Presidenti Meta vlerëson artistin e shquar Qamil Grezda (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

389
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” artistin e shquar dhe piktorin, Qamil Grezda (pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontributin e veçantë në realizimin e veprave të arteve pamore në gjininë e portretit dhe peizazhit, duke lënë gjurmë në zhvillimin tradicional të këtyre gjinive me cilësi të lartë artistike, si dhe për përgatitjen e shumë brezave të artistëve të rinj”.

Postimi i plote…

Në veprat e jashtëzakonshme të artistit të shquar dhe piktorit të mirënjohur, Qamil Grezda dallohen qartë tërheqja e veçantë për natyrën dhe ndjenjat e larta të atdhedashurisë që shprehen me madhështi në portretizimin e shumë figurave dhe ngjarjeve historike kombëtare.
Si “grabitqar i bukurisë natyrore” dhe transmetues i frymës së dashurisë për Kosovën e Shqipërinë, Grezda i madh na la trashëgimi kryevepra me vlera kombëtare, që kapërcejnë kohën dhe dimensionet, me ndikim në breza dhe të pranishme në çdo kohë.
Për kontributin e veçantë në realizimin e veprave të arteve pamore, duke lënë gjurmë në zhvillimin tradicional të gjinive të peizazhit e portretit me cilësi të lartëartistike, si dhe për përgatitjen e shumë gjeneratave të artistëve të rinj, pata nderin t’i akordoja Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Kënaqësi të shihja nga afër edhe shumë prej veprave të rralla të Qamil Grezdës, pjesë e koleksionit të vyer të familjes, që u ekspozuan në Presidencë nga djali i tij, skulptori i shquar, Ermir Grezda.
Mirënjohje të gjithëve artistëve shqiptarë për vlerat e pasura kulturore që na lanë trashëgimi, duke na bërë krenarë, por që duhen mbrojtur e promovuar më së miri.🇦🇱