Prof. Bajram Hysa: A ka oligarkë në Shqipëri?

351
Sigal

 

Ekonomia shqiptare kontrollohet në mënyrë të konsiderueshme nga oligopolistët dhe monopolistët, të cilët nuk duan të dinë për kërkesën dhe ofertën, por në të kundërt përdorin fuqinë e tyre të tregut për të manipuluar çmimet sipas interesave të tyre egoiste

Kryeministri Rama është shprehur ditët e fundit se “Në Shqipëri nuk ka oligarkë dhe se kjo është një fjalë e futur si gogol për t’u krijuar njerëzve idenë se këtu janë ca forca të errëta që po u “pinë” gjakun, për të sjellë atë hijen e kulakut”.

***

Ekonomia shqiptare kontrollohet në mënyrë të konsiderueshme nga oligopolistët dhe monopolistët, të cilët nuk duan të dinë për kërkesën dhe ofertën, por në të kundërt përdorin fuqinë e tyre të tregut për të manipuluar çmimet sipas interesave të tyre egoiste dhe të ngushta. Sipas fjalorit “oligopolist” do të thotë “një ndër pak shitës”. Këtej rrjedh edhe termi “oligark”.

Se cili është ai mall në tregun shqiptar që ka vetëm pak shitës dhe a ka situatë oligopol në vendin tonë, mjaft të shikoni stacionet e furnizimit me karburant. Përse duhet të jemi në mëshirën e  e 2-3 shitësve pa pasur asnjë alternativë tjetër?

Le të shqyrtojmë edhe termin “monopol”. “Monopol” është kompozitë e dy fjalëve greke që do të thotë “një shitës”. Përderisa shoqëritë e naftës gëzojnë privilegje ekskluzive shitjeje që u janë dhënë nga qeveria dhe që që u janë refuzuar të tjerëve, ato gëzojnë privilegjin e fuqisë monopoliste, duke shpërfillur rregullat e konkurrencës. Monopolistët në Shqipëri janë të vetmit tregtarë legalë, të cilëve qeveria, në mënyrë ekstensive, u ka dhënë privilegje të veçanta, të cilat kufizojnë konkurrencën. Nëqoftëse monopolet dhe oligopolet janë të padëshirueshme për qeverinë, atëhere përse ajo përpiqet të mbrojë shitës të veçantë nga konkurrenca që do të krijonin firma të tjera? Çmimi i monopolit është në çdo rast më i larti që mund të merret. Sipas të dhënave të analizuara nga Open Data në shkurt të 2022, Shqipëria bën pjesë në 19 shtetet me çmimin më lartë të naftës në botë, rankuar më shtrenjtë se Spanja, Luksemburgu, Greqia, Austria dhe Hungaria. Ndërsa në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria renditet vendi me çmimin më të lartë të naftës.

Qeveria, duke synuar një perspektivë “popullore” mbi ofertën dhe kërkesën, bën “shou” gjoja duke imponuar çmime të administruara për shitjen e naftës dhe produkteve të naftës, me pretekstin se kontrolli i çmimeve synon të kufizojë kompanitë e naftës nga marrja e fitimeve të mëdha të pamerituara në kurriz të konsumatorëve me të ardhura të ulëta. Në të vërtetë të gjitha çmimet janë të “administruara” nga shitësit brenda kufizimeve të imponuara nga gjendja e tyre. Qeveria nuk është një fuqi e dërguar nga qielli që të mund të zgjidhë vështirësitë në mënyrë aq magjike. Dihet që konkurrenca nuk mund të kufizohet te shoqëritë kapitaliste, ose te shoqëritë që përdorin paranë. Konkurrenca vjen nga pamjaftueshmëria dhe mund të eliminohet vetëm me eliminimin e pamjatueshmërisë. Çfarë mund të ndodhë kur nafta e benzina bëhen të pamjaftueshme, por çmimi i saj monetar nuk lejohet të rritet? Komitetet, që ndërhyjnë në sistemin e çmimeve janë mjete propagandistike, për të arritur perspektiva afatshkurtra politike, ndaj nuk mund të presim rezultate prej tyre. Shteti, me çmimet e ngrira, po shkëput një lidhje themelore në sistemin shoqëror të përshtatjes dhe të bashkëpunimit reciprok, ku konkurrenca imponon kufizime të përshtatshme në rrethana të caktura. Të gjitha çmimet janë të vendosura mbi bazën e kërkesës dhe ofertës. Problemet tona ekonomike janë boll komplekse edhe pa i komplikuar më tej, duke përdorur terma populistë që nuk gjenerojnë dritë në fund të tunelit.