Presidenti Meta në Myftininë e Korçës: Duhet të vazhdojmë të punojmë të gjithë së bashku, për të nxitur akoma më shumë kulturën e dhurimit të gjakut

222
Sigal

Presidenti Meta në Myftininë e Korçës për seancën e dhurimit të gjakut: Duhet të vazhdojmë të punojmë të gjithë së bashku, për të nxitur akoma më shumë kulturën e dhurimit të gjakut, ashtu siç na frymëzojnë edhe besimet fetare.

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në seancën e radhës të dhurimit vullnetar të gjakut, të organizuar nga Myftinia e Korçës, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

 

Kreu i Shtetit i shprehu veçanërisht mirënjohjen Myftiut të Korçës, Ledian Cikalleshi dhe klerikëve të tjerë drejtues të Myftinisë për solidarizimin me këtë kauzë humane, veçanërisht në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të sëmurëve kronikë, të cilët kanë nevojë të vazhdueshme për gjak.

Presidentit Meta vuri në dukje se ky është veçanërisht një vit i vështirë, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe masave kufizuese, që kanë ndikuar për uljen në mënyrë drastike të numrit të dhuruesve.

 

“Dëshiroj të falënderoj nga zemra shumë të rinj e të reja dhe qytetarë të tjerë, të cilët i janë përgjigjur sot thirrjes së Myftinisë së Korçës për të dhuruar gjak!

Një falënderim të veçantë kam për komunitetet fetare, që na kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, duke ftuar besimtarët e tyre të bëhen pjesë e fushatës sonë për dhurimin e gjakut.

Duhet të vazhdojmë të punojmë të gjithë së bashku, për të nxitur akoma më shumë kulturën e dhurimit të gjakut. Informimi i vazhdueshëm, i të gjithë qytetarëve, për sigurinë gjatë dhurimit, apo për të mirat e dhurimit të gjakut, do të ndihmonte në rritjen e numrit të dhuruesve dhe në formimin e një grupi dhuruesish të përhershëm.

Mbështetja dhe ndihma për më të pamundurin, më të dobëtin, më të pafuqishmin janë pjesë e filozofisë dhe e edukimit të të gjitha besimeve tona fetare. Dhurimi i gjakut është një nga shembujt më të mirë, se si këto mësime, vihen konkretisht në zbatim në jetë, duke i shërbyer kështu komunitetit dhe të gjithë atyre që kanë nevojë.” – theksoi Presidenti Meta.