Problemet me shumëfishimin e pasurisë, shkarkohet nga detyra gjyqtarja e Apelit, Flutura Skënderi

349
Sigal

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur sot shkarkimin e gjyqtares së Apelit, Flutura Skënderi.

Vendimi është dhënë sot nga kryesuesja e trupës së KPK-së, Pamela Qirko, e cila në argumentimin e saj të shkurtuar tha se “se pasi u zhvillua seanca dëgjimore me gjyqtaren e Apelit, vendosi shkarkimin e saj. Ky vendim mund të ankimohet sipas saj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”.

Karriera dhe pasuria

Flutura Skënderi, e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe para shkarkimit ajo ushtronte funksionin në Apelin e Tiranës prej më shumë se 17 vitesh.

Referuar analizimit të pasurisë së bërë për gjyqtaren nga Agjensia BIRN, rezulton se në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Flutura Skënderi deklaronte pasuri me vlerë 214 mijë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare është shumëfishuar në 25.6 milionë lekë. Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN thotë se identifikoi si “flamuj të kuq” paqartësitë lidhur me një kontratë sipërmarrjeje.

“Në vitin 2007, subjekti deklaron një kontratë sipërmarrjeje për ndërtimin në një truall me sipërfaqe 225 m2, nga e cila përfiton sipërfaqe ndërtimi për një apartament 173m2. Megjithatë, deklarimi nuk sqaron detaje të tjera të kontratës që lidhen me përqindjen apo sipërfaqen e plotë të ndërtimit”.

Në vitin 2015, Skënderi deklaron shtesë prej 5.7 milionë lekësh, që rrjedhin nga kompensimi i 100 m2 truall nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku subjekti zotëron 1.4 pjesë. Në deklarim  – sqaron BIRN – nuk është e qartë se kush pjesë e truallit është kompensuar.

“Në vitin 2017, subjekti deklaron një kontratë porosie të lidhur nga vajza e saj dhe bashkëjetuesi për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 135.22 m2 dhe çmim prej rreth 88 mijë eurosh. Sipas deklarimit, deri në fund të vitit 2017 nuk është shlyer asnjë detyrim, pasi janë në pritje të aprovimit të kredisë bankare”, thuhet më tej në analizimin e realizuar nga agjensia.

Për këto paqartësi, gjyqtarja Skënderi do të japë llogari para komisionit, në të kundërt nëse nuk paraqet prova të mjaftueshme, karriera e saj si gjyqtare vihet në rrezik