Presidenti Meta vlerëson Organizatën Shqiptare të Urdhrit të Maltës me Dekoratën “Nënë Tereza”

158
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Shkodër, ku me anë të një ceremonie të mbajtur në ambientet e Katedrales Katolike të Shën Shtjefnit, vlerësoi Organizatën Shqiptare të Urdhrit të Maltës (Malteser Shqipëri) me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”.

Kreu i Shtetit i akordoi shoqatës humanitare këtë vlerësim, me motivacionin: “Për aktivitetin e saj fisnik në shërbimin humanitar ndaj qytetarëve të varfër, ringritjen shpirtërore dhe përkrahjen e kategorive shoqërore të braktisura. Për kontributin në edukimin dhe mbarëvajtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror, si dhe ofrimin e ndihmave mjekësore e ushqimore të shtresave në nevojë. Veprimtarët dhe misionarët e saj kanë qenë përherë në krah të institucioneve dhe popullit shqiptar në përballimin e krizave humanitare dhe fatkeqësive natyrore si kriza e refugjatëve të shqiptarëve të Kosovës, përmbytjet dhe tërmetet në qarqet Shkodër, Durrës, etj”.

Në fjalën e Tij të mbajtur me këtë rast, duke iu drejtuar klerikëve dhe udhëheqësve fetarë, Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Massafra, Nuncit Apostolik të Selisë së Shenjtë, Luigi Bonazzi si dhe drejtuesve të “Malteser Shqipëri”, Presidenti Meta u shpreh:

 

“Për mua sot është një moment i veçantë të jem midis jush për të vlerësuar një shembull të lartë solidariteti dhe kontributi të gjithanshëm njerëzor, si ai i treguar nga Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës!

Në përpjekjet 30-vjeçare të ndërtimit të demokracisë, shqiptarët kanë realizuar ndryshime epokale në transformimet demokratike, normat shoqërore dhe të ekonomisë së tregut!

 

Por kanë qenë jo të pakta momentet e vështira, krizat humanitare si dhe situatat e fatkeqësive natyrore!

 

Nga ana tjetër në këtë udhëtim të vështirë kanë qenë gjithashtu të shumta edhe përkrahja dhe solidariteti i aktivistëve dhe organizatave shpirtërore të besimit, ato bamirëse dhe vullnetarëve ndërkombëtarë.

Kjo mbështetje e madhe humane merr vlerë edhe më tepër kur vjen nga shoqata e institucione demokratike, të cilat janë mbartës të filozofisë dhe praktikave më të mira të njerëzimit.

 

Urdhri i organizatës tuaj të nderuar rreshtohet me dinjitet përkrah tyre!

Shqiptarët u janë përjetë mirënjohës!

 

Është në kodin tonë si popull që të jemi falënderues ndaj miqve që na janë gjendur pranë në rrugën e zhvillimit, sidomos në momentet më të vështira.

 

Dekorata që unë sjell sot në emër të qytetarëve shqiptarë është akti i mirënjohjes më të thellë për kontributin dhe aktivitetin tuaj si mision.

 

Të nderuar miq,

 

Organizata  Shqiptare e Urdhrit të Maltës e ka mishëruar më së miri moton e vet, duke iu përshtatur kohës, nevojave dhe zhvillimeve shoqërore.

 

Në fokus të shërbimit të saj prej më shume se 25 vitesh në Shqipëri janë shtresat më të varfëra të shoqërisë shqiptare.

 

Me personelin e saj të kualifikuar dhe me vullnetarët  e saj është angazhuar dhe vazhdon të angazhohet në shërbimin humanitar, duke u përkujdesur për të ofruar shërbimin mjekësor bazë aty ku mungon.

 

Organizata ka qenë ndër të parat në emergjencat civile, duke filluar me ndërhyrjen e parë të strukturuar në pritjen e vëllezërve kosovarë gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999 për të arritur së fundmi në ndërhyrjet në përballimin e emergjencës së tërmeteve të fundit në Durrës e jo vetëm.

 

Më vjen mirë të konstatoj punën e organizatës edhe aktualisht në situatën tepër kritike të pandemisë Covid-19. Aktivistët e saj janë pranë njerëzve duke ndihmuar me maska, terapi, makineri oksigjeni, me ushqime, duke u dhënë që na fillimi i pandemisë, rreth 400 personave  një ushqim të ngrohtë falas çdo të dielë.

 

Integrimi i komunitetit rom është një prioritet tjetër i Organizatës duke ju ofruar qendra dhe personel të specializuar në gjetjen e një mënyre jetese dhe një punë të denjë.

 

Të nderuar miq,

 

Të jesh në shërbim të më të varfërve është akti më sublim për të treguar dashurinë ndaj njeriut, por edhe përkushtimin ndaj Zotit.

 

Organizata juaj është vazhduese  e denjë e  Shenjtërve të saj të Urdhrit, Shën Nënë Terezës dhe Papa Françeskut.

 

Të nderuar miq të organizatës shqiptare të urdhrit të Maltës.

 

Mirënjohja për kontributin tuaj është jo vetëm gjest falënderimi!

 

Vlerësimi juaj sot me Dekoratën e lartë të ‘Nënë Terezës’ është edhe një zotim për mbështetjen tuaj në të ardhmen!

 

Në përfundim do të doja të uroja gjithë të mirat për organizatën tuaj të nderuar!

 

Paqe, mbarësi e mirësi paçi përherë në shpirtin dhe suksese në misionin tuaj fisnik!