Procedurat e pranimit dhe regjistrimit për specializimet në Universitetin e Mjekësisë

3119
Për vitin akademik 2017-2018, Tiranë
Në mbështetje të neneve 18, 70, 71, 77 dhe 89 të ligjit nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të Vendimit nr. 19, datë 5.3.2018 të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë “Për shpërndarjen e kuotave të pranimit dhe tarifat e shkollimit, në programet e specializimeve afatgjata, në fushën e mjekësisë, për vitin akademik 2017-2018”, dhe VKM-së nr. 1013, datë 10.12.2010 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP)”, i ndryshuar me VKM nr.371, datë 26.4.2017, sot Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA),

UDHËZOJ:
1. Kandidatët aplikojnë për një program specializues afatgjatë në fushën e mjekësisë, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë (UMT), në vitin akademik 2017-2018, në zbatim të Vendimit nr. 19, datë 5.3.2018 “Për shpërndarjen e kuotave të pranimit dhe tarifat e shkollimit, në programet e specializimeve afatgjata, në fushën e mjekësisë, për vitin akademik 2017-2018” të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, nga data 12 mars-21 mars 2018. Procedurat e aplikimit, përzgjedhjes dhe konkurrimit bëhen konform rregullores së specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë të miratuar, nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë me Vendimin Nr. 88,datë 16.11.2016, i ndryshuar.

2. Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë Dentare, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, të organizojnë procesin e pranimit dhe të regjistrimit të kandidatëve në specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë. Procesi monitorohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

3. Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e specializimeve afatgjata, në fushën e mjekësisë, kandidatet që:

a. Kanë përfunduar në Republikën e Shqipërisë me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë
“Master i Shkencave”, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit te profesionit në Republikën e Shqipërisë;

b. Janë diplomuar jashtë vendit në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave” dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë MASR, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Republikën e Shqipërisë.

4. Për të aplikuar në programet e specializimit afatgjatë për të cilat j anë parashikuar kuota sipas tabelës nr. 1 dhe 2, bashkëlidhur Vendimit nr. 19, datë 5.3.2018 “Për shpërndarjen e kuotave të pranimit dhe tarifat e shkollimit, në programet e specializimeve afatgjata, në Fushën e mjekësisë, për vitin akademik 2017-2018” të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, kandidatët duhet të kenë përfunduar një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave” në fushën e mjekësisë.

Të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e parashikuara në rregulloren përkatëse të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë.

5. Kandidati paraqitet personalisht për të bërë aplikimin dhe dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:
a. Formular aplikimi, sipas modelit të parashikuar në Shtojcën nr. 1, bashkëlidhur këtij udhëzimi (kandidatët që aplikojnë për transferim studimesh plotësojnë formularin sipas modelit të parashikuar në shtojcën nr. la);
b. Letër motivimi i/e aplikantit;
c. Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm, kartë identiteti ose pasaportë:

d. Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e diplomës universitare, të programit të studimit të programit të integruar të studimeve të ciklit të dytë, dhe listës / listave të notave. Për rastet e diplomave të huaja paraqitet kopje e njësuar me origjinalin e vërtetimit të njohjes në Republikën e Shqipërisë, e shoqëruar me diplomën /diplomat dhe listën / listat përkatëse të notave ose të një dokumenti tjetër të vlefshëm për regjistrimin në Universitet në vendin ku janë kryer studimet, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë përkatës. Në rast se njohja e diplomës nuk ka përfunduar ende, kandidati paraqet vërtetim që ka dorëzuar dokumentacionin për njohje në organin kompetent, dhe duhet të dorëzojë dokumentin e njohjes jo më vonë se data e parashikuar për testimin e informatizuar, si dhe përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni i Vlerësimit;

e. Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, sipas përcaktimit në rregulloren përkatëse të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë përkatësisht “Të zotërojë të paktën një nga gjuhët e huaja (anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht) në nivelin B2, si kriter minimal në programet e studimit të ciklit të tretë të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, me kusht që afati i fundit për paraqitjen e shlyerjes së gjuhës së huaj në nivel C1, sipas akteve nënligjore në fuqi, për këtë kategori studentësh të jetë përpara përfundimit të vitit të parë akademik të programit përkatës.

f. Fotokopje e noterizuar e licencës për ushtrimin e profesionit në Republikën e Shqipërisë dhe e dëshmisë së regjistrimit në Urdhrin profesional përkatës;
g. Dëshmi penaliteti e vlefshme;
h. Mandat pagesën për tarifën e konkurrimit prej 5,000 (pesëmijë) lekë;
i. Kandidatët që aplikojnë për kuotat e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, dorëzojnë letër mbështetëse të ministrisë përkatëse sipas formatit të parashikuar në Shtojcën nr. 2, bashkëlidhur këtij udhëzimi; j. Dy foto personale.

6. Dekanatet brenda datës 26 mars 2018 shpallin në faqen zyrtare Web të fakulteteve dhe/ose UMT- së listën emërore të kandidateve të regjistruar për konkurrim, të cilët plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në procesin e konkurrimit. Kandidatët brenda 2 ditëve nga shpallja verifikojnë listën emërore dhe, në rast pasaktësish, bëjnë kërkesë për saktësim pranë dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë dhe Mjekësisë Dentare brenda datës 29 mars 2018. Dekanatet pas kryerjes së verifikimeve shpallin brenda datës 31 mars 2018 listën përfundimtare të kandidatëve, si dhe kalendarin e zhvillimit të intervistave me gojë dhe testimit të informatizuar. Datat e zhvillimit të testimit të informatizuar konsultohen me QSHA lidhur me disponibilitetin për zhvillimin e testimit të informatizuar. Listat e studentëve të ndara sipas datave përkatëse të zhvillimit të intervistës me gojë dhe në vijim të testimit të informatizuar përcaktohen me short. Listat përfundimtare dhe kalendari i zhvillimit të testimit të informatizuar i dërgohen QSHA dhe MASR brenda kësaj datë sipas formatit të kërkuar nga QSHA, Kandidatët duhet të kryejnë intervistën me gojë dhe më pas testimin e informatizuar.

7. Komisionet e intervistës krijohen në bazë shorti ditën e parashikuar për zhvillimin e intervistës, para zhvillimit të saj. Kombinimi i listës së studentëve që do të intervistohen në një datë të caktuar me një nga Komisionet e Intervistës të ngritura, përcaktohet me short, një orë përpara zhvillimit të intervistës, në prani të kryetarëve të komisioneve përkatëse. Për hedhjen e shortit Dekanët ngrenë komisionin e shortit. Ky proces monitorohet nga Komisioni i Vlerësimit.

8. Konkurrimi fillon më datën 4 prill 2018 me intervistën me gojë. Rezultatet e intervistës me gojë shpallen nga Komisioni pas aprovimit nga Dekanët. Dekanët shpallin rezultatet përfundimtare të intervistës me gojë në faqen Web të fakulteteve përkatëse dhe UMT-së, si dhe në ambientet e fakulteteve dhe rektoratit brenda 2 ditëve pune nga përfundimi i intervistës me gojë.
9. Testimi i informatizuar fillon jo më parë se 30 ditë nga publikimi i fondit të pyetjeve, për kandidatët që kanë kryer intervistën me gojë. Testimi i informatizuar në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA) sipas kalendarit të përcaktuar dhe publikuar nga Dekanatet, bazuar në disponibilitetin e ambienteve të testimit të përcaktuara nga QSHA.
10. Ditën e zhvillimit të provimit, kandidatët duhet të kenë parasysh rregullat e mëposhtme:
a) të jenë të pajisur me dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe me një fotokopje të saj;
b) të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit/testimit;
c) ndalohet mbajtja dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi;
d) ndalohet duhani dhe konsumimi ushqimit në mjediset e provimit;
e) ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.
Sallat e provimit mbikëqyren nga një ose më shumë administratorë, të cilët janë përgjegjës për
mbarëvajtjen e provimit /testimit sipas percaktimeve në rregulloren përkatëse të specializimeve dhe këtij udhëzimi. 

11. Qendra e Shërbimeve Arsimore si autoritet në varësi të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, kryen dhe zbaton procedural për zhvillimin e provimeve të specializimit, përmes teknologjisë digjitale.

QSHA lidhur me zhvillimin e provimeve të specializimit, kryen sa më poshtë:
a) Digjitalizon fondin e pyetjeve për çdo specialitet të miratuar nga Komisioni i Vlerësimit.
b) Harton në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetit të Mjekësisë Dentare të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, grafikun e datave të provimeve.
c) Publikon listat e kandidatëve sipas datës dhe orarit të caktuar për zhvillimin e provimit.
d) Verifikon identitetin dhe dokumentet përkatëse të kandidatëve pjesëmarrës në provimet e specializimit.
e) Siguron kushte të përshtatshme në sallat e provimit për zhvillimin e provimit të specializimit përmes teknologjisë digjitale.
f) Siguron kushte të përshtatshme për kandidatët me aftësi të kufizuara fizike.
g) Merr masa për hartimin e formatit të testit sipas përcaktimit të bërë nga Komisioni i Vlerësimit.
h) Mban procesverbale për çdo vendimmarrje gjatë procedurave të zhvillimit të provimeve të specializimit, deri në shpalljen e rezultateve.
i) Dërgon rezultatet e provimit të specializimit pranë Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
12. Në përfundim të testimit të të gjithë kandidatëve, komisioni i vlerësimit përgatit listën përmbledhëse të meritës me rezultatet kumulative të intervistës, testimit të informatizuar dhe notës mesatare, duke renditur kandidatët sipas pikëve në rend zbritës, sipas tabelës së paraqitur në Shtojcën nr. 3 dhe 4 bashkëlidhur. Tabela më sipër miratohet nga Komisioni i Vlerësimit, shpallet dhe afishohet në vende të dukshme, brenda 2 ditëve nga përfundimi i testimit të informatizuar, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, si dhe ne faqet Web të fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Mjekësisë Dentare të UMT-së. Vlerësimi me pikë i kandidatëve bëhet konform rregullores përkatëse të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë. Kandidatët mund të ankimojnë rezultatin brenda 2 ditëve nga shpallja e listës paraprake. Komisioni i vlerësimit merr në shqyrtim ankimimet dhe prononcohet brenda 3 ditëve me vendimin përkatës,

13. Zgjedhja e programit të specializimit afatgjatë bëhet brenda 2 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare, përfshirë dhe procedurat e ankimimit sipas afateve të përcaktuara në rregulloren e specializimeve. Të drejtën e regjistrimit si fitues e kanë aq persona sa janë edhe kuotat e caktuara në programin e Specializimit përkatës, sipas rendit zbritës të pikëve totale.

14. Zgjedhja e specializimit bëhet në mënyrë transparente, nga vetë kandidatët fitues, sipas rendit zbritës të pikëve në listën përfundimtare, të ndërtuar në bazë të pikëve të fituara nga çdo kandidat, si dhe në përputhje me kuotat e Vendimit të Senatit Akademik përkatës, në prani të Komisionit të Vlerësimit, të drejtuar nga Dekanët, ose përfaqësuesi i tij, me praninë e të interesuarve (në grupe me nga 5 konkurrues).

15. Regjistrimi i kandidatëve në programet e specializimit afatgjatë ku janë shpallur fitues bëhet brenda 7 ditëve nga data e përzgjedhjes së specializimit.
16. Transferimet e studimeve do të kryhen në zbatim të pikave 7 dhe 8 të Vendimit nr. 19, datë 05.03.2018 të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë “Për shpërndarjen e kuotave të pranimit dhe tarifat e shkollimit, në programet e specializimeve afatgjata, në fushën e mjekësisë, për vitin akademik 2017-2018”.

Kandidati, në momentin e aplikimit, veç sa është parashikuar në pikën 5 të këtij udhëzimi, dorëzon dhe kopje të noterizuar të dokumentacionit si më poshtë:

a) Planin e plotë të programit të studimit specializues të ndjekur;
b) Vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, si dhe syllabuset përkatëse për lëndët e shlyera, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur dhe /ose vërtetim vlerësimi për periudhat e praktikave dhe frekuentimin e aktiviteteve të parashikuara në programin specializues të ndjekur.

Studentët që transferojnë studimet nga LAL e huaja, dokumentacioni sipas shkronjës a dhe b të kësaj pike, duhet të dorëzohet i i përkthyer në gjuhën shqipe dhe i njësuar me origjinalin.

Aplikimet për transferimin e studimeve shqyrtohen nga Komisioni i Vlerësimit në të njëjtat data me aplikantët e tjerë të përcaktuara në këtë udhëzim.

17. Kandidati transferohet në vit të parë ose të dytë, por jo më lart se viti i dytë i studimeve. Kandidatët që plotësojnë kriteret për tu transferuar, vlerësohen për periudhën e specializimit të kryer dhe ekuivalentimin e saj, si dhe të krediteve të përfituara gjatë studimeve të mëparshme duke i përcaktuar vitin se ku mund të transferohet eventualisht kandidati.

Në vijim, nëse numri i kandidatëve që kanë aplikuar dhe që plotësojnë kriteret është më i madh se numri kuotave të përcaktuara në programin specializues, për të cilin parashikohet kuotë transferimi, kandidatët i nënshtrohen procedurave të konkurrimit si të gjithë kandidatët e tjerë, duke konkurruar brenda numrit të kuotave të përcaktuara për transferimet dhe shpërndarjes së tyre.

Për kandidatët që kërkojnë të transferohen nga programe specializimi për të cilat kanë përfituar kuotë të mbuluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apo Ministritë e tjera, duhet të merret miratimi paraprak për transferim nga Ministria me të cilën është lidhur kontrata e mëparshme. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shprehet, gjithashtu, për rastet kur kandidatët kërkojnë të transferohen nga një program specializimi për të cilin nuk kanë lidhur kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në një program specializimi që parashikon kuotë të mbuluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

18. Regjistrimi i kandidatëve që transferohen në programet e specializimit afatgjatë ku janë shpallur fitues bëhet brenda 7 ditëve nga data e shpalljes. Në mungesë të regjistrimit të kandidatëve për transferimet e studimeve brenda këtij afati, e drejta e regjistrimit i lind kandidatit të renditur më poshtë në listën e meritës së kandidatëve. Regjistrimi mbyllet në çdo rast brenda afateve të përcaktuara në këtë udhëzim.

Kandidatët që do të regjistrohen në kuadër të kuotave të transferimit duhet të dorëzojnë dhe dokumentin e çregjistrimit nga programi i specializimit ku transferohen. Në rastet e transferimit nga programe specializuese jashtë vendit, në pamundësi të depozitimit të vërtetimit të çregjistrimit brenda afateve të parashikuara për regjistrim, kandidati regjistrohet
me rezervë deri në depozitimin e vërtetimit përkatës. Nëse kandidati nuk e depoziton dokumentin e çregjistrimit brenda një muaji nga data e shpalljes së fituesve, Fakulteti çregjistron kandidatin dhe mund të vijojë me regjistrimin eventual të kandidatit vijues në listën përkatëse.

19. Brenda 15 ditëve punë nga regjistrimi i kandidatëve fitues, UMT i dërgon QSHA-së, në rrugë postare, listën e studentëve specializantë të regjistruar, në formë shkresore dhe elektronike në format excel, me qëllim pajisjen me numër matrikullimi në zbatim të Udhëzimit nr. 45, datë 19.12.2011 “Për gjenerimin dhe dhënien e numrave të matrikullimit” i ndryshuar.

20. Kandidati nuk mund të ndjekë njëkohësisht dy programe studimi në IAL publike dhe/ose private. QSHA pas verifikimit i kërkon UMT-së ta çregjistrojë atë.

21. Për specializantët që kanë përfituar nga kuotat e mbuluara, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apo nga Ministri të tjera, marrëdhëniet kontraktuale financiare lidhen mes specializantit dhe Ministrisë përkatëse sipas parashikimeve në Rregulloren përkatëse.

22. Për të gjitha çështjet që nuk trajtohen në këtë udhëzim merret për referencë rregullorja e specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë e miratuar nga Senati Akademik me vendim Nr. 88, datë 16.11.2016 “Për miratimin e rregullores së studimeve të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë”, i ndryshuar.

23. Ngarkohen Njësitë kryesore të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, për zbatimin e këtij Udhëzimi.

24. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë, bëhet publik në faqen zyrtare të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, si dhe i përcillet Ministrive përkatëse dhe QSHA-së.
Sigal