Presidenti Meta vlerëson Rilindasin Koto Hoxhi: Kemi nevojë për burra dhe gra atdhetarë e të përgjegjshëm për fatet e vendit

403
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar Rilindasin e shquar, martirin e gjuhës shqipe dhe mësuesin Koto Hoxhi (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”.

Dekorata iu dha me motivacionin “Për kontributin e shquar në hedhjen e themeleve të arsimit dhe gjuhës shqipe, të rilindjes kulturore e letrare shqiptare, si dhe zgjimit të vetëdijes kombëtare në shërbim të luftës për pavarësinë e Shqipërisë.

Në vlerësim të veprimtarisë së çmuar si mësues, atdhetar dhe krijues i talentuar ai iu përkushtua deri në sakrificën më sublime atdhedashurisë, historisë, gjuhës, harmonisë fetare, identitetit shqiptar dhe lirisë së vendit”.

Në fjalën e tij kreu i Shtetit shqiptar u shpreh: Koto Hoxhi ishte ndër luftëtarët më të vendosur të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit shqiptar bashkë me patriotët Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri.
Ky luftëtar i dijes nuk do të shiste kurrë shpirtin atdhetar dhe nderin e vet para çdo torture dhe sakrifice deri në atë më sublime !

Biri nderuar i Lunxhërisë do të flijohej i bindur në fitoren e kauzës shqiptare për liri, arsim dhe emancipim shoqëror!

Ndaj para se të mbyllte sytë do të shkruante: ‘Ju o djem do të më kujtoni kur të ngjallet liria, por ç’të bëj unë i mjeri që m’u mbyllën sytë e mia!’

Ne jemi mbledhur së bashku jo vetëm ta kujtojmë, por edhe ta vlerësojmë lunxhiotin e famshëm me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.

Me këtë gjest ne nderojmë kontributin e tij në shërbim të kombit, por edhe përcjellim mesazhin e përkushtimit patriotik për gjeneratat e reja!

Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte produkt i fatit dhe i rrethanave të kohës, por në radhë të parë i luftës, sakrificës dhe përpjekjeve të burrave dhe grave më të përkushtuara të kësaj toke.

Edhe sot shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë për burra dhe gra sa më atdhetarë dhe të përgjegjshëm për fatet e vendit!

Modernizimi, globalizimi dhe shoqëria e re e informacionit nuk mund dhe nuk duhet ta zbehin fuqinë e atdhetarisë dhe integritetin e popullit tonë!

Përkundrazi, ato janë më të nevojshme se kurrë për ta bërë Shqipërinë vend të dashur për të jetuar dhe njëkohësisht një vend të barabartë me të gjitha vendet e tjera të kontinentit tonë”.