Prof. Dr. Bektash Mema: Ndryshime cilësore dhe bashkëpunim me universitetet europiane

754
Prof. Dr. Bektash Mema, kandidat për rektor në Universitetin e Gjirokastrës, në një intervistë ekskluzive, paraqet platformën dhe synimet e tij, nëse do të zgjidhet në këtë post të rëndësishëm akademik

Cilat janë motivet dhe ku e bazoni pretendimin tuaj?
Eksperienca e gjatë në fushën akademike dhe administrative në këtë universitet, dëshira dhe vizioni im për të kapërcyer kohët e vështira që kemi përjetuar, nxitja dhe mbështetja e fuqishme nga një pjesë e konsiderueshme e stafit akademik janë pjesë e motivimit për të marrë këtë përgjegjësi. 
Pse duhet që stafi akademik zgjedhës, të besojë dhe votojë kandidaturën tuaj për rektor? 
Në pozicionet e zëvendës rektorit apo dekanit kam dhënë dëshmi të kombinimit të kolegjialitetit me iniciativën e vendimmarrjes. Për mua universiteti është një institucion autonom, nga çdo këndvështrim dhe nuk krijon hapësirë për hegjemoni. Universiteti pa dyshim që është një shërbim publik, pjesë thelbësore e sistemit edukativ dhe formues në zhvillimin ekonomik, civil dhe kulturor të një komuniteti. Duke afruar financimet private, duke përdorur me efektivitet maksimal financimet publike dhe duke prodhuar të ardhura për vetëfinancim, “çelësi i artë” i mbijetesës është favorizimi për ato degë që janë jetike për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të shtohen ndjeshëm kuotat për degët e tjera që të ketë shumë kontribues dhe jo taksa të larta për të mbarëvajtur normalisht funksionimin e Universitetit. Tradita e mirë më shumë se 40 vjeçare në degët e mësuesisë, do të vazhdojë të jetë një prioritet për zgjerimin, thellimin dhe ruajtjen e këtij profili duke siguruar mbrojtje dhe përkrahje nëpërmjet programeve qeveritare. Mendoj se e njoh “shtyllën vertebrore” të mbijetesës së universitetit, prandaj mendoj se kam gjithë këtë përkrahje nga kolegët.
Cilat janë risitë që parashikoni të sillni në Universitetin “Eqrem Çabej”, që aktualisht në këtë dekadën e fundit është zgjeruar edhe në disa degë të tjera, si ekonomia, turizmi, infermieria, trashëgimia kulturore?
Tek ne aktualisht përgatiten specialistë për 14 degë të ndryshme, bëhen kërkime dhe studime shkencore, por sidoqoftë ka ardhur koha për të përcaktuar prioritete, duhet t’i vështrohen me përparësi disa aspekte, si: didaktika, kërkimi, lidhja me territorin dhe faktori zhvillues. Një sfidë e madhe që na pret në të ardhmen është thithja e sa më shumë studentëve, kjo gjë, do ndikojë pozitivisht si për financat e universitetit, ashtu edhe për rritjen e ekonomisë lokale. Rritja e cilësisë dhe shtimi i studentëve përfaqëson për universitetin tonë një sfidë të rëndësishme. Trashëgimia dhe arritjet jo vetëm s’duhet të humbasin por duhet të rivlerësohet me një logjikë të re evolutive duke e kthyer në faktor kyç të zhvillimit. Prioritet e risi do të jenë degët më të rëndësishme që i nevojitet tregut të sotëm të punës duke filluar nga mësuesia, te ekonomia e duke shkuar tek infermieria. Aktualisht kemi një staf akademik prej 125 pedagogësh, prej të cilëve 12 me titull akademik “profesor-doktor”, 22 me titull “profesor i asociuar”, 37 “doktor”, 10 “docent” dhe 44 lektorë të gjithë në proces studimi doktorature. Të gjithë këta elementë mund të inspirojnë politikat e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni dhe t’u imponojë respekt institucioneve homologe dhe partnerëve brenda dhe jashtë vendit.
A keni ju një program apo platformë të shkruar, ku të jenë të shpalosura vizionet tuaja për të ardhmen e këtij universiteti?
Sigurisht që kam një platformë të plotë. Duke e konsideruar periudhën mandatore 2016-2020, si një fazë të re për Universitetin “Eqrem Çabej”, në zbatim të ligjit të ri të arsimit të lartë do të synohet ruajtja dhe konsolidimi i statusit të universitetit, si për sa i përket numrit të fakulteteve ashtu dhe niveleve të studimit. Parashikohet shtimi i disa programeve te reja, ngritja e zyrës së sigurimit të cilësisë, në kuadër të rivitalizimit të jetës akademike, por edhe të kërkesës së akreditimit synojmë të sjellim si pjesë të trupës akademike kualitete, kryesisht të doktoruar në universitetet perëndimore dhe që janë të gatshëm të kontribuojnë në jetën akademike të Universitetit. Parashikohet në program ardhja e pedagogëve të huaj të ftuar për të dhënë cikle leksionesh në universitetin tonë me synimin për ta kthyer universitetin çdo ditë e më tepër në një institucion të standardeve europiane. Ndërkombëtarizimi i programeve të studimit dhe të ketë mbështetjen e një Zyre për Kërkim dhe Zhvillim me qëllim për të zhvilluar projekte ndërkombëtare, partneritete strategjike dhe të lehtësojë aplikimet për grante kërkimore.

 Rivitalizim i marrëveshjeve me disa universitete evropiane, si Universiteti i Janinës, Patrës dhe i Selanikut (Greqi), Universiteti i Firences dhe i Maçeratës (Itali), UEJL (Maqedoni) etj, si dhe me universitete e qendra studimore brenda vendit UT, UET, Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”, QSA, Akademia e Shkencave etj. Fokusi kryesor do të jetë realizmi i diplomave të përbashkëta të ciklit të dytë dhe të tretë. Aktualisht kemi një ofertë për një diplomë të përbashkët të ciklit të dytë nga Universiteti i Maçeratës në fushën e trashëgimisë kulturore. Synoj realizimin e një diplome të përbashkët të ciklit të dytë në fushën e infiermerisë me Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”. Projekti parashikon një vlerësim të veçantë për shërbimin studentor si një prioritetet që kërkesat studentore të gjejnë rrugën e zgjidhjes në kohën më të shpejtë të mundshme. Dekani i studentëve do të kryesohet nga një pjesëtar i kualifikuar i stafit akademik që të disponojë cilësitë e nevojshme. Objekti kryesor do të jetë ofrimi i ndihmës së kualifikuar për studentët e universitetit tonë në drejtim të zhvillimit të tyre profesional, akademik e shoqëror, duke i orientuar ata drejt eksperiencave më të mira. Institucioni i dekanit të studentit do të synojë për të implementuar aspekte të tilla, si: promovimi i një ambienti sa më mikpritës e elokuent në universitet; inkurajimin e studentëve për të marrë vetë vendime dhe përgjegjësi; stimulimi i studentëve për t’u përfshirë drejt çështjeve civile të shoqërisë (lidhja e studentëve me komunitetin e qytetit dhe të rajonit); stimulimi i studentëve akademikisht të suksesshëm për t’u përfshirë në aktivitete ekstrakurrikulare e shkencore. Për studentët elitarë do të ndiqet politika e përfshirjes në shkollën e doktoraturës pranë universiteteve perëndimore, e mandej punësimi i tyre në universitetin tonë. Ofrimi i punës për studentët me rezultate të mira gjatë karrierës universitare kundrejt një pagese në bazë të orëve të punës. Duke u nisur prej faktit që studentët janë jo vetëm pjesë shumë e rëndësishme e universitetit, por edhe e qytetit, do të punohet në mënyrë të veçantë me organet vendore të rajonit, veçanërisht me Bashkinë e Gjirokastrës, si dhe me bizneset e rajonit. Në kuadrin e marrëveshjeve të nënshkruara me to, do të mundësohen lehtësira favorizuese për studentët. Në fokus kryesor do të jenë përfitimi i akseseve standardizuese dhe lehtësuese për zhvillimin e praktikës profesionale të studentëve në institucionet dhe bizneset e rajonit dhe integrimin e tyre në tregun e punës. Trinomi universitet-pushtet vendor-biznese rajonale do të jetë politikë prioritare gjatë mandatit tim. Rritja e bashkëpunimit dhe ndërtimi i urave të komunikimit, do të sjellë frytet e dëshiruara në rritjen e numrit të studentëve, por edhe në rritjen e cilësisë. 
Misionit i tretë i universiteteve është lidhja e tyre me mjedisin dhe zhvillimin rajonal, çfarë keni programuar ju si kandidat për të këtë mandat?
Projekti që kam parashtruar parashikon ngritjen e një Qendre të Zhvillimit Rajonal dhe qysh në fillimet e mandatit të përgatitet dhe miratohet një strategji dhe mandej përmes taktikave eficiente të mundësohet implementimi i synuar. Në këtë rrafsh do të rivlerësohet dhe ridimensionohet çdo vlerë që universiteti ka arritur deri tani si qendra universitare e Rajonit Jugor dhe njëherazi këto vlera do të pasurohen me elementë të rinj funksionalë dhe gjithëpërfshirës, me synimin që universiteti të jetë një qendër e hapur për të gjithë komunitetin. Për të realizuar këtë mision për të cilin kemi shumë për të bërë, Universiteti “Eqrem Çabej” nëpërmjet Zyrës për Zhvillim dhe Kërkim Shkencor do të vërë në lëvizje forcat më të kualifikuara të universitetit dhe në bashkëpunim me kualitetet e organeve vendore, bizneseve dhe shoqatave rajonale, si dhe përmes projekteve me partnerë vendas dhe të huaj, do të ridimensionojë politika të reja me fokus kryesor: implementimi i një filozofie të re në menaxhimin e pasurive të rajonit (lidhjet komunitet-territor); sjellja e vlerësimeve integruese historike-kulturore dhe peizazho-ambientaliste; vlerësimi i rajonit: si areal i prodhimit të kulturës, të argëtimit e të eksperiencave sociale; si mundësi potenciale për shfrytëzimin ekonomik dhe administrimin e ambientit; si analizë e ambientit në moment trasforimesh të vrullshme e kaotike; si zhvillim i procesit të përgatitjes së burimeve të reja njerëzore, për të vënë në lëvizje pasuritë gjithëpërfshirëse; si evidentim i raporteve të ndërsjellta midis komponentëve përbërës të territorit; si marrje në konsideratë e politikave të zhvillimit rajonal etj. Në vizionin tim zhvillimi i qëndrueshëm i Rajonit Jugor do të ketë në epiqendër një universitet në rritje, cilësor dhe të qëndrueshëm, i aftë për të menaxhuar një aleancë të qëndrueshme dhe një dialog të suksesshëm midis aktorëve kryesorë rajonal.
Sigal