për “pedonalet” e secilit fshat. Populli vendës e turistët nuk do t’i pëlqejnë, sepse i “shijon” më shumë të shkelë mbi atë tokë, tërë bukuri e kripë deti, stolisur nga bimësia karakteristike aromashumë dhe e shëndetshme, që kënaqësinë e çon në dehje!
Sigal