Presidenti Meta përshëndet 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e UNESCO-s të “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”

332
Sigal

Presidenti Meta përshëndet 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e UNESCO-s të “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”: Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandara!

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë artistiko-kulturore që u mbajt në Muzeun Etnografik të Vlorës, 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Presidenti Meta uroi veçanërisht korifejtë shqiptarë të polifonisë, ata që “në rolet e ‘Marrësit’, ‘Prerësit’, ‘Hedhësit’ dhe ‘Isos’ së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi.

 

Duke përshëndetuar kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, muzikologëve, studiuesve dhe artistëve të folklorit e kulturës popullore, Presidenti i Republikës theksoi se ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar. Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë!

 

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh: “Në këtë ditë të shenjtë të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar këtu në Vlorë ndihem dyfish i gëzuar, sepse krahas nderimit të veprës së lavdishme të firmëtarëve të Pavarësisë me në krye Ismail Bej Vlorën, po përkujtojmë sot edhe një arritje të shënuar të kulturës sonë shpirtërore dhe kombëtare si komb: 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’, të mbrojtura nga UNESCO-ja!

Ku tjetër më bukur se sa në Vlorë dhe kur më shumë se sa sot, pikërisht këtu në djepin e lirisë dhe të polifonisë, në këtë qytet të ndërtuar mbi atdhedashurinë, midis valëve të detit dhe maleve të Çikës, do të mund ta festonim këtë përvjetor të shquar!

 

Shqiptarët nuk e ndanë kurrë këngën nga pushka apo flamurin kombëtar nga gjuha dhe eposi etno-kulturor!

 

E meritojnë gjigandi Lefter Çipa dhe të gjithë korifenjtë e polifonisë këtë nder dhe kënaqësi për gjithçka kanë bërë për atdheun, për flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare!

Edhe pse në kohë të vështirë, brenda rregullave të pandemisë, ne nuk mund të mos e gëzonim këtë arritje të madhe të pasurisë sonë folklorike dhe etno- kulturore!

 

Festat e shqiptarit ndër shekuj kanë ngjarë shpesh si shkreptima gëzimesh në mes mynxyrash.’ – ka shkruar Kadareja për dasmat shqiptare në shekuj.

Prandaj sikurse thotë rapsodi:

 

Do t’ia marr siç merret kënga,

kënga shqiptare,

siç më ka mësuar Mëma,

Kthejani o male…!

 

Data 25 nëntor e vitit 2005 është dhe do të mbetet një datë historike për kulturën shpirtërore të popullit shqiptar.

Në atë ditë, 15 vite më parë, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris, Drejtor i saj i Përgjithshëm kumtoi për të gjithë botën se dukuria e ‘Polifonisë me iso’ e Shqipërisë futet në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’ të mbrojtura nga UNESCO-ja.

 

Juria ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, e përzgjodhi polifoninë tonë për t’u përfshirë në listën ‘Kryevepër e njerëzimit’ midis 60 kandidaturave të propozuara  nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës.

 

Ndaj sot është një ditë e madhe përkujtimi dhe vlerësimi.

Në udhëtimin tonë të vështirë historik si popull dhe si komb, kur na mungonte dielli i lirisë, na ngrohte zjarri i polifonisë dhe kur prushi i saj përhapej fletë-fletë, gjenim aty brenda data, vite, vende, heronj dhe amanete. Gjenim në vargje historinë e popullit tonë!

 

Ashtu sikurse i ndrituri Lefter Çipa ka shkruar:

 

Nga kjo baltë e kësaj toke/

Merr një grusht e shtrydhe fort/

Pika gjaku do kullojë/

Luftën e madhe tregon.

 

Polifonia, gjuha shqipe dhe shqiptaria janë një. Ajo lindi nga vajtimi dhe u bë këngë përmes muzikalitetit të gjuhës sonë të bukur, për të cilën populli nuk thotë ‘e lexoi’, por ‘e këndoi’, sepse kënga ruajti edhe gjuhën.

Kjo traditë madhështore e shoqëron shqiptarin nga lindja në vdekje dhe i ka dhënë kuptim këtij udhëtimi njerëzor, në çdo kohë e nën çdo sistem.

 

Se çfarë përfaqëson polifonia më lejoni sot të citoj përsëri ikonën e saj Lefter Çipën, i cili na mblodhi sot në këtë takim të paharruar: ‘Polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar. Por duhet patur kujdes me dashurinë e saj. Duhet ta duash me gjithë shpirt, të të hyjë në gjak e deje. Polifonia është shpirti i ditës, dhe zëri i natës, është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot…

 

Sot kujtojmë, nderojmë dhe do të vlerësojmë të gjithë ata korifej të këngës, me emra të përveçëm e që njihen nga të gjithë, të cilët në rolet e ndryshme, sepse polifonia është ekip, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar gjithë këtë traditë të madhe.

 

Presidenca ka dekoruar me tituj nderi disa prej artistëve të folklorit të spikatur të vendit, sot jemi mbledhur të vlerësojmë disa të tjerë të shquar prej qarkut të Vlorës, në të ardhmen do të rikthehemi sërish këtu, por edhe në treva të tjera, si dhe  do të shkojmë në të tjera treva për të vendosur në piedestal të tjerë artistë me emër të këngës polifonike dhe folklorit në përgjithësi!

Një nderim të veçantë e kam edhe për studiuesit, muzikologët dhe folkloristët e mëdhenj si Prof. Ramadan Sokoli, Prof. Benjamin Kruta,  Prof. Spiro Shetuni,  Prof. Afërdita Onuzi, Prof. Vaso Tole, Prof. Piro Miso e shumë të tjerë si dhe për të gjitha ato institucione studimore, të cilët e vendosën polifoninë shqiptare në shtratin e një strukture vlerash të mirë studiuara shkencërisht.

 

Por sot është dita që të kujtojmë dhe vlerësojmë me nderim edhe të gjithë ata këngëtarë e këngëtare popullore anonimë, ‘të heshtur’, të cilët nuk kanë emër pasi njihen thjesht me emrin ‘kori i isos’, ose ata që ‘ia mbushin këngës’ apo siç thonë ‘që bëjnë eee’.

 

Ata për të cilët Ismail Kadare thotë: ‘…se kënga polifonike e jugut nuk mund të ekzistojë veçse e rrethuar prej isos. Madje, kjo murmurimë kolektive, anonime, është ndoshta më e rëndësishme se vetë kënga.’

 

Pra isoja është mbështetje, aprovim, unanimitet. Me anë të isos, populli jep të drejtën për të vazhduar këngën. Me ndërprerjen e saj, ai e heq atë të drejtë.

Ne, si shqiptarë jemi me fat që kemi këtë traditë këndimi në grup, e cila para se të jetë thjeshtë muzikore është një pasqyrim i kodit të organizimit tonë shoqëror të jetës njerëzore dhe sigurisht i pluralizmit të të menduarit në të.

 

Kënga labe mbart në vetvete një model demokratik të sjelljes dhe të bashkëpunimit.

 

Në polifoni, ashtu si në demokraci dhe pluralizëm  askush nuk duhet të pretendojë t’i imponohet tjetrit, por duhet të bashkëpunojë për qëllimin e përbashkët.

Ky është një mesazh i madh jo vetëm estetik e muzikor, por edhe një vërejtje ndaj sjelljes përjashtuese që ndjek sot elita politike në vendin tonë.

 

Sot është dita të falënderojmë edhe organizatën e UNESCO-s për këtë vlerësim të lartë që i bëri trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, pasi ky vlerësim ka sjellë një njohje dhe përhapje të mëtejshme në mbarë botën të saj!

 

Por mirënjohjen më të madhe e kemi për të gjitha ato personalitete tona, që me punën e tyre të jashtëzakonshme arritën të bindnin UNESCO-n dhe të kishin një nga fitoret më të mëdha në historinë tonë, sepse ka pasur edhe beteja që nuk i kemi fituar. Beteja të tjera do të kemi dhe duhet të përgatitemi më mirë për t’i fituar ato në të ardhmen, ashtu sikurse u fitua 15 vite më parë kjo betejë historike.

Në përfundim do të dëshiroja që vlerësimet morale të pasohen edhe me më shumë mbështetje në politikat kulturore, por edhe mbështetje financiare për grupet popullore dhe studimet për polifoninë, si dhe të ketë më tepër angazhime të institucioneve qendrore dhe vendore për realizimin e aktiviteteve që i kushtohen isopolifonisë, në mënyrë të veçantë edukimit të fëmijëve dhe të rinjve me dashurinë për polifoninë, në mënyrë që kjo këngë të vazhdojë të jetojë brez pas brezi.

 

Rroftë polifonia me iso e Shqipërisë dhe bartësit e saj të vjetër dhe të rinj!

 

E përjetshme kjo pasuri e rrallë dhe e papërsëritshme e kombit tonë!

Të nderuar qofshin ndër shekuj të gjithë ata që i dhanë asaj zërin, shpirtin dhe zemrën!

 

Me rastin e 15-vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO-ja, me Titullin “Mjeshtër i Madh” u dekoruan nga Presidenti i Republikës: Grupet Polifonike “Vranishti”, Vlorë; “Kaonët” e Delvinës dhe ai “Dukati” i Vlorës. për kontributet e veçantë si mbartës i shquar i vlerave të këngës polifonike, dhe për pjesëmarrjen e suksesshme në shumë skena kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” u nderuan këngëtarët dhe valltarët e talentuar Arap Çeloleskaj dhe Taip Madani (pas vdekjes); zoti Sejmen Gjokoli, zonja Katina Mërkuri, zotit Hysen Ruka, zoti Rrahman Nuredini; zoti Syrja Hodo, zonja Fatbardha Brahimaj, zoti Abdyl Lizaj dhe zoti Berdo Berdaj për kontributet e paçmueshme në interpretimin, ruajtjen, transmetimin dhe popullarizimin e vlerave të polifonisë me iso, në festivalet folklorike nëpër skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Me Dekoratën “Nder i Kombit” Kreu i Shtetit çmoi poetin e shquar Lefter Çipa në vlerësim të rolit të tij brilant si krijues, rapsod, mbartës dhe interpretues i perlave të këngëve polifonike shqiptare tradicionale dhe bashkëkohore duke e quajtur: “Poet të talentuar me frymëzim thellësisht kombëtar dhe me vargje të shtrydhura nga dallgët e detit dhe të përshkuara nga dashuria për dheun e mëmëdheut dhe frymëzues i përjetshëm i bukurisë së jetës dhe shpirtit njerëzor, eposit historik dhe vlerave morale, identitetit dhe ndjenjës kombëtare”.

Zotit Dhimitër Varfi iu akordua Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për talentin artistik, interpretimin e spikatur dhe zërin e veçantë prej tenori, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës himarjote.

 

Ndërsa me “Titullin Naim Frashëri” Presidenti Meta çmoi zotin Sinan Gjoleka dhe zoti Dule Beqir Gjoka për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullor të shquar të Labërisë.