Presidenti Meta sfidon Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë

677
Alqi NAQELLARI
Para disa ditësh u zhvillua Konferenca Vjetore e Bankës së Shqipërisë. Këto Konferenca prej BSH konsiderohen si “ngjarje më kulmore të veprimtarisë së institucionit në fushën studimore dhe profesionale” që ju japin përgjigje “sfidave dhe dilemave me të cilat përballet ekonomia jonë kombëtare dhe jo vetëm”. Kjo Konferencë u organizua në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit dhe kishte si qëllim “diskutimin e rreziqeve të brendshme dhe të jashtme ndaj stabilitetit të sistemit bankar në vendet në zhvillim në Evropë, me fokus të veçantë në ekonominë shqiptare dhe në ato të vendeve të Evropës Juglindore EJL”, ( Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Mali Zi, Serbia, Maqedonia) si dhe sfidat që këto rreziqe paraqesin për bankat qendrore. 

Në këtë mënyrë Konferenca Vjetore e BSH do diskutonte më së shumti probleme të rajonit EJL –it sesa probleme specifike të lidhura me ecurinë e ekonomisë shqiptare, problemet e lidhura me të dhe me rolin e politikave monetare në këtë ecuri. Sipas këtij objektivi i takonte që të paktën nga një diskutim të bëhej nga përfaqësues të vendeve të EJL-së, por në këtë Konferencë u mbajtën 12 Kumtesa ku nga folësit nuk kishte asnjë përfaqësues direkt i vendeve të EJL-it për të cilat bëhej fjalë, por kishte nga vendet e tjera të zhvilluara të Evropës dhe nga SHBA-ja. Mendime të vlefshme për auditorin mund të kishin dhënë përfaqësuesit që u ndeshën direkt me problemet e recesionit të 2008 apo që ndeshen me problemet e pasojave të euroizimit, të efektivitetit të depozitave të kredive të këqija të gjendjes financiare të bankave, të rritjes ekonomike, të papunësisë, të inflacionit etj. Përgjithësisht u fol mbi Ndikimin e BE në vendet e EJL-it, ndikimin e Kinës në rajon, për rrezikun ekonomik, stabilitetin financiar dhe rreziqet sovrave, rrezikun e likuiditetit dhe aftësisë paguese, për politikën monetare, kushtet e kredisë dhe goditjet ekonomike, kreditë me problem si problem i të gjitha problemeve makro financiare, faktorët përcaktues të kredive dhe ndikimet e tyre, ndikimi i politikave të partnerëve të zhvilluar, segmentet e pa zhvilluara të tregut financiar për transmetimin e politikave të bankës qendrore, etj. Dy përfaqësues të BQ folën për “Sistemin bankar në Shqipëri, Çfarë vjen pas”, “Instrumentet tradicionale dhe jo tradicionale të ndërhyrjeve monetare dhe të tregut financiar, çfarë instrumentesh të tjera mund të përdori Banka qendrore”. Nga 12 ligjërues vetëm njëri prej tyre ceku problemin e euroizimit dhe ky ishte përfaqësues i bankës së Austrisë (Franz NAUSCHNIGG, Banka Qendrore e Austrisë (OeNB). Guvernatori i BSH-së foli me terma të përgjithshme pa cekur probleme konkrete të lidhura me BSH-në që shqetësojnë qytetarët, biznesin dhe qeverinë. Ashtu si edhe herë të tjera prej përfaqësuesit të Institucionit më të lartë bankar dëgjojmë thënie të përsëritura mbi mirë-kapitalizimin, tepricën e likuiditeteve, nota pozitive në rritjen e kredisë në lekë, stabilitet të çmimeve, rol pozitiv të politikave monetare në rritjen e ekonomisë etj, etj. Po cilat janë disa nga thëniet apo arritjet shkencore të kësaj Konference që unë i quaj kodra pas bregut? Po i jap në ligjëratë të zhdrejtë disa thënieve kryesore të cilat janë cituar prej vetë përfaqësuesit të BSH në mbyllje të Konferencës. Pas secilës prej tyre gjithsecili mund të bëjë komentin e vet se çfarë arritjesh shkencore paraqesin këto konkluzione apo thënie të pjesëmarrësve të konferencës. A mund të quhen këto arritje shkencore? “Ka një konsensus të gjerë se ekonomia e rajonit të Evropës Juglindore, në gjysmën e parë të vitit 2017, ka regjistruar një ecuri të kënaqshme në drejtim të rigjallërimit,…”. “Konsumi dhe investimet e huaja kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik dhe pritet të sjellin një rritje të mëtejshme të produktivitetit dhe rritjes së konkurrueshmërisë”. “Një tablo pozitive karakterizon edhe stabilitetin financiar të vendit. Arritja më e spikatur në këtë drejtim është rënia e dukshme e kredive të këqija në bilancet e sistemit bankar”. “Efektet e politikës monetare kanë ruajtur kahun stimulues duke synuar mbylljen e hendeqeve negative të çmimeve dhe të prodhimit”. “Vlerësimet dhe studimet e Bankës së Shqipërisë, por edhe studimet krahasuese të palëve të treta si Fondi Monetar Ndërkombëtar, tregojnë se tregu financiar në Shqipëri ka përhapje dhe shtrirje financiare afër nivelit ekuilibër të diktuar nga ekonomia dhe konsumatorët shqiptarë”. ”Ekzistenca, plotësia dhe efikasiteti i tregut financiar luan një rol të rëndësishëm në transmetimin e politikës monetare. Është kjo arsyeja pse vëmendja e bankës qendrore fokusohet në këto tregje dhe në mirëfunksionimin e tyre. “Politika monetare dhe zhvillimi i tregjeve financiare janë mjaft të rëndësishme për ecurinë dhe nxitjen e mëtejshme të ekonomisë, si dhe për vazhdimin e reformave dhe politikave të ndërmarra”. “Këto vende duhet të punojnë intensivisht për uljen e pasigurive makroekonomike dhe financiare, thellimin e sektorit bankar, zhvillimin e tregjeve të kapitalit, si dhe diversifikimin e portofoleve të investimit”.“Thellimi dhe zgjerimi i mëtejshëm i tregut financiar edhe në segmente të tjera, si dhe rritja e edukimit financiar, ishin disa prej konkluzioneve të rëndësishme që u theksuan gjatë punimeve të konferencës”. ”Gjatë konferencës u theksua se mbas krizës së fundit financiare u vu re se goditjet financiare kanë efekte madhore jo vetëm për sistemin bankar, por edhe për sektorin real dhe mirëqenien e vendit në tërësi”. “Vendet në zhvillim kanë treguar që kanë zgjidhur me sukses disa probleme, ato do të përballen me sfida të tjera në të ardhmen, të cilat nuk lidhen vetëm me sistemin bankar”. “Gjithashtu, pjesëmarrësit theksuan nevojën e rritjes së mëtejshme të niveleve të përfshirjes financiare, të edukimit financiar të publikut të gjerë, si dhe nevojën për implementimin e zhvillimeve më të fundit teknologjike”.Këto citime flasin për ҫdo gjë por vetëm për arritje shkencore nuk flasin. 

Para gjithkujt dalin një sërë pyetjesh në lidhje me organizimin, pjesmarrjen, problemet e shtruara dhe zgjidhet e dhëna.
1. Ҫfarë arritjesh shkencore kanë dalë nga Konferencat e mëparëshme dhe a kanë gjetur ato zbatim në politikat monetare të BSH-së? Kjo sepse edhe në Konferencat e mëparëshme kanë folur të huajt dhe jo mendimi shkencor shqiptar.
2. Si i ka shfrytëzuar BSH-ja materialet që kanë paraqitur Studjuesit shqiptar në Konferencat Kombëtare dhe Ndërkombëtare të lidhura me BSH-në?
3. Si i ka shfrytëzuar BSH-ja materialet që kanë paraqitur Studjuesit shqiptarë në Revistat e huaja me dhe pa faktor impakti të lidhura me BSH-në?
4. Si i ka shfrytëzuar BSH-ja punimet e Masterave Shkencorë dhe të Doktoraturave që kanë qënë të lidhura me BSH-në?
Për tu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve është e nevojëshme të shtrojme pyetjen se a ka BSH-ja një Departament që të interesohet për punën shkencore që bëhet Brenda dhe jashtë Shqipërisë me objekt Sistemin Bankar Shqiptar? Unë nuk besoj se ka sepse po të kishte do duhej të kishte marrë ndonjë mendim sepse me Objekt BSH-në janë shkruajtur, për të mos thënë me qindra, me dhjetra artikuj me shumë interes.

BSH-ja duhet të kishte tërhequr për të dhënë mendim ekonomistët e vendit dhe të rajonit, duke i vendosur në plan të parë. Kështu:
1. A nuk do të ishte normale që Guvernatori BSH të thërriste pedagogët e Universiteteve të fushës së Ekonomiksit dhe të Bankave për të dhënë mendimet e tyre për problemet reale që shqetësojnë Sistemin Bankar shqiptar? 
2. A nuk ka Shqipëria forca shkencore që të bëjnë analiza produktive më reale sesa përfaqësuesit e Oksfordit apo të tjerë që flasin në përgjithësi dhe nxjerrin konkluzionet që cituam më lartë?
3. A nuk do të ishte me interes që nga secila Bankë Tregtare të kishte dhe një folës për problemet që shqetësojnë nivelin e dytë bankar?
4. A nuk do qe normale të kishte përfaqësues të rajonit që të ngrinin problemet e tyre të brendëshme?

Cilat janë problemet që mendojmë se duhej të trajtonte BSH-ja në këtë Konferencë?
1. Cila është lidhja midis NBI, Normës Bazë të Interesit, Normës së REPO-ve 
-me normën e Inflacionit, 
-me normën e rritjes së PBB-së, 
-me normën e rënjes së Papunësisë, 
-me normën e uljes së Deficitit Tregtar, 
-me normën e uljes së Borxhit Publik, etj?
2. A është fenomeni i inflacionit në Shqipëri një fenomen monetar apo një fenomen i përgjithësisht i importuar?
3. Përse ulja e NBI(normës së REPO-ve) nuk ka ndikuar në rritjen e depozitave dhe kredive në lekë? A jemi këtu në një Kurth Likujditeti? Nëse kemi si zgjidhet?
4. Ҫfarë efekti ka dhënë euroizimi i tregut monetar shqiptar në përmirësimin e treguesve makroekonomikë të ekonomisë shqiptare?
5. Sa është shkalla e euroizimit në ekonominë shqiptare dhe cila është shkalla e lidhjes së saj me agregatët monetarë?
6. Cilat janë rrugët dhe mundësitë e uljes së kredive të këqija, përveҫ nxjerrjes së tyre nga Bilanci?
7. A ka rritje të PBB-në Shqipëri dhe cilët janë zërat kryesorë që kanë ndikuar në PBB?
8. A është dakort BSH me strukturën e tanishme të PBB-së dhe nëse jo si duhet të drejtohet ajo?
9. Në ҫfarë shkalle është harmonizimi i politikave monetare me ato fiskale?

Këto janë disa nga pyetjet që shqetësojnë sot një pjesë të mirë të ekonomistëve shqiptarë, po këto janë pyetje reale që duhet të shqetësojnë edhe vetë BSH-në. Këtyre pyetjeve përveҫ shqiptarëve që jetojnë dhe punëojnë, që njohin ҫdo qelizë të ekonomisë askush tjetër nuk mund tju japi përgjigje më të drejtë.Përshtypje në këtë Konferencë më ka bërë edhe fjala e Presidentit të Republikës Zotit Ilir META. Më ka bërë përshtypje sepse në ndryshim me materialet e shtruara në tryezë, Presidenti ka ngritur me shqetësim e realizëm një sërë problemesh që janë aktuale. Presidenti ka folur me këmbë në tokë, pa u marrë me rajonin dhe botën por thjesht me Shqipërinë, thjesht me hallet dhe problemet e saj. 

Problemet që ka ngritur janë mirëfilli teknike, që më së shumti do shkonin në gojën e një shkencëtari sesa në gojën e një Presidenti për nga rëndësia dhe përmasat e tyre. Por të cekësh këto probleme do kurajo dhe guxim, dhe këtë kurajo dhe guxim e mori Presidenti. Duke mos dashur tu bëj asnjë koment Problemeve të ngritura nga Presidenti gjykoj se duhet të bëhen Objekt Analize nga Institucionet dhe Organizmat përkatëse që janë tërësisht të lidhura me to.

1.”ambienti rregullator evropian i postkrizës dhe politikat e bankave evropiane për uljen e ekspozimit të tyre ndaj vendeve jashtë BE-së mbeten faktorë shtrëngues dhe frenues ndaj zhvillimit”.
2.”kthimi i ekonomisë në ekuilibër duke nënkuptuar një rritje ekonomike afatmesme dhe afatgjatë prej 3.5-4% është sërish i pamjaftueshëm për të garantuar një efekt të prekshëm mbi mirëqenien e shtresave të gjëra të shoqërisë, si dhe për të konverguar më shpejt me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian”.
3.”modeli i rritjes së ekonomisë sonë vazhdon të karakterizohet nga mangësi të theksuara, të cilat duhen targetuar sa më pare”: 
a. Kështu, shkalla e diversifikimit sektorial mbetet e ulët me shërbimet që zënë rreth 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, njëkohësisht, 
b. pesha e kërkesës së brendshme mbetet e lartë dhe 
c. diversifikimi në terma të eksporteve mbetet i ulët. 
d. Ndërkohë, në tregun e punës kualifikimi dhe arsimimi i fuqisë punëtore mbeten larg kërkesave të kohës.
4. ”sektori financiar shqiptar karakterizohet nga diversifikimi i ulët sektorial ku sektori bankar përfaqëson segmentin më aktiv dhe më të zhvilluar të sistemit financiar duke përbërë rreth 90% të aktiveve të tij”.
5. ”Në këtë kuadër, progresi i reformave strukturore është jetik për të mbështetur konvergimin e shpejtë ekonomik dhe institucional me vendet e Bashkimit Evropian”.
6. ”Reformat e ndërmarra duhet të ndikojnë në ndryshimin e strukturës së ekonomisë si dhe në përmirësimin e ambientit ligjor e institucional që përcakton nivelin dhe përbërjen e investimeve në vend”.
7. ”Nevojiten masa të menjëhershme për të përmirësuar seriozisht klimën e biznesit, për të reduktuar informalitetin dhe korrupsionin, si dhe për të promovuar konkurrencën ndër-sektoriale”.
8. ”Duhet të ndërmerren politika strukturore që rrisin nivelin e kapitalit njerëzor, përmirësojnë infrastrukturën e zhvillimit dhe promovojnë qeverisjen e shëndetshme të kompanive publike dhe private”.
9. “Gjithashtu, krijimi i tregut të kapitalit mbetet një domosdoshmëri pasi ndikon drejtpërdrejtë në shtimin e fondeve për t’u përdorur për investime, në diversifikimin dhe në uljen e kostos së burimeve të financimit për kompanitë, si dhe në rritjen e mirëqenies së përgjithshme”.
10. ”Në çdo rast, parakusht për zhvillimin e tregut të kapitalit mbeten reformat institucionale, forcimi i kornizës ligjore e rregullative dhe stabiliteti makroekonomik”.
Uroj që në të ardhmen të zhvillohen sa më shumë Konferenca, ku të vlerësohet mendimi ekonomik-shkencor shqiptar. 
Sigal