Presidenti Meta në 74-vjetorin e themelimit të “Skënderbej”: Mirënjohje të thellë për të gjithë skënderbegasit kudo që ndodhen

511
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të 74 vjetorit të krijimit të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” ka përshëndetur të gjithë skënderbegasit që kontribuan në forcimin e ushtrisë dhe institucioneve kombëtare. Presidenti Meta e vuri theksin tek rëndësia e ish-kadetëve të kësaj shkolle në modernizimin e Forcave të Armatosura dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

“Sot(Dje) me rastin e themelimit të Shkollës Ushtarake “Skënderbej” kam kënaqësinë t’i përshëndes të gjithë skënderbegasit e mrekullueshëm, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në forcimin e ushtrisë sonë dhe të gjithë institucioneve të sigurisë kombëtare me dijet dhe atdhedashurinë e tyre, por që shkëlqyen edhe në të gjitha fushat e tjera si sportistë, akademikë e artistë, falë një edukimi të gjithanshëm plot pasion që morën nga mësuesit e mësueset më të mira të kohës. Gjurmët e shkëlqyera të këtij edukimi janë ende të freskëta në të gjithë Shqipërinë, që nga veprat më të mëdha hidro-energjetike me në krye Fierzën, e deri te brezaret e Ksamilit. Skënderbegasit ishin të parët kudo në çdo shërbim dhe sakrificë që u kërkohej për mbrojtjen dhe zhvillimin e atdheut. Ata përqafuan ndryshimet demokratike dhe dhanë një kontribut të shkëlqyer në transformimin e modernizimin e Forcave të Armatosura, si edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në Aleancën më të madhe të lirisë, 10 vite më parë. Ndaj shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë skënderbegasit kudo që ndodhen, për familjet e tyre dhe të gjithë mësuesit e pedagogët e tyre të dashur!”, përfundoi përshëndetjen Presidenti.