Prof. Dr. Bardhyl Çipi: Viktimave nga covid-19 nuk u është bërë autopsi, duke hedhur dyshime nëse janë zbatuar protokollet e mjekimeve

548
Sigal

/Gazeta Telegraf

Në masat  mbrojtëse, janë vënë re shumë të meta në vendin tonë, sidomos në muajt e parë të shfaqjes së covid-19, janë vlerësuar shumë të rrepta, jo proporcionale, kanë qenë jo të drejta në lidhje me zbatimin e  rregullave të izolimit të njerëzve

Prof. Dr. Bardhyl Çipi, Ekspert i Mjekësisë Ligjore në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh mendimin se në masat mbrojtëse që ndërmori qeveria jonë, që në fillim të pandemisë së covid-19, kishte të meta, masat ishin shumë të rrepta, jo propocionale, jot ë drejta. Përpos këtyre,  kryesore ishin të metat menaxheriale, kontrolluese brenda spitale. Prof. Çipi shpreh mendimin se ka munguar kontrolli i duhur dhe i rreptë për ndjekjen e aktiviteteve mjekësore në kurimin e të sëmurëve, nga instancat jashtë spitaleve infektive. Prof. Çipi, si ekspert i Mjekësisë Ligjore thekson se viktimave nga Covid-19 nuk u janë bërë autopsi, për të përcaktuar shkaqet e vdekjeve, pra ka munguar edhe përcaktimi i diagnozës me saktësi më të madhe shkencore, apo për të vërtetuar nëse janë zbatuar protokollet e mjekimeve.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al: 

– Prof. Çipi, a duhet të preken të Drejtat e Njeriut, me justifikimin e masave parandaluese për të luftuar Covid-19?

– Përpara se t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja në lidhje me aspektet e ndryshme të ndjekjes së sëmundjes covid-19 në vendin tonë, mendoj se duhet të sqaroj, që trajtimin e tyre, duke mos qenë specialist infeksionist, virolog, apo epidemiolog, unë dua ta analizoj në këndvështrimin mjekoligjor dhe bioetik, që përbëjnë fushat kryesore të aktiviteteve të mia profesionale dhe shkencore, në të cilat pasqyrohen drejtëpërdrejtë idetë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe rrjedhimisht edhe të pacientit. Pra edhe për sëmundjen covid-19, të Drejtat e Njeriut të shprehura në normat e ndryshme të tyre, kanë si qëllim detyrimin për të respektuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve, ndaj kësaj  sëmundjeje ngjitëse.  Kjo do të realizohet me anën e masave mbrojtëse, me qëllim që të pengohet përhapja e saj. Mosmarrja e këtyre masave, do të konsiderohej një shkelje e të drejtave të njeriut. Por nuk duhet harruar që këto masa të mos jenë shumë të rrepta sa të prekin liritë individuale, dinjitetin e njeriut etj. Pra, për këtë sëmundje synohet që të vendoset një balancë sa më e drejtë ndërmjet këtyre masave mbrojtëse dhe mjekimit e parandalimit të covid-19, këto kundejt respektimit dhe mbrojtjes së lirive individuale, ekonomike e sociale të njerëzve.  Kjo vlen edhe  për zbatimin e tyre në spitalet covid19. Nga ana tjetër,nuk duhet harruar, se një ndikim pozitiv në mjekimin e kësaj sëmundjeje të rëndë, ka patur vetëmohimi apo vetësakrifimi i shumicës së mjekëve dhe infermjerëve, që në disa raste është shoqëruar me infektimin dhe vdekjen e mjaft prej tyre në betejën kundër kësaj sëmundjeje të re. Kjo mesa duket, ka ndikuar në zhdukjen e ndjenjës së përbuzjes, apo pakënaqësisë ndaj ushtrimit të mjekësisë te ne, që ka qenë shfaqur herë pas herë më parë. Këta mjekë dhe infermjerë, që po i respektojnë dhe zbatojnë me përpikmëri dhe këmbëngulje  parimet e etikës mjekësore, po konsiderohen si heronj të vërtetë që po përballen me sukses me covid-19.

“Një arsye tjetër e këtyre të metave, për mendimin tim, është se ndoshta mund të ketë munguar kontrolli i duhur dhe i rreptë për ndjekjen e të gjitha aktiviteteve mjekësore në kurimin e këtyre të sëmurëve nga instanca jashtë këtyre spitaleve”

– Ju si i vlerësoni masat e ndërmara nga qeveria , qysh në fillim për të parandaluar, e paskëtaj, për të luftuar pandeminë?

-Në masat  mbrojtëse, pavarësisht qëllimit të tyre për parandalimin dhe mospërhapjen e këtij infeksioni viral të rëndë, janë vënë re shumë të meta në vendin tonë. Kështu, këto masa sidomos në muajt e parë të shfaqjes së covid-19, janë vlerësuar shumë të rrepta, jo proporcionale, kanë qenë jo të drejta në raport me rrezikshmërinë e kësaj sëmundjeje, sidomos në lidhje me zbatimin e  rregullave të izolimit të njerëzve për t’ u mbrojtur nga prekja prej këtij virusi. Kjo rreptësi izoluese është shfaqur sidomos edhe në spitalet covid-19, për të cilat ka patur  ankesa dhe akuza të shumta: akuza që të sëmurëve me covid-19 nuk u jepet sasia e duhur e oksigjenit, ose u jepet dozë e madhe që të vdesin më shpejt,  akuza që është fshehur numri i vdekjeve, mungesa e informimit të pacientëve dhe moslejimi  që të mbajnë telefona celularë për të komunikuar me të afërmit dhe miqtë e tyre, ndikimi i këtij izolimi në suicidet e disa prej tyre nga hedhja prej ballokneve të spitaleve, apo vjedhja e disa pacientëve nga personeli mjekësor. Të gjitha këto akuza tregojnë se duhet të ketë diçka që nuk shkon në këto spitale, e cila ja ul vlerën    përkushtimit të personelit mjekësor.

– Konkretisht, sipas jush, cilat ishin të metat e menaxhimit të situatës nga qeveria?

– Një arsye e këtyre shfaqjeve negative, unë mendoj se duhet të kenë qenë të metat menaxheriale, kontrolluese të brendshme në drejtimin e këtyre spitaleve.  Kështu ndodhja e përsëritur e disa ngjarjeve të hidhura të vdekjeve suicidale të disa pacientëve, si një shfaqje e ndërlikimeve të kësaj sëmundjeje, në terrenin kjo të izolimit ndaj këtyre pacientëve, kërkonte një reagim më të fuqishëm nga ana e këtyre spitaleve në drejtim të forcimit të komunikimit të personelit mjeksor me të sëmurët, ndjekjes të çrregullimve psikike nga mjekët specialistë, apo marrjes së masave të tjera mbrojtëse.

– Sipas mendimit tuaj, përse në spitalet e infektimit, të ketë kaq mungesë informimi, pacientëve të mos u lejohen as telefonat të komunikojnë edhe me kamera me familjarë?

– Në lidhje me moslejimin e pacientëve për të mbajtur celularët, nga verifikimi që kam bërë, më rezulton, që këtyre pacientëve në të vërtetë  u lejohet përdorimi i celularit për të komunikuar me të afërmit e tyre, me përjashtim të rasteve shumë të rënda, kur pacientët nuk janë në gjendje t’i përdorin ato. Por një arsye tjetër e këtyre të metave, apo defekteve, për mendimin tim, është se ndoshta mund të ketë munguar kontrolli i duhur dhe i rreptë për ndjekjen e të gjitha aktiviteteve mjekësore në kurimin e këtyre të sëmurëve nga instanca jashtë këtyre spitaleve. Ky kontroll përfshin edhe atë  të ministrisë së shëndetësisë, urdhrit të mjekut etj. Kjo siç duket edhe për shkak të hezitimit për t’ju afruar këtyre spitaleve nga frika e infektimit prej covid-19. Mua më kujtohet një aktivitet i disa  viteve më parë, i organizuar nga Urdhri i Mjekut Shqiptar, ku unë mora pjesë aktive në verifikimin në bazë të kartelave mjekësore, të vdekjeve në të gjitha shërbimet e QSUT për një periudhë shumëvjeçare.

Prof. Çipi, a mendoni se  tek ne bëhen autopsi (qoftë edhe herë pas here) për viktimat, të cilët deklarohen se shkaku i vdekjes është covid-19?

– Një prej hallkave kryesore të këtij kontrolli do të ishte edhe kryerja e autopsive e të vdekurve në spitale nga sëmundja covid-19. Për fat të keq, ajo që bie menjëherë në sy, është se nuk rezulton që të jetë kryer ndonjë autopsi e tillë (përjashto ndonjë rast ku vdekja ka ardhur nga rrëzimi prej së larti suicidal, apo të ndonjë vdekje të papritur në shtëpi pas daljes nga spitali). Siç dihet, autopsia ndihmon në përcaktimin e saktë shkencor që vdekja ka ardhur nga infeksioni prej këtij virusi dhe jo nga ndonjë shkak tjetër; ndihmon në  përcaktimin me saktësi shkencore të shkallës së prekjes nga kjo sëmundje të organeve të ndryshme të trupit të njeriut, si dhe shumë probleme të tjera me vlera të mëdha studimore, në lidhje me vërtetimin e saktë të sëmundjeve preekzistuese, ndikimit të tyre në ardhjen e vdekjes etj. Në vendet e tjera, p.sh. në Itali, Gjermani, Svicër, pavarësisht nga frika e infektimit, janë kryer shumë autopsi të të sëmurëve që kanë vdekur nga covid-19. Madje, në shumë raste, nga këto autopsi të kryera në Itali janë zbuluar se shkaqet e vdekjeve nuk ka qenë infeksionet nga ky virus, por mjekimi i gabuar nga ana e mjekëve. Në të vërtetë, në vendin tonë, para viteve 1990, çdo të sëmuri që vdiste në spital, i kryhej autopsia, e cila e pasuar me kryerjen e analizës anatomo-klinike pas nxjerrjes së rezultatit të autopsisë, me pjesëmarrjen e mjekëve klinicistë dhe atyre që kryenin autopsinë, përcaktonte me saktësi shkencore shkakun e vdekjes, gjë që  përbënte edhe një lloj kontrolli në mjekimet spitalore, duke i shërbyer kështu edhe zbatimit të përpiktë të protokolleve përkatëse dhe përmirësimit  të këtyre mjekimeve etj.

“Kryerja e autopsive të vdekjeve ga covid-19, padyshim që do të rriste përcaktimin e kësaj diagnoze me një saktësi më të madhe shkencore, si dhe nëse protokollet e mjekimeve janë zbatuar me rreptësi ose jo”



– A mendoni se  në spitalet tona infective ka abuzime me numrin e vdekjes, qoftë në zvogëlimin e numrit të vdekjes në këtë periudhë pandemie?

– Kryerja e autopsive të vdekjeve nga covid-19, padyshim që do të rriste përcaktimin e kësaj diagnoze me një saktësi më të madhe shkencore, si dhe nëse protokollet e mjekimeve janë zbatuar me rreptësi ose jo. Kjo aq më tepër që sot shpesh herë bëhen akuza publike për fshehjen e rasteve të këtyre vdekjeve, apo shtimin e tyre artificial, që mund të kenë ndodhur për shkak të fshehjes të qëllimshme të diagnozës covid-19, prej instancave shtetërore përkatëse, pikërisht nga moskryerja e autopsive, kontrollove të kartelave dhe hetimit zyrtar të tyre.

– Ka disa akuza, që të sëmurëve me Covid-19, në spitale nuk u jepet sasia e duhur e oksigjenit,  ose, u jepet dozë e madhe, që të vdesin më shpejt. 

– Akuza, që të sëmurëve me covid-19 nuk u jepet sasia e duhur e oksigjenit, ose u jepet dozë e madhe që të vdesin më shpejt, do të zgjidhej nga ndjekja nga prokuroria e këtyre rasteve, e shoqëruar sigurisht edhe me kryerjen e autopsisë. Më në fund, në lidhje me autopsinë, duhet kujtuar fakti, që në vendin tonë sot kryhen  autopsitë e të gjithë personave të burgosur, të ndaluar apo të arrestuar që kanë vdekur në insitucionet e burgjeve, pavarësisht nga shkaku i vdekjes: natyral, aksidental ose  qëllimshëm, apo nga një sëmundje etj. Kjo, për arsyen se këtyre shtetasve u është hequr liria dhe mbahen të  izoluar në burg, pra ata janë në ngarkim të shtetit që ka përgjegjësinë për mbarëvajtjen e tyre. Autopsia në këtë rast ka  si qëllim përcaktimin e shkakut të vërtetë të vdekjes, që do të shërbejë që raste të tilla vdekjesh të qëllimshme mos të përsëriten, të sigurohen dhe mbrohen të burgosurit e tjerë, të informohen të afërmit, si dhe të sigurohen autoritetet publike në plotësimin e detyrimeve të tyre. Për analogji, edhe për pacientët e shtruar në spital nga covid-19, që u janë kufizuar liritë e tyre, dhe ndodhen në një gjendje izolimi, në rast se vdesin, a nuk do të ishte e nevojshme kryerja e autopsisë së tyre, meqenëse ata janë tani nën mbrojtjen e institucionit shtetëror, aq më tepër kjo në situatën e ankesave dhe akuzave të ngritur në shtyp në drejtim të mjekimit të këtyre pacientëve nga ana e personelit mjekësor ?

–  Prof. Çipi, sipas jush, si e vlerësoni menaxhimin e situatës së pandemisë nga qeveria jonë?

– Nga qeveria jonë janë bërë të gjitha përpjekjet për një menaxhim sa më të mirë të situatës së pandemicë covid-19. Por janë vënë re shumë të meta në lidhje me masat mbrojtëse ndaj këtij infeksioni viral. Kështu, këto masa jnë muajt e pare të pandemisë, anë vlerësuar shumë të rrepta, si p.sh.ato të lejes vetëm të një anëtari të familje për të dalë vetëm një orë në ditë përjashta, mbyllja e shkollave, ndalimi i aktiviteteve, kufizimi i lëvizjes së individëve: vetëm në orare dhe ditë të caktuara dhe me leje të posaçme, kufizimi i transportit ajror dhe detar, mbyllja e transportit ndërqytetas dhe kufizimi i atij brenda qytetit e shumë e shumë të tjera. Ato kanë ndikuar në rritjen e papunësisë për disa kategori në vendin tonë, në dëmtimin e ekonomisë, apo në shkeljen e të drejtave të njeriut. Një tjetër shkelje ka qenë ajo e mosrespektimit të parimit etik të  konfidencialitetit të të prekurve ose të vdekurve nga kjo sëmundje, pa miratimin e personit të prekur. Të gjitha këto masa u shpallën në një sërë urdhrash, aktesh, vendime Kuvendi, etj. Nga pikëpamja juridike, akuzat për ashpërsinë që kanë patur ndryshimet në Kodin Penale për pandeminë covid-19 në vendin tonë, sipas mendimit të juristëve të vendit tonë, mbështeten në këto argumente.

-Dënimet e dhëna në to, njëkohësisht me gjobë dhe burgim, sipas gjykatës  kushtetuese, nuk janë në përputje me Kushtetutën, ndërkohë që në ligjin për HIV/AIDS parashikohet vetëm dënimi me gjobë.

-Në këto dënime mungon një raport i drejtë ndërmjet rrezikshmërisë së veprës penale dhe shkallës së fajit të autorit, në rastin kur ai është mbartës i covid-19, ndaj rasteve kur ai nuk është i tillë. Kjo do të ndikojë negativisht në përcaktimin e masës së dënimit në proporcion me shkallën e fajësisë të të akuzuarit.

-Më në fund, masa maksimale e dënimit prej 8 vitesh burgim (neni 89/b/3), nuk duket të jetë e justifikuar dhe as e argumentuar. Këto masa dënimesh janë shumë më të ashpra, përshembull, në krahasim me Italinë dhe Francën, ku dënimet janë shumë më të lehta: me gjobë ose burgim deri në 6 muaj, me përjashtim të rasteve të rënda, ku dënimi me burg është deri në 5 vjet. Përveç kësaj, po të krahasohet me HIV/AIDS në lidhje me mjekimin e pakujdesshëm (neni 96 § 2 i Kodit Penal), ku dënimi maksmal është 7 vjet, ky dënim 8-vjeçar për covid-19, i kryer nga një qytetar i thjeshtë, do të jetë disproportional me dënimin më të lehtë nga HIV/AIDS, i kryer nga personeli mjekësor që është i përgatitur dhe i specializuar për të shmangur infeksione të tilla.

“Një prej hallkave kryesore të këtij kontrolli do të ishte edhe kryerja e autopsive e të vdekurve në spitale nga sëmundja covid-19. Për fat të keq, ajo që bie menjëherë në sy, është se nuk rezulton që të jetë kryer ndonjë autopsi e tillë.” 

– A qëndron kritika ndaj qeverisë, se nuk bëhen testime masive, për të kamufluar gjendjen reale të pandemisë në Shqipëri?

– Një nga kritikat kryesore që i është bërë shëndetësisë së vendit tonë, është se numri i testimeve të kryera te ne, ka qenë në fillim  shumë herë më i vogël se i vendeve të tjera. Kjo ka bërë që shumë raste të mos zbuloheshin,  pra edhe raportimet e përditshme të prekjes nga kjo sëmundje të mos kenë të sakta, por më të pakta sesa ishin në të vërtetë. Sipas logjikës më elementare, pa hyrë në parimet e shkencës së epidemiologjisë, sa më shumë testime të kryhen, aq më shumë raste të reja me covid-19 do të zbulohen. Përshembull, supozojmë se në një kontigjent prej 100 personash, 30 prej tyre janë të prekur nga covid-19. Nëse do të kryheshin testimet e të gjithë këtyre njerëzve do të zbuloheshin të 30 të prekurit prej këtij virusi. Nëse do të testoheshin vetëm një pjesë prej tyre, saktësia e këtij përcaktimi do të ulej në proporcion me pakësimin e numrit të testimeve në këtë grup njerëzish. Prandaj të bënte  përshtypje këmbëngulja e vazhdueshme e përfaqësuesve të shëndetësisë tonë në fillim të pandemisë, që nuk e pranonin  këtë logjikë të thjeshtë dhe të mos pohonin me ndershmëri se bëhen pak testime, për arsye se kaq është mundësia e sigurimit të këtyre testeve nga shëndetësia e vendit tonë. Përkundrazi, ata përpiqeshin me argumente të stisura epidemiologjike apo statistikore, të justifikonin këtë numër të paktë testimesh që kryheshin te ne, në krahasim me vendet e tjera të botës.

– Reagimi i Prof. Tritan Kalo, si anëtar i Komitetit të Ekspertëve, se është qeveria që vendos për masat shtrënguese dhe jo Komiteti i Ekspertëve, a mendoni se rrëzon propagandën e qeverisë?

– Në lidhje me reagimin e Prof.Tritan Kalo që ka shfaqur mendimin se “ka pasur abuzim me funksionin e komitetit të ekspertëve, që shpesh herë është pëdorur nga politika si një mburojë për vendimet e vëna në diskutim nga mjekët apo ekspertët e shëndetësisë”, unë mendoj se ai është i drejtë. Kjo, sepse komiteti bën vetëm vlerësime  dhe propozime, ndërsa qeveria vendos, jep vendime që nëpërmjet organizmave ligjzbatuese si policia, prokuroria etj. do të sigurojë që ato të zbatohen. Këto vendime të qeverisë, mund të kenë qenë shpesh herë më të rrepta ose më të lehta, sesa propozimet e komitetit.

– A duhet që qeveria jonë të interesohet të garantojë vaksina edhe nga Kina, Rusia, derisa Kompanitë Farmaceutike nga SHBA po vonojnë shumë sjelljen e vaksinave të tyre? A rrezikohet popullsia në Shqipëri nëse kalohet shumë kohë 1-2 vite, sa SHBA të na sjellë vaksinat?

– Për sa i përket çështjes së vaksinës, sigurimi i së cilës është jetik për mbrojtjen e popullsisë të vendit tonë nga kjo sëmundje e rëndë vdekjeprurëse, duhet të bëhen të gjitha përpjeket që kjo vaksinë të sigurohet pa dallim nga çdo shtet, përfshirë dhe Kinën dhe Rusinë. Sa më shumë vaksina të ketë, aq më shumë do të mbrohet jeta e qytetarëve të vendit tonë. Por nuk duhet harruar që përdorimi i kësaj vaksine është në fillimet e tij në të gjitha vendet e botës; nuk dihet ende sesa do të jetë veprimi mbrojtës afatgjatë i saj ndaj këtij virusi, aq më tepër që sot po shfaqen forma të reja të covid 19, nga mutacionet që po pëson ky virus.

-Faleminderit!