“Prioriteti i qeverisë “Rama”, klientët e saj dhe jo qytetarët”/ Nënkryetarja e PL: Sot depozitojmë amendamentet për projekt-buxhetin e 2023 për arsimin

95
Sigal

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho në një komunikim për mediat ka folur për situatën e vështirë ekonomike me të cilën përballen familjet shqiptare. Xhixho tha se kriza e çmimeve vendosi në provë qeverinë ‘Rama’ dhe tregoi se nuk arriti t’i kalojë me sukses.

Deklarata e plotë:

Kriza e çmimeve e ka rënduar gjendjen e vështirë ekonomike të shumicës së familjeve shqiptare. Për të tretën herë në tre vitet e fundit, shqiptarët gjenden pa mbështetje në kulmin e një krize. Fillimisht tërmeti, më pas pandemia dhe sot kriza e çmimeve e kanë vënë qeverinë në prova që nuk ia doli t’i kalojë me sukses.

Jo vetëm kaq, por këto kriza u provuan edhe njëherë shqiptarëve se prioriteti i qeverisë “Rama” janë klientët e saj dhe jo qytetarët.

Prova e radhës është Projekt -Buxheti i vitit 2023, i sjellë nga qeveria për miratim.

Ky buxhet nuk parashikon asnjë paketë sociale, duke i lënë shqiptarët e varfër të përballen të vetëm me koston e jetesës që rritet përditë.

Ndërkohë që shqiptarët zhyten në varfëri, qeveria pasurohet.

Sa më shumë rriten çmimet, aq më shumë para hyjnë në arkën e qeverisë për t’u ndarë më pas me klientët e saj.

Të braktisur dhe pa asnjë shpresë, të rinjtë dhe intelektualët po marrin rrugët e Europës. Emigrimi masiv i shqiptarëve po zbraz shkollat, duke vënë në rrezik të ardhmen e vendit.

Partia e Lirisë e ka fokusin te të rinjtë dhe e sheh arsimin si mekanizmin kyç për të luftuar largimin e shqiptarëve nga vendi.

Ndaj sot depozitojmë amendamentet tona për Projekt-Buxhetin e 2023 në sektorin e arsimit, për t’u dhënë studentëve mbështetjen që kërkojnë, për t’i trajtuar pedagogët e mësuesit me dinjitetin e merituar e për të lehtësuar sadopak barrën e kostos së librave për prindërit me fëmijë në shkolla.

1.Pagat e pedagogëve dhe kërkimi shkencor

Me qëllim plotësimin e kërkesave të drejta të protestës së pedagogëve, kërkojmë rritjen e pagave të tyre 30% këtë vit dhe me premisën që vitin tjetër të rritet 20%, për t’u barazuar të paktën me trajtimin financiar të kolegëve të tyre në Kosovë.

Po ashtu, me qëllim mbështetjen e kërkimit shkencor sipas kërkesave dhe të vetë Sindikatës Kombëtare të Pedagogëve propozohet që në zërin për kërkimin shkencor të shtohet vlera prej 5 miliardë lekë për të arritur të paktën 0.3% PPB.

Pasi në këtë projekt buxhet mbështetja me 0.05% PPB për kërkimin shkencor është tejet qesharake dhe tallëse për dimensionin që duhet të arrijnë universitetet tona në kuadër plotësimit të standardeve ndërkombëtare.

  1. Mbështetje financiare për studentët

Studentët janë injoruar, duke u lënë jashtë paketës së rezistencës sociale në 2 aktet normative që ka kaluar kjo qeveri në kuvend.

Kërkesat e tyre të vazhdueshme kanë rënë në vesh të shurdhër, edhe peticioni i tyre me 6 mijë firma drejtuar institucioneve përgjegjëse.

Ndërkohë që duhet të përballen me kostot e shtuara të jetesës, qiratë që kanë shkuar 300-400 euro, cmimet e larta, kostot e transportit, veshjet etj.

Ndaj, me qëllim që t’u vihet në ndihmë në kushtet e krizës së çmimeve për një periudhë nga janari –qershor 2023, propozojmë 100 euro mbështetje mujore për studentët. Te mbështeten të paktën sa bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë, shtet që edhe pse me buxhet më të vogël i mbeshtet studentet.

  1. Rritja e pagave të mësuesve

Si Parti e Lirisë e shohim të domosdoshme rritjen e buxhetit të arsimit parauniversitar, me synim kthimin e arsimit në prioritet kombëtar dhe investimin në kapitalin njerëzor, që përbën edhe shtyllën e shoqërisë shqiptare.

Rritja prej vetëm 6% në korrik 2023 e pagës së mësuesve të arsimit parauniversitar është e pamjaftueshme së pari për të indeksuar rritjen e çmimeve që do të sjellë rritjen e kostos së jetesës, dhe së dyti rritjen reale për të përmirësuar mirëqenien e tyre.

Në raportin e fundit të Komisionit Europian, mësuesit shqiptarë rezultojnë më të keqpaguarit në Europë dhe rajon, me vetëm 4 233 € në vit.

Në Mal të Zi, një mësues paguhet 9 983 euro, në Maqedoninë e Veriut 7 291 euro, në Serbi 6 646 eurodhe në Bosnje-Hercegovinë 6 120 euro në vit.

Ndaj, për t’u dhënë dinjitetin që u takon mësuesve tanë propozojmë që në zërin shpenzime korrente për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të shtohen gjithsej 1.3 miliard lekë, pra rritja e pagës të jetë 12% .

  1. Tekste mësimore falas

Mijëra familje janë gjetur në vështirësi në fillim të këtij viti shkollor për shkak të çmimeve të rritura. Premtimi i qeverisë Rama për teste falas ka rezultuar thjesht propagandë boshe.

Edhe pse jepen falas, këta libra janë të përdorur dhe jashtë funksionit për nxënësit që i marrin ne perdorim, cka bën që prindërit të detyrohen t’i blejnë në rastin më të mirë, duke shtuar koston në këto kohë të vështira për familjet.

Ndaj, me qëllimin për të mbështetur arsimin cilësor, duke ndihmuar nxënësit të kenë të gjithë libra të rinj çdo vit shkollor, propozojmë 350 milionë lekë shtesë që të ribotohen të gjitha librat nga klasa I deri në klasën IX dhe ato të jepen falas për nxënësit.

Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar dhe hapi i parë për ta bërë të tillë është financimi i duhur.

Ndaj, amendimeve të mësipërme, të hartuara pas një analize të thellë me pedagogë, mësues, studentë, prindër dhe ekspertë të arsimi dhe ekonomise, kërkojmë që t’u jepet mbështetje nga gjithe kolegët deputetë me votë.

Vetëm duke zgjedhur arsimin mund ta shpëtojmë Shqipërinë nga braktisja.

Kjo është një mundësi për të gjithë neqë jemi në Kuvend për të përfaqësuar interesin e qytetarëve dhe mbi të gjitha të rinisë, përpara cdo interesi tjetër personal.