Presidenti Meta: Populli nuk mund të tërhiqet më zvarrë nga një çetë banditësh dhe policësh të korruptuar!

182
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka ashpërsuar tonet këtë të premte, teksa flet për “një çetë banditësh, oligarkësh dhe policësh të korruptuar”, të cilët sipas kreut të shtetit, nuk mund të tërheqin më zvarrë popullin shqiptar.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Meta shkruan:

“Populli nuk mund tërhiqet më zvarrë nga një çetë banditësh, oligarkësh dhe policësh të korruptuar!”.

Deklarata e kreut të shtetit vjen një ditë pasi reagoi për gjobën e vendosur ndaj Shoqatës “Durrësi autokton”, ku në aktivitetin e organizuar prej saj kishte qenë i pranishëm edhe vetë Meta.

Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka konsideruar tërësisht politike dhe veprim skandaloz e të papranueshëm, gjobitjen me 5 milionë lekë të inxhinierin në pension Abdulla Deliallisi për shkelje të masave anti-COVID.

Sipas kreut të shtetit, nëpërmjet një njoftimi për mediat, kjo është një gjobë e pastër politike ndaj inxhinierit, pasi sipas tij, në aktivitetin ku ai ka qenë i pranishëm, të gjithë të ftuarit kanë qenë duke respektuar masat e nevojshme.

“Me një gjobë arbitrare dhe tërësisht politike, 5 milionë lekë, qeveria ka ndëshkuar pa të drejtë inxhinierin e shquar në pension, z. Abdulla Deliallisi, kryetar i Shoqatës “Durrësi Autokton”, për gjoja shkeljen e masave anti-COVID, në ceremoninë e organizuar pasditen e djeshme në Pallatin e Kulturës së Durrësit, me rastin e vlerësimit nga Presidenti i Republikës me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” të arkeologut të mirënjohur, profesor Vangjel Toçi (pas vdekjes)”, tha Meta ditën e enjte.