Presidenti Meta takim me të rinjtë / Koha për të refuzuar falsitetin e këtij sistemi !

355
Sigal

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim përfaqësues të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN). Në këtë takim ata i paraqitën Kreut të Shtetit gjetjet e raportit të tyre të tretë kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020”, sipas konkluzioneve kryesore të të cilit: në 10 vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar 140.390 të rinj dhe të reja, mbi 51% e rinisë në vend vuan papunësinë, ndërkohë që gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, 63% e të rinjve nuk kishin aspak besim aspak tek masat e Qeverisë për përballimin e vështirësive të shumta edhe ato financiare.

Duke komnetuar gjetjet e raportit dhe problemet më shqetësuese më të cilat përballet sot rinia shqiptare, Presidenti Meta u shpreh se ka ardhur koha që rinia të marrë në dorë fatet e saj dhe të ardhmes së vendit. “Ka ardhur koha për një restart, për një zgjim dhe shkundje të rinisë, për të marrë në dorë fatet e saj dhe të së ardhmes së vendit. Për këtë është e domosdoshme që rinia të jetë e bashkuar, veçanërisht për refuzimin e falsitetit të këtij sistemi, që nuk i dëgjon, nuk i përfshin dhe nuk ju jep asnjë mundësi të rinjve.Shqetësimi im i madh është shpopullimi i Shqipërisë, veçanërisht largimi i të rinjve, që përbën një kërcënim mjaft serioz për të ardhmen vendit dhe kombit tonë”,- tha kreu i shtetit.

Lexo edhe :  Zbulohet ilaçi i ri që vret Covid-19 brenda 24 orëve / Jo më nevojë për vaksina 

Kreu i shtetit tha se në çdo institucion të vendit duhet të merren vendime për të ardhmen e të rinjve. “Gjetjet e raportit tuaj janë vërtet tronditëse dhe unë jam i angazhuar për t’u dhënë së bashku me ju zgjidhje problemeve që ju ngrini. Është tepër e rëndësishme, që ju të përfshiheni në të gjitha institucionet vendimmarrëse, në Kuvend, Qeveri, Bashki dhe kudo ku merren vendime për të ardhmen tuaj.
Jo për të qenë thjesht “kukulla të partive”, por zë konkret dhe i fortë i denoncimit të problemeve të rinisë, që nga arsimi e  deri tek punësimi i tyre dhe protagonistë të zgjidhjeve dhe mundësive të reja për bashkëmoshatarët e tyre.Në funksion të këtij qëndrimi është tepër e domosdoshme edhe edukimi atdhetar, patriotik dhe me vlerat morale e shoqërore të rinjve. 
Nëse 30 vite më pare, ne të rinjtë e Lëvizjes Studentore, do kishim dëgjuar apo pritur prindërit tanë, demokracia dhe pluralizmi ndoshta nuk do kishin ardhur kurrë. Sot nga thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, jemi në stadin që “Duhet ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Kjo është një luftë që duhet ta fitojmë sepse nuk kemi rrugë tjetër”, – u shpreh ndër të tjera Presidenti Meta.

Lexo edhe : Largimi i rinisë / Tragjedi kombëtare që duhet ndalur sa më parë

Në raportin e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri  bëhej e ditur se:

Mungesa e besimit të të rinjve ndaj masave dhe planit ekonomik të Qeverisë shqiptare për të përballuar krizën ekonomike dhe më tej, ishte një tjetër gjetje e rëndësishme e këtij raporti. 61.8% e të rinjve konfirmojnë se familjarët e tyre nuk e kanë përfituar në muajin Mars 2020 ndihmën financiare referuar vendimit të qeverisë.

92.6% e të rinjve konfirmojnë se familjet e tyre nuk kanë marrë përgjatë periudhës së karantinës ndonjë ndihmë ushqimore!

55.9% e të rinjve nuk mendojnë dhe nuk kanë shpresë se plani ekonomik dhe masat e Qeverisë shqiptare do japin shpëtim ndaj krizës ekonomike.

63% e të rinjve në kohën e karantinës nuk kishin besim aspak tek masat e Qeverisë shqiptare për përballimin e vështirësive të shumta përfshi këtu edhe ato financiare”.

Gjithashtu, referuar gjetjeve të “Rinia në Shqipëri 2020”: “Papunësia e të rinjve vijon të mbetet një problem thelbësor.

Të rinjtë e diplomuar janë ata që vuajnë nivelet më të larta të pëpunësisë.

Ikja e trurit të të rinjve” është një ndër fenomenet më shqetësuese.

Një tjetër gjetje kritike e këtij Raporti i përket edhe Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë Shqiptare 2015-2020. Thuajse 5 vjet pas miratimit të Planit, asnjë Raport Monitorimi apo Vlerësimi nuk është përgatitur nga strukturat e ngarkuara me këtë funksion dhe ky plan nuk jep asnjë shifër e të dhënë për zbatimin e plotë të tij”.