Presidenti Meta në Ditën Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut: Të jemi që të gjithë më aktivë në procesin e dhurimit të gjakut, sidomos në sezonin e nxehtë të verës!

462
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot paradite tendën e Kryqit të Kuq Shqiptar të ngritur në Parkun “Rinia” të kryeqytetit, me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut.

Në kuadër të nismës së ndërmarrë, në bashkëpunim me Aleancën e Dhurimit të Gjakut, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë që u rikthye edhe këtë vit mes dhuruesve të shumtë vullnetarë, si dhe falënderoi Kryqin e Kuq Shqiptar, që punon me përkushtim për këtë kauzë kaq humane në ndihmë të njerëzve në nevojë.

“Sot në këtë ditë të rëndësishme të dhurimit të gjakut dua t’i falënderoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat shqiptarë që i janë bashkuar kësaj kauze! Në mënyrë të veçantë të gjithë ata që janë dhurues të rregullt e të qëndrueshëm, pasi i shërbejnë një kauze të jashtëzakonshme humanitare, sepse përmes këtij solidariteti, ata garantojnë që të gjithë qytetarët, të cilët kanë nevoja të përhershme për gjak, e në mënyrë të veçantë për fëmijët, të vazhdojnë normalisht jetën e tyre dhe të jenë plotësisht të integruar në shoqëri.” – ishte mesazhi i sotëm i Presidenti i Republikës.

“Jam këtu për të nxitur më tej këtë vullnetarizëm, këtë solidaritet që i ka shërbyer prej më se një viti edhe Aleanca për Dhurimin e Gjakut dhe do të vijojë në mënyrë të qëndrueshme edhe në të ardhmen. Aq më tepër që jemi edhe në fillim të sezonit të verës dhe tani nevojat shtohen akoma e më shumë.” – nënvizoi Presidenti Meta.

“Do t’i ftoja të gjithë që të jenë edhe më aktivë në proces. Edhe ne si Aleancë për Dhurimin e Gjakut do të organizojmë më shumë seanca të tilla në të gjithë vendin, sidomos në ato zona dhe rajone të Shqipërisë ku ka nevojë më shumë.” – u shpreh Presidenti Meta.