Presidenti Meta në konferencën vjetore të Avokatit të Popullit: Uroj që viti i ardhshëm t’i gjejë mediat dhe gazetarët shqiptarë më të lirë, më të mbrojtur, më aktivë dhe gjithmonë pranë të vërtetës!

413
Sigal

 

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti konferencën vjetore të institucionit të pavarur kushtetues të Avokatit të Popullit me temë: “Liri pa urrejtje. Liria e shprehjes përballë të drejtave të tjera të njeriut”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin Kryetari i Kuvendit, Sh.T.Z. Gramoz Ruçi dhe Avokati i Popullit, znj.Erinda Ballanca, Presidenti Meta në fjalën e Tij u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë forum të rëndësishëm për të diskutuar mbi një nga çështjet më të rëndësishme të demokracisë dhe sfidës madhore të shoqërive tona siç është liria e shprehjes.

 

Liria e shprehjes është e drejta e individit dhe komuniteteve të shprehin mendimet dhe idetë e tyre pa frikën e shpagimit, çensurës apo sanksioneve ligjore.

 

Liria e shprehjes është një nga parimet më të shenjta që mbrohet rreptësisht nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë!

 

Liria e shprehjes dhe e drejta e informimit, përveç të drejta kushtetuese themelore, janë të lidhura ngushtësisht edhe me parimin e ndërtimit të një shteti demokratik.

 

Për këtë arsye angazhimi i shtetit dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend.

 

Edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ka krijuar tashmë një praktikë solide të trajtimit të lirisë së shprehjes, ku ndër të tjera thekson se: ‘Nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm. Demokracia përparon bazuar në lirinë e shprehjes’.

 

Media, si zëdhënëse e opinionit publik, e bën pushtetin shtetëror më të prekshëm për njerëzit, më të kontrollueshëm dhe më transparent.

 

Shkëmbimi i ideve dhe informimi i lirë janë mjetet, jo vetëm më të rëndësishme, por dhe më efikase për të kontrolluar demokracinë si formë e qeverisjes. Nëpërmjet tyre institucionet bëhen më të hapura, më efikase dhe më afër qytetarit.

 

Fatkeqësisht liria e medias në vendin tonë është përkeqësuar ndjeshëm.

Mjedisi dhe kushtet e punës së gazetarëve gjithashtu.

 

Pas shumë viteve, gazetarët u janë rikthyer protestave në mbrojtje të lirisë së shprehjes, ndërsa numri i reporterëve që janë detyruar të braktisin vendin është rritur progresivisht.

 

Shqetësimet e gazetarëve të terrenit nuk dëgjohen, ndërsa shumë pronarë e drejtues mediash, në shkëmbim të përfitimit të fondeve publike e kanë “asgjesuar” postin e kryeredaktorit të lajmeve.

 

Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve ‘Reporterët pa Kufij’;

 

Përfundimet e raportit vjetor të ‘Freedom House’ se media në Shqipëri është pjesërisht e lirë;

 

Konkluzionet e ‘Misionit për lirinë e medias’ të shtatë organizatave globale sipas të cilave ‘autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias, duke theksuar se ka pasur një përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve’;

 

Raporti paraprak për zgjedhjet vendore i OSBE/ODIHR ku theksohej se “media të mëdha u shërbejnë si platforma lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën”;

 

Janë këmbana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhet sot liria e shprehjes në Shqipëri.

 

Shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet ta harrojnë dramën që shkaktoi mohimi i kësaj të drejte gjatë 50 viteve të diktaturës komuniste!

 

Shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet ta harrojnë kalvarin e vrasjeve, dënimeve, persekutimit, vuajtjeve, dhe cënimit të dinjitetit njerëzor si pasojë e mohimit të kësaj të drejte universale.

 

Është jorastësore që pas përmbysjes së këtij regjimi, në Shqipëri ndodhi një revolucion i jashtëzakonshëm mediatik, me një numër rekord për frymë popullsie të gazetave, televizioneve dhe radiove kombëtare dhe lokale.

 

Zgjerimi i hapësirës dixhitale edhe në Shqipëri, po ashtu shënon një numër jashtëzakonisht të madh të mediave dhe portaleve on-line, duke ofruar një larmi të pamatë informacioni.

 

Kjo platformë hapësinore është e paprecedentë, jo vetëm për ne, por për të gjitha vendet e botës, dhe padyshim që mbart si përfitimet ashtu edhe rreziqet e veta.

 

Ndër to, është edhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes, si formë për shpërndarjen, nxitjen, promovimin apo justifikimin e urrejtjes, dhunës dhe diskriminimit ndaj një personi apo komuniteti.

 

Ndërkohë që fenomene të tilla nuk mund të lihen jashtë vëmendjes, nevojitet ruajtja e një balance të kujdesshme ndërmjet luftës ndaj gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes.

 

Kufizimet ndaj gjuhës së urrejtjes nuk duhet të keqpërdoren me qëllim mbytjen e kritikës ndaj qeverisjes, e bindjes së ndryshme politike, e përkatësisë së besimit fetar, e kërkesës për llogaridhënie.

 

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që ka një korrelacion ndërmjet lirive civile, ku përfshihet dhe liria e shprehjes, dhe nivelit të demokracisë së një vendi.

 

Sa më e konsoliduar demokracia e një vendi, aq më llogaridhënëse janë institucionet, e aq më të shprehura dhe të mbrojtura janë liritë e individit.

 

Sado dëshirëplotë dhe ambiciozë të jemi që Shqipëria të renditet një orë e më parë në majat e demokracive të zhvilluara, mbetemi po aq realistë dhe të vërtetë duke pranuar se gjendemi ende shumë larg prej këtij objektivi.

 

Por kambana më e fortë e alarmit është shpopullimi i vendit. Cënimi i lirive, mungesa e llogaridhënies, dhe varfëria, janë ndër arsyet kryesore që motivojnë qytetarët shqiptarë të largohen nga vendi.

 

Zyra mbështetëse e Azilit Europian në nëntor tregon se numri i azilkërkuesve nga Shqipëria për 10 muaj të këtij viti është rritur me 16%.

 

Në raport me Serbinë për 1 mijë banorë e kemi 8.2 herë më të lartë dhe me Malin e Zi, 11.7 herë më të lartë.

 

Ishte lajm tronditës largimi i Agron Tufës, një shkrimtar i talentuar dhe ish-Drejtues i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, i cili u kërcënua familjarisht për shkak të detyrës.

 

Ishte edhe më tronditës mos-reagimi i asnjë institucioni ndaj kësaj ngjarjeje apo të tjerave të ngjashme, kur zyrtarë të ndryshëm gjenden përpara kërcënimeve të hapura dhe publike dhe nuk reagon askush.

 

As media, as gazetarët dhe as pedagogët nuk janë armiqtë nga të cilët duhet të ruhemi, ndaj ata nuk mund të trajtohen si të tillë. Përkundrazi!

 

Vitet e fundit kanë qenë të shumta rastet, kur roli dhe kontributi i medias në denoncimin e aferave korruptive dhe veprimtarive kriminale, me pasoja të rënda për shoqërinë dhe ekonominë e vendit, ka qenë thelbësor.

 

Funksionarët publikë duhet të jenë model në respektimin e e dinjitetit të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallimi apo stereotipizimi, prandaj dhe daljet e tyre publike, si dhe deklaratat në media apo rrjete sociale, nuk duhet të cenojnë asnjëherë ndjeshmërinë e qytetarëve për shkak përkatësie të çfarëdolloj grupi shoqëror.

 

Tërmeti i 26 nëntorit tregoi edhe rëndësinë e madhe të lirisë së medias në drejtim të informimit në kohë reale.

 

Me këtë rast dua të përgëzoj publikisht të gjitha mediat, dhe veçanërisht gazetarët e terrenit të cilët mbuluan me profesionalizëm dhe etikë këtë ngjarje tronditëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke e vënë theksin te solidariteti dhe kujdesi ndaj njerëzve.

 

Uroj që viti i ardhshëm t’i gjejë mediat dhe gazetarët shqiptarë më të lirë, më të mbrojtur, më aktivë dhe gjithmonë pranë të vërtetës!

 

Po kështu kjo nuk mund të ndodhë me urime dhe dëshira, por me një reflektim të thellë të gjithë shoqërisë dhe politikës në veçanti.

 

Një mjedis politik i përçarë dhe përjashtues nxit gjuhën e urrejtjes në tërësi ndaj urojmë që edhe tërmeti që ndodhi duhet të shërbejë sinjë moment ngritjeje e bashkëpunimi, pasi vetëm dialogu dhe gjithëpërfshirja na garanton një demokraci të suksesshme dhe frymëzues për qytetarët dhe të rinjtë tanë në mënyrë që Shqipëria të ketë një të ardhme të sigurt për të rinjtë e saj.”