Presidenti Meta takon kreun e fasonistëve të bashkuar: I kam kërkuar qeverisë mbështetjen për këtë sektor

340
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka bërë publik një takim të zhvilluar gjatë ditës së sotme me Kryetarin e Fasonistëve të Bashkuar, Gjergji Gjika.

“Gjatë bisedës, shkruan Meta në mesazhin e tij në facebok, theksova se i kam kërkuar qeverisë mbështetje për kërkesat e këtij sektori, dhe se do të vazhdoj të insistoj për një vlerësim sa më të shpejtë, realist dhe praktik, për të evituar kolapsin e sektorit fason dhe për të mbështetur punonjësit, gjithashtu”.

Postimi i plotë:

Sot, prita në një takim Kryetarin e Fasonistëve të Bashkuar, z. Gjergji Gjika dhe dëgjova me vëmendje, nga afër, problematikat e bëra publike prej kohësh të këtij sektori të rëndësishëm social dhe ekonomik të vendit.

Z. Gjika theksoi urgjencën e mbështetjes së sektorit fason, që është në një situatë mjaft kritike, si nga kufizimet brenda vendit, ashtu edhe nga tronditjet e tregjeve ndërkombëtare.

Gjatë bisedës, theksova se i kam kërkuar qeverisë mbështetje për kërkesat e këtij sektori, dhe se do të vazhdoj të insistoj për një vlerësim sa më të shpejtë, realist dhe praktik, për të evituar kolapsin e sektorit fason dhe për të mbështetur punonjësit, gjithashtu.