Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta zhvilloi një takim me përfaqësuesit kryesorë të partive politike shqiptare në qytetin e Tuzit, kreun e Aleancës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, kreun e Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj, kryetarin e Unionit Demokratik Shqiptar-Tuz, Fadil Kajoshaj e figura të tjera politike. Presidenti Meta u njoh prej tyre me zhvillimet më të fundit për përgatitjet e zgjedhjeve vendore në këtë komunë që do të mbahen në 3 mars 2019 dhe koalicionin e arritur mes disa subjekteve politike shqiptare. Presidenti Meta u bëri thirrje partive politike shqiptare që të maksimalizojnë votën e tyre dhe të përafrojnë qëndrimet në mënyrë që në komunën e Tuzit të fitojnë një shumicë që mundëson krijimin e qeverisjes vendore nga ana e shqiptarëve në koalicion me subjektet e tjera. “Është kënaqësi e veçantë që vizitoj Tuzin dhe njëkohësisht dua t’ju uroj një Vit të Ri sa më të mbarë. Ju jeni në prag të zgjedhjeve që do të zhvillohen së shpejti në komunën e Tuzit. Ju uroj suksese të gjithë juve që merrni pjesë në këtë garë elektorale, që jo vetëm të kontribuoni për të përmirësuar qeverisjen vendore këtu por njëkohësisht për të treguar aftësitë drejtuese të shqiptarëve të Tuzit përmes bashkëpunimit por edhe përmes edhe bashkejetesës me malazezët dhe me të gjithë grupimet e tjera. Dëshirojmë që të vazhdojmë këto marrëdhënie shembullore të Shqipërisë dhe Malit të Zi edhe që shqiptarët në Malin e Zi të vazhdojnë të jenë faktor kyç për të ardhmen euro-atlantike dhe europiane të Malit të Zi. Ashtu sikurse dëshirojmë që shqiptarët të kenë një përfaqësim edhe më përfshirës edhe në nivel vendor edhe në nivel kombëtar, këtu në Malin e Zi, pasi ju e meritoni plotësisht dhe këto sigurime i kam marë dhe nga Presidenti Gjukanoviç edhe nga Kryeministri Markoviç dhe Kryetari i Parlamentit. Unë besoj se ju e keni vetë në dorë fatin tuaj dhe në zgjedhjet e 3 marsit ju do të keni mundësi të siguroni më mirë të drejtat tuaja”, – u shpreh Presidenti Meta në këtë takim.

NOA