Presidenti Prof. Dr. Bajram Begaj thirrje qeverisë të rrisë buxhetin për ushtrinë. Shqipëria, faktor stabilizues në Ballkan

114
Sigal

Presidenti Bajram Begaj ka deklaruar se stërvitja “Defender Europe 23” është një shtyllë e rëndësishme dhe treguese për sigurinë në botë. Gjatë fjalës së tij në hapjen e ceremonisë së stërvitjes, Begaj u shpreh se është krenar që ka qenë njeri prej tyre. Presidenti i Republikës Bajram Begaj deklaroi se Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues në Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë.

Në fjalën e mbajtur me rastin e nisjes së ceremonisë së stërvitjes më të madhe ushtarake në Evropë, “Defender Europe 23”, Begaj tha se rëndësia e kësaj stërvitje është sot më e prekshme se kurrë dhe vazhdueshmëria e saj më se e nevojshme.“Dy vite me parë, kur nisëm punën për stërvitjen Defender Europe 2021, e dinim se sfida ishte tepër e madhe për kapacitetet e vendit tonë.

E megjithatë ne arritëm të tregojmë se dimë të ngrihemi me përgjegjshmëri në lartësinë e detyrës dhe se Shqipëria jonë e vogël, në fakt, rreh më shumë se pesha e saj. I dashur Gjeneral Wickmann! Më vjen shumë mirë, që mblidhemi përsëri në Shqipëri, për t’ju konfirmuar edhe njëherë mbështetjen tonë të palëkundur dhe gatishmërinë e vendit tonë për të intensifikuar gjithmonë e më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Defender Europe lindi si një stërvitje për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Aleancës në rast konflikti a kërcënimi. Me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe nga ai i dy viteve më parë dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse. Më tej Presidenti Begaj i bëri thirrje qeverisë shqiptare të rrisë buxhetin për ushtrinë. “Në pozitën time si Komandant i Përgjithshëm, inkurajoj qeverinë të shtojë akoma më shumë mbështetjen për FA dhe kontributin e Shqipërisë në NATO. Çdo investim drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit”, -theksoi ai.