Presidentja Osmani pritet në Selinë e Shenjtë nga Papa Françesku

93
Sigal

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në audiencë private në Selinë e Shenjtë nga Papa Françesku, njoftoi zyra e saj më 23 janar.

Sipas njoftimit, Osmani i tha Papës se synimi i Kosovës është njohja nga Vatikani.

“Njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë ndikon në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë sonë dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në thellimin dhe avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore, si dhe në rrugën evropiane të vendit tonë”, tha ajo.

Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008, por Vatikani ende nuk e ka njohur shtetësinë e saj.

Këtë njohje e kanë kërkuar edhe liderë të tjerë të Kosovës nëpër vite.

Në njoftim thuhet se presidentja e falënderoi Papën për vendimin e tij të vitit 2018 për ta ngritur Administratën Apostolike të Kosovës në nivel të Dioqezës.

Në takim u bisedua gjithashtu për raportet ndërmjet dy vendeve dhe “kujdesin të cilin Vatikani e ka treguar ndaj popullit tonë, duke njohur vlerat qytetëruese të tij, të cilat bota i ka parë të mishëruara në personalitetin e Nënë Terezës”.

Presidentja Osmani do të pritet sot edhe nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin.

Gjatë qëndrimit në Romë, sipas njoftimit, ajo do të pritet edhe nga presidenti italian, Sergio Mattarella. /REL